Delvina KËRLUKU
Xheladin Murati u lind në Xhepçisht të Tetovës, jeton në Tetovë. Shkollën fillore e kreu në fshat dhe në Tetovë, ndërsa shkollën e mesme në Shkup, normalen “Zef Lush Marku”. Studjoi pedagogjinë në filozofikun e Shkupit, magjistroi në pedagogji në filozofikun e Beogradit (1978) dhe doktoroi në filozofikun e Prishtinës (1984). Punoi si profesor në gjimnazin e Tetovës dhe ishte zëvendësdrejtor i tij, ishte profesor në Akademinë Pedagogjike në Shkup ku ligjëroi lëndën Metodika e matematikës kl.I-IV dhe Metodika e dituri shoqërisë, drejtor i Entit Pedagogjik të Tetovës (prej ku e shkarkon komiteti i LKM-së me motivacion se ka vepruar nga pozitat e nacionalizmit shqiptar, irredentizmit dhe separatizmit) dhe dhunshëm punoi në Qendrën për Punë Sociale në Tetovë. Në zgjedhjet e para parlamentare pluraliste, në dy mandate zgjidhet deputet në Parlamentin e Maqedonisë dhe nënkryetar i Parlamentit (1991-1994, 1994-1998), në 1992 zgjidhet docent në Fakultetin Filozofik të Shkupit për lëndën Hyrje në pedagogji, më 1995 me themelimin e Fakultetit Pedagogjik të Shkupit zgjidhet profesor inordinar e më pas ordinar për lëndët Pedagogji e përgjithshme, Metodologji e kërkimit shkencor dhe Didaktikë. Me themelimin e UEJL-së (2001) në Fakultetin e Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit ka ligjëruar lëndët Teknika e komunikimit, Metodologji e mësimdhënies dhe Ndryshimi i arsimtarit dhe ndryshimet në shkollë (në studimet deridiplomike) ndërsa në studimet pasuniversitare ligjëroi lëndët Sigurimi i cilësisë në arsim dhe Metodologjia e kërkimit shkencor. Në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Tetovës ligjëroi lëndët Tendencat evropiane në arsim dhe Teoritë bashkëkohore në edukim (në studimet pasuniversitare). Është anëtarë i shumë shoqatave. Ka botuar 33 vepra nga të cilat 28 janë nga fusha e pedagogjisë, metodologjisë e didaktikës. Ka mbi 276 njësi bibliografike nëpër revista, gazeta e përmbledhje dhe ka marr pjesë në mbi 92 konferenca shkencore, kongrese e simpoziume. Për Xheladin Muratin janë botuar dy studime. I pari, monografi me titull “Profesor, politikan dhe studiues pedagogjie” (2009),me autor mr. Ismet Jonuzi Krosi, dhe i dyti, studim me titull “Krijimtaria, kontributi dhe vlerat pedagogjike të profesor Xheladin Muratit” (2017) me autore mr. Ixhrije Aziri.
KOHA: I nderuar z Murati, jeni një ndër profesorët që keni dhënë mësim mbi metodologjinë e arsimit dhe keni nxjerrë gjenerata mësuesish. Çfarë flet ky kontribut me dekada të tërë?
MURATI: Unë kam ligjëruar më shumë lëndë, por tri ishin themeloret: Pedagogjia e përgjithshme, Didaktika dhe Metodologjia e kërkimit shkencor. Është vështirë të flasim në pak rreshta për kontributin tim në formimin dhe arsimimin e mësuesve, si kuadër themelor për arsimin fillor. Megjithatë, është kënaqësi kur e shoh armatën e mësuesve të cilët me përkushtim punojnë në ngritjen e dijes, vetëdijes dhe vlerave të mirëfillta edukative-arsimore dhe japin kontributin e tyre në ndërtimin e gjeneratave që do të jenë bartëse të zhvillimeve demokratike.
KOHA: Keni qenë pjesë e Parlamentit të Maqedonisë. Cili ishte zëri juaj, atëbotë?
MURATI: Gjenerata ime e deputetëve në parlamentin e Maqedonisë dhe unë bashkë me to, kanë qenë partizanët e demokracisë. Viti 1991 ishte kthesë radikale e zhvillimit të shoqërisë tonë nga sistemi monist në atë pluralist. Megjithatë, demokracia jo vetëm ngadalë por me shumë vështirësi depërton në shoqërinë tonë. Sot e kësaj dite plot 27 vjet flasim për tranzicion e kurrësesi ta tejkalojmë atë. Zëri ynë në legjislaturën e parë parlamentare ka qenë vërtetë zë demokracie, zë i dijes, zë i vlerave, zë i qasjeve ndaj problemeve me të cilat përballej popullata shqiptare prej viteve. Por, ai zë nuk haste në mirëkuptim tek pala maqedonase, mbase ato mendonin se ua prishim apo ua vjedhim shtetin. Ne nuk kemi pasur qëllim të tillë. Kam bindjen se ai zë, zëri i 23 deputetëve të PPD-së sot e kësaj dite tingëllon në veshët e qytetarit. Deputetët që ia hapën rrugën demokracisë në Maqedoni, këta të PPD-së nuk ishin mendjemëdhenj dhe as injorant, kishin energji dhe forcë pozitive për të ndryshuar gjendjen. Ata thjesht ishin modest dhe të sinqertë. Konstelacioni i forcave politike në kornizën gjeostrategjike ishin pengesë për realizimin e strategjisë tonë kombëtare.
KOHA: Është i padiskutueshëm popullariteti juaj si në skenën politike ashtu edhe në atë shkencore profesionale. Si e ndërlidhët politikën me pedagogjinë?
MURATI: Është çështje për diskutim. Politika nuk ka qenë fillimisht fushë e ime veprimi. Angazhimet e mia si student në shkolla verore që organizonte universiteti hapi dritare për këtë. Megjithatë, instalimi i demokracisë, them demokracisë së vonuar në shoqërinë tonë hapi shtigje dhe rrugë për pjesëmarrje aktive me politikën. Por, duhet të them se procesin mësimor si politikan nuk e kam lënë anësh, kam qenë paralelisht politikan dhe ligjërues në universitet. Kjo ishte një ndërlidhje funksionale sepse pedagogjia ka si objekt edukimin e njeriut, kurse politika njeriun e ka protagonist të saj dhe pikërisht për këtë njeriu duhet të edukohet të merret me politikë. Sepse politika do njerëz me tru, jo njerëz me tru hu. Fushëveprimi politik nuk më pengoi të merrem me krijimtari, me studime, me botime librash, me student etj.
KOHA: Megjithatë, a do të ishte Xheladin Murati ai që është sot po të mos ishte politikan?
MURATI:Me siguri po. Nuk pashë hajr prej politikës, nuk dija të gënjej, të mashtroj, të premtoj gjëra të pamundshme, nuk merresha me tendera, atëherë kotë me politikë. Megjithatë isha pjesë e politikës dhe e profesionit tim. Politika është sot për nesër. Pedagogjia është e përhershme. Isha pjesë e të parës, në të dytën mbetem përgjithmonë. Trendet dhe dinamika zhvillimore imponojnë ndryshimin shumë të shpejt të jetës dhe ne duhet të ndryshojmë për të ndryshuar fatin.
KOHA: Mësuesit kanë përgjegjësinë për të edukuar brezin e ardhshëm; ata luajnë rol kryesor në procesin e mësimdhënies dhe në arritjet e nxënësve. Po sot ata kanë role dhe përgjegjësi të shumta: mësimdhënës, administratorë, vëzhgues, këshilltarë, etj? Cili duhet të jetë roli i mësuesit?
MURATI: Është një fakt i pamohuar se roli i mësuesit sot ka ndryshuar shumë nga më parë. Ai realizon detyra e role të shumta sekondare, të cilat e largojnë nga misioni themelor:edukim dhe arsimim të nxënësit. Ai në fakt, siç konstatoni edhe ju merret më shumë me administratë se sa me punë mësimore. Kjo gjendje duhet ndryshuar dhe mësuesi të jetë edukator, këshillëdhënës, transmetues i dijeve, bashkëpunëtor, moderator i mësimit, drejtues metodik, vlerësues, kultivues i vlerave etj. Ai bashkë me nxënësit ndanë ndjenja dhe emocione, gëzime dhe trishtime, suksese dhe dështime. Prandaj meriton të respektohet, por duhet të ndryshoj për të ndryshuar jeta. Profesioni i mësuesisë kërkon pikësëpari shumë pasion dhe përkushtim. Por gjithaq kërkon edhe siç përmenda më lart, një prirje të natyrshme për punën e edukimit, ai është art për formimin e vlerave njerëzore tek brezi i ri. Mësuesi duhet të ketë autoritet dhe nuk duhet harruar se pa punën e tyre të çmuar, të aftë për të transmetuar dijet nuk mund të ketë komb të kulturuar e të arsimuar. Përgjegjësia në profesionin e mësuesisë është shumë e rëndësishme dhe arsyet janë të shumta duke u nis prej faktit se një mësues ka përgjegjësi në rend të parë për gjenerata nxënësish. Arsyeja tjetër është se mësuesia është profesion rezultatet e së cilës reflektojnë dhe lënë gjurmë në shoqëri dhe mësuesi duhet t’i ketë parasysh këto përgjegjësi para se të filloj të punoj.
KOHA: Maqedonia deri më tani ka marrë pjesë në shumë matje ndërkombëtare, me të cilat përcaktohet se ku është arsimi në vendin tonë dhe si është procesi arsimor kundrejt shteteve të tjera, të cilat kanë arritje më të mëdha si dhe cilët janë faktorët, të cilët ndikojnë mbi arritjen e nxënësve. Rezultatet e nxënësve të këtyre hulumtimeve në Maqedoni janë nën mesatare. A na duhet ndryshime sistematike në procesin arsimor përmes ndryshimit të ligjeve dhe akteve nënligjore?
MURATI: Vlerësoj se suksesi apo produktiviteti i dobët i nxënësve në Maqedoni paraqet një problem shumëdimensional dhe që kushtëzohet nga më shumë faktor. Motivimi i nxënësve, motivimi i arsimtarëve, mungesa e njohurive dhe aftësive të mjaftueshme menaxhuese, mosharmonizimi i shkathtësive të nxënësve që dalin nga kurrikulat dhe sistemi arsimor, mungesa e modernizimit të procesit të njohjes mësimore, mospërgatitja e mjaftueshme e nxënësve për testim ndërkombëtar, qasja tjetërfare e testit si metodologjik, didaktik e logjikë, dallimet në qasjet mësimore tek ne dhe shtetet e tjera, logjika tjetërfare e punës mësimore tek ne dhe jashtë vendit janë ndër faktorët kryesor që shkollat e Maqedonisë i rendisin të fundit në testimin ndërkombëtar PISA. Testi PISA është instrument për matjen e diturive dhe mundëson të shihet niveli arsimor nëpër shkolla. Ai shërben si indikator për cilësinë, barazinë dhe efikasitetin e sistemit arsimor. Përmbajtjet e testit PISA fokusohen në tri elemente: në shkencë, lexim dhe matematikë. Pjesëmarrja në testime ndërkombëtare kërkon një qasje tjetër dhe fokusim konkret në përmbajtje, metodologji dhe logjikën e punës mësimore. Mendoj se faji për suksesin e dobët nuk mund të kërkohet vetëm te arsimtarët por edhe te organizimi i sistemit arsimor.
KOHA: Studimi për cilësinë e arsimit do të jetë çelësi në sferën ku duhet të ketë përmirësim në zhvillimin e programeve shkollore, motivim, mësim dhe bashkëpunim në avancim?
MURATI: Cilësia në arsim është temë e kamotshme, por në kushtet aktuale ka marrë dimensione të theksuara dhe kjo është mirë. Sepse cilësia e bën diferencën specifike të një shkolle, të një arsimtari, të një sistemi arsimor. Sot, për fat të keq tonin cilësia mungon, mungon shumë. Njerëz me fakultete e diploma ka shumë, dije pak. Koncepti diplomë pa dije duhet sa më shpejt të largohet sepse krijohen njerëz analfabet funksional. Cilësia ka dimensione dhe aspekte të shumta, për shembull cilësia e teksteve shkollore, cilësia e programeve mësimore, cilësia e mësimdhënies dhe teknologjive mësimore. Këto shtrojnë nevojën dhe arsyen për një reformë radikale në të gjitha aspektet. Por për këtë duhet një kusht, reformën ta realizojnë njerëz që dinë, njerëz profesionist e me kompetenca, jo njerëz partiak që nuk kanë as aftësi, as njohuri as edhe koncept se ç’duhet bërë. Është e sigurt, se nuk ka ecje përpara pa vlerën bazë e të qëndrueshme të arsimit ndaj të gjitha ndryshimeve, arsimi na jep identitetin si bazë e tërësisë së vlerave që garantojnë zhvillimin dhe perspektivën individuale dhe shoqërore.
KOHA:Një pjesë e nxënësve duan tekste, të cilat janë shkruar në gjuhë të kuptueshme, ndërsa një pjesë e tyre i perceptojnë se nuk janë shumë të qarta, se u janë stërngarkuar me fakte ose se kanë shumë pak informacione. Cila është këshilla juaj, për planet mësimore?
MURATI: Praktika shkollore vërtetoi faktin se tekstet shkollore të nxënësve e kanë humbur vlerën. Ato nuk janë në funksion të mësimit dhe të zhvillimit të nxënësve sepse nuk janë në përputhje me kërkesat e programeve mësimore dhe së dyti, janë larg informacioneve konkrete e domethënëse. Në tekstet shkollore që nga klasa e parë ka përmbajtje të papërshtatshme, ka informacione të gabuara, madje edhe fyese, ka përmbajtje kundërthënëse. Të gjitha këto e bëjnë tekstin jocilësor, jo funksional dhe të pasuksesshëm. Teknologjia e hartimit të teksteve kërkon njerëz me dije, me kompetenca pedagogjike e profesionale jo njerëz me politikë. Për momentin Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka ndërmarrë hapat e nevojshëm në ndryshimin e legjislacionit për hartimin e teksteve dhe bën përpjekje që të krijoj kushte për krijimin e teksteve cilësore dhe funksionale. Por për këtë duhet të krijoj mekanizma institucional e profesional të departizuar dhe të depolitizuar, përndryshe do të vendnumërojmë.
KOHA: Nëse do të bëni një dallim mes arsimit sot dhe të djeshëm, çfarë flasin këto dy periudha?
MURATI: Arsimi sot ka tendenca të jetë modern, të bashkëkohësohet, të futë qasje tjetër ndaj jetës, zhvillimit. Por këtu ndeshemi me zbatimin e projekteve që merren nga jashtë dhe zbatohen pa analiza të duhura që na largojnë nga realiteti. Arsimi dje ka qenë konzistent, cilësor, me premisa klasike. Është mësuar me programe të zgjeruara e të thella të cilat kanë ofruar dije e njohuri shumëdimensionale, me dominim të historicizmit, enciklopedizmit. Mendoj se dallimin në arsim duhet ta bën koha dhe cilësia. Programet duhet të mbështeten në disa faktor: në moshën e nxënësve, në kapacitetin intelektual dhe punues të nxënësit, në aftësitë zhvillimore, përndryshe bëhet gabim i dyfishtë kur nxënësi ngarkohet me përmbajtje mësimore, me lëndë mësimore, me orë mësimore. Strëngarkesa duhet të mënjanohet me studime.
KOHA: Nëse kthehemi në fëmijërinë tuaj, çfarë flet fëmijëria juaj, shkolla, mësuesit, shokët dhe shoqet?
MURATI: Fëmijëri me halle e derte, por kemi qenë modern, kemi shkuar me pantallona të grisura, e nëna i qepte. Tani mendoj se i paskemi paraprij modës. Shkolla ishte në Xhepçisht e mësuesi im i parë ka qenë Shefqet Vela dhe Nazmi Musliu. Klasat e larta të fillores i kam kryer në Tetovë në shkollën “Liria” të sodit. Isha nxënës i shkollës elitare të mësuesisë normalja e Shkupit “Zef Lush Marku” ku na dhanë mësim mësimdhënës të njohur që na shërbyen si model për punë mësimore, siç janë: Xhevat Gega e Mojsi Lutfiu, gjuhë shqipe, Abedin Krasniqi gjeografi, Rexhep Bajrami histori, Avni Zllatku kimi, Eshref Saraqini biologji, Marika Popova pedagogji dhe psikologji, Abdullah Ukshini metodikë, Spase Kunovski art figurativ, Syreja Imami dhe Nadire Krasniqi muzikë. Normalja na krijoi shumë shoqëri e miqasi. Po i përmendi disa nga shokët: Shaip Hajdari, Daut Karemani, Drita Ameti, Perihane Imami, Shpresa Lutfiu, Selami Vinca, Hasan Borova, Adem Bajrami, Qeram Telqiu. Irfan Marku, Safet Abazi, Besnik Spahiu dhe shumë të tjerë
KOHA: Më pastaj studimet, me çfarë përkushtim e djersë?
MURATI: Pas një viti si mësues, vazhdova studimet e pedagogjisë në Filozofikun e Shkupit. Studimet i kreva për 3 vjet (1969). Kam mbresa të fuqishme nga koleget dhe profesorët dr. Vladimir Spasiq i metodikës, dr.Risto Gjorgjevski i psikologjisë, prof. Anatolij Damjanovski i didaktikës, prof. Lupço Koprovski i pedagogjisë së përgjithshme. Studimet pasuniversitare i kam kryer në Universitetin e Beogradit me profesor eminent dr. Nikolla Potkonjak i metodologjisë së kërkimit, dr. Jovan Gjorgjeviq i sistemeve dhe drejtimeve pedagogjike, dr. Vladeta Teshiq i historisë së pedagogjisë. Titullin magjistër e mora me mbrojtjen e temës “Shkaqet e ndryshimit të suksesit te nxënësit e klasave të para të shkollave të mesme në krahasim me suksesin nga shkollat fillore” (1978). Doktoraturën e kam kryer në Universitetin e Prishtinës me mbrojtjen e disertacionit “Pikëpamjet edukative – arsimore të Naim Frashërit dhe kontributi i tij në historinë e pedagogjisë kombëtare” (1984). Kam nderin të përmend profesorët e merituar që më lanë mbresa të mëdha dr. Jashar Rexhepagiq -mentor, dr. Fehmi Agani, dr. Hasan Mekuli, dr. Nijazi Azizi.
KOHA: Ju keni shpalosur shumë dilema të problemeve të arsimit, këtu bëhet fjalë për mësimdhënësit? MURATI: Mësuesi, arsimtari është padyshim një artist i cili duhet të gjejë domethënien e edukimit të nxënësit, të njeriut, të fëmijës që rritet e zhvillohet. Në këtë kontekst ai ka nevojë gjithmonë të mësoj, ta përsos dijen dhe veprimin e tij pedagogjik. Prandaj ai i nënshtrohet reformave dhe ndryshimeve permanente, sepse duhet të ec në hap me kohën. Unë jam kundër angazhimeve formale të mësuesit me ngarkesa shtesë të cilat nuk janë në funksion të përparimit të mësimit. Mësuesi, arsimtari duhet të jetë personalitet dinamik, i pavarur, i zgjuar dhe me guxim, të ketë aftësi për organizim, udhëheqje dhe menaxhim me mësimdhënien, të jetë kreativ dhe me vetiniciativë, të ketë shkathtësi për planifikim dhe parashikim si dhe të ketë shumë ide dhe inovacione. Të gjitha këto e bëjnë ai të punon me përkushtim, përgjegjësi dhe kompetenca.
KOHA: Ju ishit pjesë e ekipeve për reforma në arsim. Çka ndodhi me to?
MURATI: Reforma e arsimit është proces i vazhdueshëm, por strategjia e reformave tek ne nuk shkon sipas ecurive shkencore. Ne fillimisht bëjmë reforma, mandej kthehemi i analizojmë dhe vlerësojmë gabimet. Metodologjia na mëson se fillimisht duhet të bëjmë analiza të problemeve dhe aspekteve që prek reforma e mandej ta reformojmë arsimin. Kështu krijohet sistem stabil arsimor. Sistemi arsimor në Maqedoni ka pësuar ndryshime cilësore por jo të mjaftueshme, ka nevojë për ndryshime në favor të cilësisë, efikasitetit dhe modernizimit. Në fakt, une isha pjesë e ekipit për hartimin e strategjisë së arsimit në kohën e ministrit Gale Galev (2000). Dokumenti u hartua, por ministri u ndërrua dhe dokumenti u harrua. Ekipin që e formoi ministri Azis Pollozhani hartoi një dokument të gjerë e gjithëpërfshirës si “Programi nacional për zhvillimin e arsimit në Republikën e Maqedonisë 2005-2015” (2005), mbeti si dokument pa analiza se a u arrit diçka ose jo. Isha po ashtu pjesë e ekipit të ministrit Sulejman Rushiti për hartimin e konceptit mbi arsimin fillor nëntëvjeçar (2007) dhe ky projekt realizohet, por prej konceptit themelor kanë pësuar shumë ndryshime, të cilat reflektojnë në angazhimin e tepërt të nxënësve me lëndë mësimore, me orë mësimore si dhe e arsimtarëve me aktivitete të ndryshme.
KOHA: Hipotetike: Mund të bëni ndryshime. Çfarë reforma do të kishit bërë në sistemin arsimor?
MURATI:Reforma e arsimit në Maqedoni është një sfidë moderne e vështirë dhe e vetmja shpresë që gjërat të marrin të mbarën. Esenca dhe tendenca e reformës arsimore është orientimi i arsimit drejt afirmimit të vlerave bashkëkohore, proceseve moderne, inovacioneve dhe braktisjen e vlerave të vjetruara, gjithmonë në emër të së ardhmes. Arsimi dhe shkolla të përshtatet me ndryshimet dhe arsimi të jetë i specializuar, të aftësoj individin për jetë e profesion. Korniza e reformës, mendoj se duhet të përfshij disa segmente e aspekte, ndër të cilat po i veçoj: ndërtim të sistemit arsimor stabil dhe konzistent, funksional me mision konkret e adaptibil me nevojat shoqërore, në qendër të sistemit të jetë nxënësi dhe kurrikula. Kurrikula është shtylla dhe baza e çdo reforme sepse nga kjo varet çka presim prej nxënësit, sa duhet të jetë i ngarkuar, çfarë lëndësh të mësohen e të ngjashme, mësimdhënia të mbështet në teknologji dhe metodologji bashkëkohore, në shkollë të kthehet edukata, të sigurohet cilësia në arsim si element që bën diferencimin e vlerës, institucionet arsimore të ndërtojnë kapacitete pune mbi bazë të dijes, të dimensionohet numri i universiteteve publike dhe private – ato të funksionojnë mbi bazë të vlerave dhe nevojave, të rishqyrtohen vlerësimet interne dhe eksterne si dhe ato ndërkombëtare, shkollimi i mesëm të profilizohet sipas nevojave të tregut të punës, të forcohet roli i Byrosë për zhvillimin e arsimit me kompetenca pedagogjike zhvillimore dhe të quhet Ent për zhvillimin e arsimit, Inspektorati arsimor të merret me problemet ligjore e administrative jo me ato pedagogjike të shkollës, të modernizohet sistemi i vlerësimit të diturive të nxënësve dhe të përdoren mjete motivuese, të ndërtohet një institucion që do të merret me hartimin e kurrikulave si element më i rëndësishëm arsimor,zhvillimi profesional i arsimtarit të ridimensionohet, pozita dhe statusi social – ekonomik i arsimtarëve dhe bashkëpunëtorëve profesional të ngrihet në nivelin e duhur e të merituar. Gjithashtu reforma duhet të zgjidh edhe një problem me shumë interes. Në fakt kemi ngecje të madhe lidhur me mësimin teorik që duhet më shumë të mbështetet me praktikë më të madhe, dhe ky raport duhet të jetë proporcional me nivelin e aftësive dhe shkathtësive që u nevojiten nxënësve, studentëve në jetën praktike.
KOHA: Si ka evoluar puna juaj deri sot kur keni krijuar një brend tashmë të njohur për të gjithë?
MURATI: Përveç sfidave në risi, kreativitet dhe krijimtari puna ime është shquar për sfida menaxheriale. Kam qenë gjithmonë i dhënë pas kushteve optimale të punës kudo që kam punuar, si profesor, zëvendës drejtor gjimnazi, drejtor i Entit pedagogjik, profesor universitar e të ngjashme. Gjithnjë jam angazhuar për standarde të larta dhe punë profesionale kompetente. Frymëzimi im më i madh është vetë jeta, fakti që jam gjallë. Jeta është intriguese për trurin tim. Idetë i përdori sipas dëshirës sepse ato e bëjnë trurin të motivuar maksimalisht. Krijimtarinë shkencore-profesionale e kam përdorë si mjet komunikimi dhe thyerje barrierash.
KOHA: Dhe për fund një pyetje më të përgjithshme. Kaosi shoqëror e politik në shoqërinë tonë, por jo vetëm, janë gjithnjë tema diskutimi, cili është, sipas mendimit tuaj, roli I intelektualit në këtë aspekt?
MURATI: Roli i intelektualit në ndërtimin e shoqërisë, politikës dhe paqes është çështje dhe obligim themelor i tij. Në këtë proces të ndërlikuar, ai ndeshet me shqetësimin e dekadencës morale te të gjitha profilet dhe shtresat e njerëzve si te ata mistike dhe laikë, pacifist dhe militaristë, konservatorë dhe progresistë, realist dhe ëndërrimtarë, vetmitarë dhe të shoqërueshëm, egoist dhe altruistë, ekzistencialistë dhe pragmatistë, optimist dhe pesimistë e të ngjashëm. Prandaj, intelektuali i vërtetë është në luftë të përhershme dhe, motivim për të qenë më mirë, për t’u ngjitur më lartë dhe për t’u ballafaquar me sfidat jetësore, ato shoqërore-politike dhe individuale. Ai, me pushtetin e dijes e kupton drejt zhvillimin e fenomeneve shoqërore dhe ligjshmëritë e zhvillimit. Si i tillë me sukses përballet me ndryshimet dhe tejkalimin e krizave shoqërore-politike me mjete e rrugë demokratike, pa dhunë e urrejtje. Intelektuali do ta luan rolin e tij të vërtetë nëse është objektiv, korrekt dhe i sinqertë, pa anime politike e partiake.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.