Driton ZENKU
Gostivar, 3 dhjetor – Statistikat nga Organizata komunale e Kryqit të Kuq në Gostivar, flasin se trendi i dhurimit të gjakuat nga ana e popullatës vendase shënon rritje nga viti në vit, shkruan gazeta KOHA. Nga atje shprehet që dhurimi i gjakut, tashmë nuk paraqet një temë tabu për qytetarët e Gostivarit. Sa për krahasim, nga kjo qendër paraqesin të dhënat për numrin e dhuruesve të gjakut në pesë vitet e fundit. “Tani kemi një situatë krejtësisht të këndshme. Për shembull, në vitin 2011 grumbulluam 1350 njësi gjaku, në vitin 2012 mblodhëm 1410 njësi gjaku. Vitin vijues 50 njësi gjaku më tepër. Vitet më të kënaqshme janë vitet 2014 dhe 2015. Në vitin 2014 patëm 1510 njësi gjaku dhe në vitin 2015 po ashtu 1560 njësi gjaku, viti 2016 do të jetë ende më i favorshëm në këtë drejtim. Kur i kemi para sysh këto të dhëna, shohim se rritja nga viti në vit është në vazhdimësi dhe kemi rritje mesatare për 50 persona brenda një viti kalendarik”, thotë për gazetën KOHA,Merita Alili nga Kryqi i Kuq në Gostivar. Shkaku i rritjes së njësive të gjakut, thotë Alili, para së gjithash është rritja e vetëdijes te të rinjtë për të dhuruar gjak. Para disa vitesh, drejtuesit e Kryqit të Kuq në Gostivar, ishin drejtuar për ndihmë te klerikët fetar, me qëllim që t’u përcillet besimtarëve rëndësia e dhurimit të gjakut. Duket që kjo qasje, ka pasur efekt pozitiv në drejtim të vetëdijesimit të popullatës për të dhuruar gjak. Frymë pozitive solli edhe aktivizimi i të rinjve vullnetarë, të cilët përmes shumë projekteve tërhoqën vëmendjen e opinionit. “Në përputhje të planit tonë të cilën plotësisht e realizojmë, derisa plani Republikan parasheh 3240 njësi të gjakut në nivel vjetorë dhe 3% të numrit të popullatës, në Gostivar, Vrapçisht dhe Mavrovë e Rostushë është e realizuar 47% gjatë vitit 2015. Mendojmë se ky numër nuk është real, për shkak se në Gostivar dhe rrethinë, një numër i madh i qytetarëve jetojnë jashtë vendit. Do të thotë kemi përqindja më të lartë të popullatës së regjistruar, ndërsa numri i popullatës rezidente na rezulton më i vogël. Duhet theksuar se deri tash kemi realizuar rreth 500 njësi gjaku dhe besojmë që deri në fund të vitit të kemi realizimin më të madh se vitet e kaluara, sepse në pjesën e dytë të vitit do të kemi më shumë aksione për grumbullimin e gjakut”, shprehet Alilu. Dhurimi i gjakut mund të konsiderohet ndër aktivitetet më humane që mund të bëj njeriu në jetën e tij. “Të dhurosh gjak do të thotë të japësh shpresë, të shpëtosh jetë. Në çdo rast emergjence, gjaku është i patjetërsueshëm, ndërkohë asnjë lloj mjekimi nuk mund të zëvendësojë transfuzionin e këtij lëngu jetik i cili nuk prodhohet në laborator, por vetëm dhurohet. Për të sensibilizuar të rinjtë mbi dobitë e personit të që dhuron gjak dhe atij që pranon, përfaqësues kësaj organizate, kanë realizuar disa aktivitete dhe kanë ndarë broshura dhe materiale të tjera me informata të rëndësishme mbi këto aktivitete”, vijoi Merita Alili nga Kryqi i Kuq në Gostivar. Në ditët e sotme gjaku konsiderohet si ilaç themelor në “botën spitalore”, i cili nuk ka analog. Dhurimi i gjakut mund të shpëtojë jetë, andaj drejtuesit e Kryqit të Kuq në Gostivar apelojnë deri te qytetarët që t’i përgjigjen pozitivisht apelit për dhurim të gjakut. “I bëjmë thirrje popullatës, veçanërisht pjesës rinore mbi moshën tetëmbëdhjetëvjeçare që t’i përgjigjen këtij apeli në nivel pozitiv dhe të drejtohen në qendër tonë të dhurojnë gjak”, apelon Hoda. Në bazë të numrit të banorëve, Gostivari tani radhitet ndër qytetet e para në Maqedoni në aspekt pozitiv për sa i përket dhurimit vullnetarë të gjakut. Rritja e dinamikës së punës në organizatën e Kryqit të Kuq në Gostivar, nuk kaloi pa u vërejtur nga niveli qendror. Në kuadër të programit Kryqi i Kuq në Aksion – promovimi i vlerave humane, organizata e Kryqit të Kuq në Gostivar është përzgjedhur si organizatë kampion në nivel republikan për vitin 2016.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.