Omer XHAFERI
Shkup, 28 prill – Vazhdimi i seancës gjyqësore për rastin e Kumanovës, e cila ishte e paraparë që të mbahet ditën e enjte, është prolonguar me kërkesën e palës mbrojtës nga njëra anë dhe Prokurorisë nga ana tjetër. Duke e arsyetuar mosmbajtjen e kësaj seance gjyqësore, avokati Naser Raufi, për gazetën KOHA ka deklaruar se koordinimi me avokatët tjerë, në këtë rast për atë se cilët dëshmitarë duhet të thirren në procedurën e mëtejme gjyqësore, ka qenë shkaku kryesor pse nuk ka vazhduar të enjten procesi gjyqësor kundër 37 të akuzuarve në “Lagjen e Trimave”. “Takimi i sotëm (v.j e enjte)me kolegët tjerë që janë të angazhuar në rastin gjyqësore për ngjarjet e ‘Kumanovës’ u zhvillua në drejtim të koordinimit dhe harmonizimit, respektivisht përgatitjes së një liste të përbashkët të dëshmitarëve nga ‘jashtë’ të cilët ne e kemi parë të arsyeshme se mund të ndikojnë në rrjedhën e mëtutjeshme të këtij procesi të rëndësishëm gjyqësor. Krahas listës me emra të politikave dhe funksionarëve të lartë, për të cilët ende jemi duke diskutuar se kush duhet të përfshihet në plotësimin e procedurës për dëshmi shtesë, në këtë fazë të procesit gjyqësor ne do të thërrasim edhe personat ekspertë, prej të cilëve do të kërkojmë të konstatojmë pse bisedat telefonike të prezantuara si dëshmi kundër të akuzuarve ishin të ndërprera. Po ashtu, detyrë e personave ekspert do të jetë edhe komentimi i obduksioneve, gjegjësisht dhënia e përgjigjeve konkrete për kohën se kur janë vrarë anëtarët e grupit, vendin, largësinë e kështu me radhë”, tha avokati Raufi. Meqë seancën e radhës për këtë rast Gjykata Penale e Shkupit e ka caktuar për me datë 5 maj, sipas qëndrimit të palës mbrojtëse, lista përfundimtare me dëshmitarë e cila do t’i dorëzohet trupit gjykues në krye me gjykatësen Verka Petrovska, do të përgatitet më 3 maj. Ndërkohë, plotësim të procedurës për dëshmi kanë paralajmëruar dhe nga Prokuroria Publike, mirëpo ende nuk dihet se çka do të përmbajnë dëshmitë nga ana e tyre. Në bazë të dispozitave nga Ligjit për procedurë penale (LPP), trupi gjykues i cili udhëheq me një lëndë të kësaj natyre lejohet që ta refuzojë listën me dëshmitar shtesë, por kjo mund të ndodhë vetëm atëherë kur mungon arsyetimi i shëndoshë se pse një person i caktuar duhet të dëshmojë. “Ne nuk presim që gjykatësja e rastit Verka Petrovska të na e refuzoj listën me dëshmitarë shtesë. Këtë e them nga fakti se për të gjithë persona që synojmë t’i thërrasim si dëshmitarë, ekzistojnë indikacione dhe deklarata nga vetë të akuzuarit të cilët thonë se kanë pasur lidhje me ngjarjet që ndodhën gjatë muajit prill dhe maj të vitit 2015 në rajonin e Kumanovës”, theksoi avokati Raufi. Ndryshe, gjatë pesë muajve të kaluar në procesin gjyqësor për “Lagjen e Trimave” kanë dëshmuar pothuajse të gjithë të akuzuarit, me përjashtim të Rufki Doganit e Musadik Pajazitit. Duke treguar motivet për sulmin në karakollin e Gushincës dhe më pas ardhjen e tyre në “Lagjen e Trimave”, shumica e të akuzuarve kanë thënë se qëllimi i tyre ishte implementimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit. Ndërkohë, në disa raste një pjesë e tyre deklaruan se qëllimi i ardhjes në Maqedoni ka qenë për shkaqe ideale dhe bashkimit kombëtare, respektivisht prezenca e tyre në Kumanovë, ka qenë me ftesë të dikujt nga brenda këtij shteti, megjithatë asnjëri prej tyre për asnjë çast nuk tregoi se kush janë ata persona (funksionar, politikan të lartë shtetëror) që i kanë ftuar të vijnë në Maqedoni.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara