Arifi edhe njëherë ka rikujtuar se me qeverinë paraprake nuk ka patur mirëkuptim për marrjen tetë autobusëve, ndërsa tani është shprehur e bindur se me një bashkëpunim në mes të komunës dhe pushtetit qendror, do të sigurohen autobusët
Urim HASIPI
Tetovë, 24 prill – Pas protestave të ditës së premte, ku organizata joqeveritare protestuan për transportin publik, ka qenë vet kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, e cila është zotuar se transporti publik është prioritet i komunës që drejton ajo. Arifi theksoi se Tetova tashmë ka një ndërmarrje komunale për transportin publik dhe pritet që e njëjta të jetësohet në praktikë, por pa dhënë afatizime kohore.
“Siç e dini, Tetova dikur ka pasur transport publik, por për fat të keq ajo ndërmarrje është shuar. Kemi një vendim të Këshillit për themelim të ndërmarrjes publike dhe mendoj që sa më parë të arrijmë ta vendosim në funksion me të gjitha ato probleme që ka në fillimet e saja një ndërmarrje. Atë e kemi prioritet dhe qëllim tonë. Do të duhet pak kohë, por atë qytetarët do ta kenë”, tha Arifi. Ajo edhe njëherë ka rikujtuar se me qeverinë paraprake nuk ka patur mirëkuptim për marrjen tetë autobusëve.
“Me Qeverinë e kaluar nuk kemi hasur në mirëkuptim për kërkesat tona, por tash jam e bindur se me një bashkëpunim në mes të komunës dhe pushtetit qendror edhe me angazhim tonin më të madh, do të arrijmë t`ia dalim”, sqaroi Arifi. Pikërisht mungesa e transportit publik ka bërë që shumë qytetarë të përdorin automjete private edhe për pak punë që kanë në qytetet, përderisa i tërë komunikacioni është përqendruar në pjesën qendrore të Tetovës, ku edhe jo rrallë herë ka shumë kaos në trafik. Mungesa e transportit publik deri më tash ndonëse është premtuar, megjithatë në praktikë nuk është riaktivizuar asnjëherë. Kjo ka bërë që në aktivistë dhe vullnetarë të Qendrës Loja, të organizojnë një protestë simbolike nga qendra deri tek Komuna e Tetovës për të rikujtuar autoritetet e komunës për mungesën e transportit. Ata kanë improvizuar një autobus dhe shenja komunikacioni për të dërguar mesazhin tek drejtuesit e Komunës së Tetovës. Në ndërkohë, në Tetovë vazhdojnë të mungojnë korsitë e biçikletave.
Drejtuesit e tyre hasin në shumë vështirësi si pasojë e kësaj mungese duke shfrytëzuar trotuaret e këmbësorëve dhe rrugëve. Kryetarja Arifi tha se është duke u shqyrtuar mundësia që edhe në Tetovë për vozitësit e biçikletave të ketë subvencione ose mënyra të tjera të shfrytëzimit të tyre. Këto komente Arifi i ka bërë gjatë shënimit të Ditës së Planetit Tokë në Tetovë. “Tetova pa makina është një aktivitet që është menduar gjatë dhe është menduar që disa ditë në vit të organizohet një aktivitet i tillë, është hera e parë që në Tetovë shënohet ky aktivitet, janë të mbyllura disa prej akseve më të mëdha rrugore me qëllim që qytetarët ta shijojnë më shumë hapësirën dhe të lëvizin me biçikleta. Dëshiroj të theksoj se në takimin e fundit të mbajtur me lidhjen e kryetarëve të komunave shqiptare që u mbajt në Prishtinë, u dakorduam që qytetet që janë pjesë e lidhjes të organizojnë minimum tre ditë pa makina në qytetet e tyre dhe Tetova atë ditë e shënon sot për herë të parë. Shpresoj që kjo të ndikoj më tepër që qytetarët të lëvizin në këmbë dhe të shfrytëzojnë këto ditë të bukura për të lëvizur pa makina”, deklaroi kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi. Ajo sqaroi se këta aktivitetet do të praktikohen jo vetëm ditën e diel por në raste të ditëve ndërkombëtare ekologjike do të mbahen edhe gjatë ditës së javës kur ka më shumë ngarkesë të automjeteve.