Sevdail DEMIRI, Nju Jork-Shkup
Shtrirja kohore e historisë së shqiptarëve të Amerikës nuk është aq e gjatë, se është namëmadhe veprimtaria e tyre. Kronikanët kanë evidentuar se brigjet e Atlantikut së pari i kanë kaluar arbëreshët e Italisë në vitet e 1850-të, ndërsa këmba e shqiptarit të parë ka shkelur në Amerikë në vitin 1876. Brenda kësaj periudhe, shqiptarët bëhen emra të njohur të biznesit, politikës, artit e kulturës amerikane, duke arritur majat e suksesit në qendrën e lirisë, barazisë dhe demokracisë botërore. Në saje të veprimtarisë së tyre të gjerë lobuese, ndryshoi rrënjësisht qasja e perëndimorëve ndaj shqiptarëve, që rezultoi me çlirimin e plotë të Kosovës nga Serbia dhe përgjithësisht me progresin e shqiptarëve në trojet e tyre etnike. Një vizitë pune dhjetëditore në mesin e muajit maj 2017 në Nju Jork, na mundësoi që sadopak të prekim një pjesë të realitetit shqiptaro-amerikan. “Gjaku i shprishur” për të cilin shkruante De Rada dikur, vazhdonte mbijetesën gjithandej Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me shumë storje suksesi.
EKSPOZITA “RRUGËTIMI” NË NJU JORK
Megjithatë, udhëtimi i gjatë nga Shkupi në Selanik, e më tej nga Stambolli drejt Nju Jorkut, nuk na e zvetënoi kureshtjen për t’iu qasur me plot përkushtim obligimeve që na pritnin në kryeqendrën e madhe të botës. Ekspozitën dhe librin dokumentar që do të promovonim të nesërmen, e bëmë gati menjëherë, pa asnjë minutë pushim! Dëshironim që të kemi sa më tepër kohë për ta shijuar Nju Jorkun, dhe për t’i takuar njerëzit e gjuhës dhe gjakut tonë. Pasditen e 8 majit, në Gallery MC në Manhatan të NYC, erdhën një numër i madh i mysafirëve dhe miqve të ftuar. Fjalën kryesore e pati drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, dr.Skender Asani. Shumica e mysafirëve kishin udhëtuar me qindra kilometra për të marrë pjesë në hapjen e ekspozitës me dokumente që flisnin për shpëtimin e hebrenjve nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kishte mjaft dokumente që po shfaqeshin për herë të parë para opinionit, prandaj intriguese ishin sidomos historitë e shqiptarëve nga trojet e Maqedonisë, kontributi i të cilëve deri më tani ka qenë gati se krejtësisht i panjohur. Pa dyshim, ishte ky një rast i mirë për të bashkëbiseduar më gjatë me shumë diplomatë e veprimtarë shqiptarë në Amerikë. Aty takojmë ambasadoren shqiptare në OKB, znj. Besiana I. Kadare, kryetarin e Akademisë Shqiptare-Amerikane, dr.Skender Kodra, aktorin e njohur Xhevat Limani, studiuesin e folklorit Bexhet Asani, gazetarin Qazim Doda, shkrimtaren Sabije Dervishi-Veseli, etj. Të gjithë interesohen për gjendjen e shqiptarëve në Maqedoni, dhe brengosen për faktin se nga vendlindja shpeshherë marrin lajme të zeza, se sa inkurajuese! Ditëve në vijim patëm më tepër kohë për të vizituar Nju Jorkun, këtë qendër të madhe botërore të tregtisë, diplomacisë, kulturës dhe civilizimit perëndimor, simbol i lirisë dhe demokracisë. Nga të gjitha qarqet e Nju Jorkut, dallohej Manhatani, si një “xhungël urbane”, me ato rrokaqiej gjigantë, ku 24 orë pandërprerë qarkullonin miliona njerëz nga të gjitha racat, kombet dhe fetë e botës, dhe ku gjithçka funksiononte në mënyrë perfekte.
“Times Square”, “Statue of Liberty”, “Central Park”, “Empire State Building”, “Wall Street”, janë disa nga pikat më atraktive turistike, me plot kuriozitete, ku brenda ditës mund t’i dëgjosh mbi 800 gjuhë të botës. Këtu gjenden edhe shumë muze interesante, me frekuentim të jashtëzakonshëm, ku me orë duhej të pritej rend për vizitë. Veç këtyre, natyrisht që takimet me njerëzit tanë, ishin më mbresëlënëse.
ME DIBRANIN YLBER PYLKU
Familja dibrane Pylku është pjesë e historisë së guximshme shqiptare, që lidhet me shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Emrat e Nijazi dhe Liza Pilkut janë të gdhendur në murin përkujtimor në Jad Vashem, dhe janë dekoruar me një sërë medaljes për kontributin e tyre në shpëtimin e familjes së Johana Juta Nojman. Nijazi Pilku, ky altruist i madh, ishte pushkatuar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës në vitin 1945. Një mbrëmje takojmë Ylberin me zonjën e tij, dhe Ervinin, me të cilët qëndrojmë deri vonë në një lokal të një shqiptari nga Ulqini. Më pas vizitojmë shtëpinë e Ylberit, të rregulluar së fundi për mrekulli. Gati gjithë katin e sipërm të shtëpisë e kishte shndërruar në një mini-muze kombëtar, ku spikaste në disa variante figura e kryeheroit Skënderbe, dhe shqiponja dykrenore. Ylber Pilku është një biznesmen i suksesshëm, dhe veprimtar i njohur i çështjes shqiptare, të cilën e kishte ndihmuar pa kursyer në momentet më të nevojshme. Edhe tani është jetësisht i interesuar sidomos për zhvillimin e vendlindjes së tij, Dibrës, si një parakusht për ndaljen e migracioit të hovshëm të rinisë drejt perëndimit. Vazhdimisht e thekson një emër, tek i cili ka shumë shpresa se mund ta ecë Dibrën përpara, dr.Kastriot Haxhirexha.
ME VEHBI BAJRAMIN, BOTUES I GAZETËS “ILLYRIA”
Drejt Nju Jorkut isha nisur me merakun nëse do ta takoja një njeri të veçantë, me të cilin na lidhte origjina e përbashkët. Vehbi Bajrami – një emër i njohur në qarqet kulturore dhe diplomatike të diasporës shqiptare në Amerikë. Në SHBA kishte emigruar që në vitin 1990, si student i dalluar i Universitetit të Prishtinës, kryeredaktor i gazetës “Bota e re”, kur Serbia kishte filluar të ngulfaste çdo shpresë të rinisë shqiptare. Me karadakliun e Nju Jorkut, na lidh përmes telefonit dibrani Pilku. Takimin e lamë të nesërmen në mbrëmje… Gjerë e gjatë kemi folur për rrënjët, historinë, letërsinë e gazetarinë, për të shkuarën dhe të ardhmen tonë. Thoshte se realisht shqiptarët asnjëherë nuk kanë qenë më mirë se sot, por që duhet vetë më shumë të punojnë për t’u faktorizuar në nivel ndërkombëtar. Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, është një proces i natyrshëm dhe i pandalshëm, i cili do të ndodhë në një të ardhme jo të largët, për shkaqe praktike, ekonomike dhe politike. Vehbi Bajrami është botues i gazetës së njohur “Illyria” në Nju Jork, dhe autor i librit enciklopedik, më gjithpërfshirës për historinë e shqiptarëve të diasporës amerikane, me titull “Shqiptarët e Amerikës”. Në parathënien e tij, gjeniu i letrave shqipe, Ismail Kadare, e quan “libër total” për mërgatën shqiptare të Amerikës. E pyes se cili nga shqiptarët e ka vënë në lëvizje më së shumti politikën amerikane për lirinë e Kosovës dhe shqiptarëve. Thotë, mbajeni mend një emër të madh: Xhim (Xhemail) Xhema nga Medvegja!
NË QKSHA – RIVERDAL TË NJU XHERSIT
Një ditë e agjendës sonë parashihte vizitë në Qendrën Kulturore Shqiptare-Amerikane në Riverdal të Nju Xhersit. Rreth asaj qendre ishin koncentruar sidomos struganët, të cilët ishin komunitet shumë i madh, e që llogariteshin në rreth 15.000. Në qendër ende kryheshin punime, derisa ishin bërë gati disa klasë ku mësohej gjuha shqipe dhe mësim-besimi islam, një sallë e madhe për ahengje, dhe një sallë tjetër po bëhej gati për faltore (xhami). Më herët, derisa ndodhej në objektin e vjetër në Paterson, kjo Qendër kishte qenë bazë e veprimtarisë atdhetare të Fondit “Vendlindja Thërret”, nga ku ishin derdhur shumë ndihma për Kosovën.
I pari në pret aktivisti me origjinë nga Hotla e Kumanovës, Esat Ahmeti… Në sallë takojmë kryetarin e shoqatës, struganin Zulfi Ala, i cili e hapë takimin. Skenderi dhe unë flasim për projektin e fundit, për punën e Institutit dhe bashkë me dhjetëra bashkatdhetarë, këmbejmë mendime lidhur me zhvillimet e fundit kulturore, shkencore e shoqërore në Maqedoni. Në bisedë kyçen edhe Bexhet Asani, Bajram Doka, Esad Rizai, Sakip Veliu, Sabije Dervishi-Veseli, Urim Shabani, Lirim Kaba e të tjerë. Shumica janë të shqetësuar me zhvillimet e fundit në Maqedoni, sidomos pas dhunës brutale në Kuvendin e Maqedonisë, ku më së shumti pësoi strugani Ziadin Sela. Kësaj qendre i dhuruam një pjesë të konsiderueshme të botimeve të reja të Institutit, duke i inkurajuar që përmes arsimimit dhe kulturës, sa më tepër të kultivojnë te gjeneratat e reja dashurinë ndaj gjuhës dhe Atdheut.
LARG “XHUNGLËS URBANE”, NË POKONOS TE ESAT AHMETI
Esat Ahmeti është aktivist i njohur i diasporës shqiptare në Amerikë, pjesëmarrës në të gjitha ngjarjet e lidhura me përpjekjet për lirinë e Kosovës dhe viseve tjera shqiptare në Ballkan. Edhe sot e kësaj dite nuk e ka humbur aspak elanin për të punuar vullnetarisht në të mirë të komunitetit. Gjyshi i tij, nga i cili e trashëgon emrin, Esat Ahmeti, ka rënë dëshmorë duke luftuar për Shqipërinë, në krah të Sulë Hotës, në mbarim të Luftës së Dytë Botërore. Prandaj, Esati vazhdon t’i kultivojë me përkushtim ato ndjenja atdhetare, të cilat mundohet t’i përcjell edhe te brezi i ri. Vizituam “katundin” dhe shtëpinë e Esatit, që ndodheshin në Ist Strodburg, aty ku niste shtrirjen e mahnitshme Pokonosi, një vend i jashtëzakonshëm në hyrje të Pensilvanisë, me shumë lumenj e liqe të mrekullueshëm. Meqë ndodhej në periferi të Nju Jorkut, larg zhurmës dhe jetës dinamike mondane, shumica e elitës njujorkeze, aty kishin ndërtuar shtëpi dhe vila luksoze. Duke e pasur mendjen vazhdimisht në Atdhe, Esati ka dëshirë që shumë vende të atij rajoni t’i identifikojë me emrat e trojeve shqiptare, si Hotla, Malet e Karadakut, Gryka e Kaçanikut, etj. Esati bëhet shkak që pas shumë viteve ta takoj edhe shokun e lagjes time në Kumanovë, Idaver Nebija, me të cilin kaluam një mbrëmje shumë të këndshme, duke hapur shumë tema nga përditshmëria jonë.
“PARAJSA” AMERIKANE
Thuhej se kur për herë të parë shqiptarët e kishin shkelur tokën amerikane, para një shekulli e gjysmë, dhe më pas kur ishin kthyer në pushime, në baltën e vendlindjes, duke mos ditur se si t’ua shpjegonin më lehtë bashkëfshatarëve, u kishin rrëfyer se kishin qenë në ‘parajsë’! Asokohe, vetëm parajsën mund ta paramendonin si një vend ku gjithçka funksionon në harmoni, ku ka jetë të pasur, lulishte dhe rregull kudo. Sot mbase ky shpjegim për Amerikën, nuk vlen për brezin e atyre që këtu po rriten me kompujterë e smartfonë. Por, ama Ballkani ende mbetet shumë larg Amerikës! Prandaj, edhe definicioni tjetër proverbial për Amerikën: “HA-MER-IK”, është treguar i parealizueshëm, meqë të gjithë ata që njëherë kanë pasur mundësi të hanë bukën e Amerikës, zor se kanë “ikur” më prej atje! Mbase dhe kanë bërë mirë, meqë pa kontributin e tyre, kombi s’do mund të shpaloste faqe të re të historisë me storje suksesi!