Dilema ka të bëja me atë se edhe sa duhet të vazhdoi një apati e këtillë pa vërejtur prej askujt, në mënyrë që të ndodhë një pikë kthese e njerëzit ta ndryshojnë qasjen, të vërtetën ta shohin në sy dhe të ndryshojnë qëndrimet, në rend të parë ta ndryshojnë vetveten ndaj qëndrimeve të deritashme që kanë. Jo se pastaj do të jetë lehtë, por së paku do të bëhet një nismë përpjekje e ndryshimi
Nga Bajram SELMANI
Koha e ndryshimeve të mëdha rezultoi me krijimin e një strukture mentale, mënyrë të të menduarit, që për këto troje e për këto vite nuk ishte parë – zotimit për realizimin e interesit punë, jashtë aftësive e përgatitjes profesionale, duke keqpërdorë pozitë pushteti e duke komprometuar proceset përmirësuese të tij. Ndërkaq, shekulli i njëzet do të shënohet si shekull i sprovimit më të madh arsimorë-shkencor, kulturës përgjithësisht, por edhe i tejkalimit të sprovave të tjera, të vendeve me përballje ndryshimesh. Lëvizjet migruese të këtyre trojeve, kanë qenë karakteristike e përhershme, që gjithsesi ka imponuar këmbimin e gërshetimin e vlerave e përvojave të ndryshme jetësore të vendeve të ndryshme, për të përmirësuar standardin e të jetuarit. Një arritje e këtillë nënkuptonte, ndërmjet tjerash, zotësinë për përbrendësimin dhe vënien në praktik të këtyre të dhënave në njërën anë, e në tjetrën respektimin e kritereve dhe hierarkisë profesionale për vlerësimin e gjithë kësaj, e individët e përzgjedhur duhej kaluar përmes përzgjedhjes e hierarkisë profesionale për të marrë një thirrje a një titull profesioni të përkushtuar për këtë: thjesht, duhej poseduar kuantumi minimal dije për të marrë një dëshmi prej profesionisti, për të qenë pjesë e proceseve dhe sendërtimit të tyre. Pika më e lart u arit në pragun e ndryshimeve të mëdha, ndër këto hapësira shtetesh të shpërndara.
Në ndërkohë, dukët qartë se në disa vende në ndryshim e sipër; të ndryshimeve e zhvendosjeve të mëdha gjeopolitike, del në duke në mënyrë të dukshme diletantizmi, si zëvendësim i profesionalizmit e dinjitetit njerëzor, si tërësi e vlerave morale e vetëdije e njeriut për to e për të drejta të tij. Ndërsa sot, sheh gjithnjë e më shumë njerëz që merren me veprimtari shkencore, të artit, arsimit, e politike, pa pasur përgatitjen e veçantë që i nevojitet dhe, pa pasur njohuri të plota e të thella, nga fusha në të cilën e ushtron veprimtarin. Mjafton të përkasësh një partie politike, të jesh një ushtar pa tru dhe pa gojë deri në atë masë sa nuk e rrezikon lidershipin, përkatësisht, deri në atë masë sa të kërcënosh e rrezikosh jetën e dikujt, dhe do të jesh pjesë e strukturës dhe hierarkisë vendimmarrëse të strukturave në fjalë.
Shoqëritë me shkallë të ulët të organizimit por me anëtar me shkallë të lartë fanatizmi, në të cilat dominon vetëdija e ulët, ndërmjet tjerash edhe social politike, krijojnë hapësirë të mjaftueshme për të ardhur në shprehej diletantizmi e degradimi i vlerave, që u krijuan për një kohë të gjatë: si në nivelin e arritjeve të përgjithshme kulturë ashtu edhe të traditës. Gjithnjë, përkundër rritjes së nivelit të korrupsionit që i kalon të gjitha përmasat kohore, nëse mund të quhet të një kohë e nevojshme normale-stabile për zhvillimin e një shoqërie; të rënies së dinjitetit njerëzor: tanimë sheh rrallë njerëz dinjitoz e të përkushtuar ndaj punës e profesionit. Krijohet përshtypja e gabuar se të jesh i suksesshëm në jetë duhet të jesh pak i çmendur e pamëshirshëm në çmendurin. Shkathtësia matet me atë sa mund të jesh depërtues në çështje krimi, sa mund të jesh depërtues në çështjen e strukturave vendimmarrëse partiake, e sa mund ti korruptosh e komprometosh proceset e çështjet e ndjeshme të shoqërisë e shtetit duke zbatuar presion korrupsioni. Dilema ka të bëja me atë se edhe sa duhet të vazhdoi një apati e këtillë pa vërejtur prej askujt, në mënyrë që të ndodhë një pikë kthese e njerëzit ta ndryshojnë qasjen, të vërtetën ta shohin në sy dhe të ndryshojnë qëndrimet, në rend të parë ta ndryshojnë vetveten ndaj qëndrimeve të deritashme që kanë. Jo se pastaj do të jetë lehtë, por së paku do të bëhet një nismë përpjekje e ndryshimi. (koha.mk)