Trajneri i Manchester United, Jose Mourinho, tha se lajmi fillestar për lëndimet e Zlatan Ibrahimoviç dhe Marcos Rojo është mjaft negativ. Dy futbollistët në fjalë pësuan probleme në gjunjë, ndërsa Manchester United shënoi në gjysmëfinale të “Europa League”, duke marrë fitoren 2-1 në kohën shtesë, në shtëpi, ndaj Anderlecht. Por, suksesi i përgjithshëm 3-2 erdhi me një çmim të shtrenjtë, me Ibrahimovic dhe Rojo të dëmtuar, që e lanë fushën të detyruar.“Personalisht nuk mendoj se janë lëndime të lehta, por preferoj të pres derisa të gjitha testet mjekësore të jenë bërë. Pastaj të flasim. Nuk mund ta bëj, sepse jam trajner dhe jo mjek, – tha Mourinho për “BT Sport”. – Por, lajmi është mjaft negativ, mendoj unë.” Henrikh Mkhitaryan e hapi rezultatin për Manchester United, ashtu siç bëri në Belgjikë, por goli i tij u barazua nga Sofiane Hanni. U desh të vinte minuta e 107-të, që “djajtë e kuq” të siguronin fitoren e tyre nëpërmjet Marcus Rashford.
Lidhur me këtë të fundit, Jose Mourinho do të shprehej: “Ju flisni për cilësitë e tij, që janë fantastike, por edhe mentalisht, Marcus është i shkëlqyeshëm. Ai nuk kishte shënuar që nga shtatori, por disa lojtarë nuk e kuptojnë atë që dua unë si trajner. Marcus besoj se është kthjelluar tashmë se çfarë duhet të bëjë. Nuk ka rëndësi nëse ai nuk shënon, ai është fantastik nëse përpiqet maksimalisht në stërvitje dhe në ndeshje zyrtare”.