Nga Milano, Vedat Memedaliu
Milano, 16 gusht – Një ditë para ndeshjes historike të Shkëndijës në fazën e play-off të Ligës së Evropës ndaj Milanit, tre futbollistët kuqezi, Ardian Cuculi, Armend Alimi dhe Kostadin Zahov në një dalje para gazetarë kanë shfaqur qëndrimet e tyre para sfidës kundër gjigandit italian. Të vënë para reputacionit dhe historisë së klubit italian, tre lojtarët shprehen me respekt për Milanin, por theksojnë se Shkëndija do të jap më të mirën nga vetja. Brifingu është mbajtur në ambientet e hotelit Melia në Milano, ku edhe është e vendosur skuadra tetovare. Kapiteni Adrian Cuculi thotë se Shkëndija për
Dy vite me radhë luan në play-off dhe kjo nuk është e rastësishme, ndërsa thekson se në Milano kemi ardhur të tregojmë lojën tonë më të mirë dhe të prezantojmë futbollin e Maqedonisë në mënyrën më të mirë të mundshme.
“Normalisht kemi një sfidë të vështirë, është raundi i katërt “play-off” i Liga Europa. Dy vite me rradhë po e bëjmë këtë hap, përsërisim këtë rezultat dhe nuk është kjo gjë rastësi. Dominimi ynë në ndeshjet e deritanishme të zhvilluara në kuadër të Liga Europa, fati ynë deshi që tash të ndeshemi me Milanin. Një skuadër që nuk donë shumë fjalë, një skuadër me kualitet shumë të lartë në futbollin evropian. Ne këtu në Milano kemi ardhur për të prezantuar sa më mirë dhe në mënyrë dinjitoze futbollin e Maqedonisë dhe normalisht duke e dhënë më të mirën tonë dhe duke bërë që Shkëndija në këtë ndeshje të dalë sa më mirë. Nuk kemi gjë për të humbur, thjeshtë vijmë të bëjmë punën tonë dhe në fund të shpresojmë në një rezultat të mirë”, tha Ardian Cuculi, i cili është i vetëdijshëm për kualitetin që posedon skuadra kundërshtare. Armend Alimi, lojtari që theu Vardarin Vikendin e kaluar në Tetovë gjithashtu u shpreh optimist para ndeshjes. “Atmosfera në San Siro nuk duhet të jetë një pengesë për ne, por do të na motivoj më shumë për lojë më të mirë. Kuptohet disa gjëra varen edhe nga kundërshtari”, tha Alimi. Edhe portieri kuqezinjve, Konstandin Zahov, është optimist. Ai thotë se strategjia e lojës do të koncentrohet në mbrojtje dhe duke krijuar mundësi në kundërsulm. “S’kemi ardhur këtu me flamur të bardhë, nuk kemi se çka të humbim. Do të jemi nën presion, nuk guxojmë të bëjmë gabime, do të përpiqemi me kundërsulme të shënojmë gol”, shtoi portieri Zahov. Takimi në stadiumin San Siro do të luhet të enjten me fillim prej orës 20:45.