Nju-Jork, 25 maj – Shefat e diplomacive të Maqedonisë dhe të Greqisë, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Koxias sot në Nju-Jork i vazhduan negociatat për kontestin me emrin me ndërmjetësimin e ndërmjetësit të Kombeve të Bashkuara, Methju Nimic.
Takimi, siç është paralajmëruar filloi në orën 09:30 sipas kohës lokale të Nju-Jorkut apo në orën 15.30 sipas kohës së Maqedonisë, ndërsa pas përfundimit të raundit të sotëm pritet dikush apo të gjithë pjesëmarrësit në proces të japin deklarata për atë nëse është bërë ndonjë hap në negociatat.
Në prag të raundit të ri të bisedimeve për emrin, që filloi dje në orën 16:30 sipas kohës së Maqedonisë, Dimitrov dhe Koxias mbajtën takime të posaçme me sekretarin e përgjithshëm të KB-së, Antonio Guteresh ku u bisedua për ngjarjet e fundit nga bisedimet për tejkalimin e dallimit rreth emrit që po zhvillohen nën patronatin e Organizatës botërore.
“Me vizion dhe lidership të të dyja palëve kemi mundësi historike të mbyllim një kontest historik prej shumë dekadash”, porositi Dimitrov pas takimit me Guteresh.
Minsitri grek i Punëve të Jashtme Koxias, ndërkaq, pas takimit me sekretarin e përgjithshëm të KB-së, në prag të raundit të ri të sotëm të bisedimeve me kolegun e tij maqedonas dhe ndërmjetësin Nimic, deklaroi se pala tjetër duhet të tregojë pragmatizëm dhe realizëm për të gjetur zgjidhje.
I pyetur nëse nga Nimic pret të parashtrojë propozim sintetik nga e tërë ajo që e parashtruan të dyja palët, Koxias thotë se Greqia e ka bërë atë, por mbetet e hapur çështja me emrin.
“Nga Nimic e presim maturinë e tij gjatë negociatave”, thotë shefi i diplomacisë greke dhe sqaron se negociatat janë ndarë në dy pjesë, ato mes ministrave të jashtëm të cilët bisedojnë për çështje qendrore politike dhe mes grupeve teknike.
Kryeministri grek Aleksis Cipras, nga ana tjetër, sot nga Selaniku porositi se Greqia në negociata nuk shkon për të dhënë diçka.
“Nuk shkojmë ta japim emrin Maqedoni, siç pohojnë disa, shkojmë ta marrim mbrapa diçka që është dhënë para 70 vjetëve”, tha Cipras.
Cipras konsideron se emri pa përcaktim “i referohet botës antike greke dhe trashëgimisë së madhe kulturore të Maqedonisë greke”, ndërsa në bisedimet Athina synon që këtë ta kthejë mbrapa, diçka që sipas Ciprasit “nuk është e lehtë”.
Kryeministri grek shtoi se është koha që dy vendet të ekzistojnë bashkë, të bashkëpunojnë dhe të jetojnë në paqe në dobi të gjithë botës.
Takimi në Nju-Jork pason pas bisedimeve të kryeministrave të të dy vendeve Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras në margjina të Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Sofje në të cilat opsioni “Republika e Maqedonisë së Ilindenit” ishte ndarë si më i pranueshmi.
Pala e Maqedonisë para takimit në Nju-Jork deklaroi se mbetet në qëndrimin se ai është propozim i mirë për zgjidhje përfundimtare, përderisa pala greke e hodhi poshtë propozimin dhe theksoi se negociojnë në bazë të katër emrave nga pakoja e propozimeve të Nimicit.