Deputetja Liljana Zaturovksa, diskutuesja e shtata me radhë nga 50 sa janë paraqitur për fjalë nga deputetët e VMRO, të enjten përveç që kritikoi Platformën e partive politike shqiptare, nuk la pa përmendur as himnin shqiptar. “Pse në himnin e Shqipërisë nuk ka tekst që reflekton karakterin multietnik të shtetit?, ka pyetur ajo. Në lidhje me deklaratën e partive shqiptare Zaturovska tha se ajo do ta shkatërrojë Maqedoninë. “ Kjo platformë do ta shkatërrojë Maqedoninë. Qytetarët duhet të jenë të njëjtë e jo të ngritet vetëm një etnitet që jeton në Republikën e Maqedonisë”, deklaroi Liljana Zaturovska nga VMRO. Nga deputetët e LSDM-së as të enjten nuk pati fjalime, gjegjësisht procdurale dhe replika ndaj deputetëve të VMRO-së. Ajo që ra në sy ishin kundërshtimet mes vetë deputetëve të VMRO-së, kur kryesuesi Trajko Veljanovski ia fiku mikrofonin deputetit nga partia e tij, Nikolla Micevski. Ndaj këtij gjesti reagoi deputeti Ilija Dimovski duke akuzuar Veljanovskin se nuk respekton rregulloren. “Nëse nuk ju pëlqen që unë udhëheq me seancën, ejani ju në karrigen time”, kështu i ka thënë kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendin të Maqedonisë, Trajko Veljanoski deputetit të VMRO-DPMNE-së Ilija Dimovski. Nga deputetë shqiptar folën Syrja Rashdi nga Aleanca për shqiptarët dhe Fadil Zendeli nga BESA. “Gjuha shqipe nuk e cenon gjuhën maqedonase. Për ju interes strategjik nuk është Maqedonia dhe qytetarët e saj. Për ju interes strategjik është lideri juaj dhe kushëriri i tij”,deklaroi Syrja Rashidi. Ndërkaq Fadil Zendeli tha se zgjedhjet e reja nuk janë zgjidhja më e mirë. Në lidhje me protestuesit kundër Platformës shqiptare, Zendeli tha se aty nuk ka njerëz nga komunitetet tjera. “I përmendët zgjedhjet dhe Deklaratën e partive shqiptare. Zgjedhjet nuk janë zgjidhje. Komunikimi i institucioneve në Maqedoni dhe Shqipëri do të vazhdojë edhe pas kësaj krize. Deputetët e VMRO-DPMNE-së flasin për protestat, i respektoj protestuesit, por më tregoni a janë të gjithë aty jashtë për të protestuar? Shqiptarë, maqedonas, turq dhe etnitë tjera, a janë në protesta?” pyeti Zendeli. Ai bëri thirrje që mos të keqpërdoret Deklarata e partive shqiptare për qëllime politike.