Sonte në Qendrën Informative Kulturore – Salloni 19:19, në Shkup (në ora 19) do të mbahet promovimi i librit “Pasthënie e ditëve tona” nga Delvina Kërluku. Librin do ta promovojë Adelina Marku, ndërsa pjesë nga libri do të lexojë aktorja Teuta Ajdini Jegeni. Dorëshkrimi me tregime “Pasthënia e ditëve tona” të autores Delvina Kërluku, është libri i parë i autores, e cila deri tani ka qenë e njohur me poezinë e saj të përfshirë në pesë vëllime: Muza, Altar, Gjurmë, Varg Vese, Fjordet e Vetmisë, poezi kjo e cila është mirëpritur nga lexuesi dhe kritika letrare. Dëshmi për këtë janë edhe çmimet e marra në disa festivale, por edhe nga asociacione krijuesish, siç është rasti me Çmimin “Ura letrare”, të cilin çmim autorja e talentuar e mori për librin “Fjordet e vetmisë”, duke u shpallur si libri më i mirë i botuar nga një autor i bashkësive jo maqedonase në Republikën e Maqedonisë. Por, ja që muzat kësaj radhe kanë braktisur parajsën poetike dhe janë postuar tek kopshti i prozës së shkurtë – tregimi. Të njëzet tregimet e librit janë shkruar me një stil të lehtë, pa sforcime. Fjalia rrjedh në mënyrë të natyrshme duke shpalosur të plotë dhe të qartë porosinë dhe idenë e autores. Ndër tregimet më të realizuar mund të përmendim: “Njeriu prej bjeshke”, “Burimi i Harmonisë”, “Ajo mbeti enigmë”, “Ninulla e lirisë”, Rrëfimi i shtegtarit”, Kohë e ligë për njerëzinë”, “Kutia me fjongo të kuqe”, Kutia me hirin e nënës” etj. Delvina Kërluku lindi në Dibër. Ka qenë ligjëruese në USHT, degët e dispersuara në Shkup. Kryetarja e parë e Shoqatës “Josif Bageri”. Ёshtё anëtare e Shoqatёs sё Shkrimtarёve tё Maqedonisё dhe Lidhjes sё Shkrimtarёve Shqiptarё nё Maqedoni. Jeton dhe vepron në Shkup.