Nga Peter MASS
Gjatë adresimit të tij inaugurues, Donald Trump paraqiti retorikë që ishte e njohur për këdo që ka kaluar kohë në Ballkan gjatë viteve të ’90-ta. “Kurrë më nuk do të injoroheni”, bubulloi Trump, me Kongresin si përkrahje. Ai u zgjerua mbi idenë disa ditë më vonë, gjatë një vizite në Departamentin e Sigurisë Kombëtare, ku tha, “Të gjithë ju që vuani atje, jua përsëris këto fjalë, ju dëgjojmë, dhe kurrë më, asnjëherë, nuk do të injoroheni”.
Porosia e Trumpit ishte një variacion, i drejtuar kah zona e tij që në masë të madhe është e bardhë, i retorikës ju-kurrë-nuk-do-të-rriheni-më e përdorur me efekt malinj nga Sllobodan Millosheviq gjatë rënies së Jugosllavisë. Natyrisht se Trump nuk është Millosheviq dhe SHBA-të nuk janë Jugosllavi, por jehona mes këtyre modeleve të paturpësisë kombëtare zbulon metodat themelore dhe dobësitë e asaj çfarë Trump po provon të nxjerrë. Më 1987, Millosheviqi u dërgua në Kosovë për të zbutur serbët e zemëruar të cilët ndjeheshin të kërcënuar nga shqiptarët që dominonin provincën. Një komunist i profilit të ulët atë kohë, Millosheviqi vizitoi një zyrë komunale dhe foli para një turme serbësh të pakënaqur që ishin mbledhur jashtë. Millosheviq ishte i pasigurt derisa po u drejtohej atyre, por gjithçka ndryshoi kur shpërfaqi porosinë nacionaliste që nuk e kishin dëgjuar më parë: “Askush nuk do të lejohet që t’i rrahë më serbët, askush”, ka thënë ai.
Turma nisi ta thërriste emrin e tij. Edhe pse qëndroi i ftohtë (ai pothuajse nuk kishte fare karizëm), ishte një moment vendimtar në të cilin ai e kuptoi dobinë që i sillte politika kur ai merrej me dëshpërimin e serbëve që ndjeheshin të lënë anash nga grupet e identiteteve tjera në Jugosllavi. Kur Millosheviq u kthye në Beograd, ai mori timonin e nacionalizmit serb dhe hoqi nga pozita këshilltarin e tij jo-energjik, Ivan Stamboliq. Ai nxiti edhe republikat tjera të ndaheshin nga Jugosllavia, dhe kjo çoi në lufta e në krime lufte. Millosheviq krijoi realitetin e tij. Asnjëherë nuk e kam intervistuar Trumpin, por kam një kujtesë të paharrueshme të asaj se si ndjehesh të qëndrosh i ulur në një dhomë me pushtetin absolut në duar. Isha një prej gazetarëve amerikanë me të cilët foli Millosheviqi para se të rrëzohej nga pushteti dhe të ekstradohej në Tribunalin e Hagës, ku vdiq nga një sulm në zemër më 2006.
E vizitova Millosheviqin në një ditë të mirë pranvere kur ai ishte në kulmin e pushtetit. Zyra e tij ishte në qendër të Beogradit në një ish-pallat me arkitekturë austro-hungareze. Rojet më kërkuar që të kaloja përmes një detektori të metaleve që ushtoi zhurmshëm, duke bërë që njëri nga rojat të më pyeste me një të qeshur: “A ke ndonjë armë?”. Më bëri me shenjë që të kaloja tutje. Një grua më pas më çoi përmes korridoreve të zbrazëta në një dhomë pritjeje. Ulu këtu, më tha. Ajo u kthye pas një minute dhe hapi një palë dyer të dyfishta që kishin një varg të gjatë të dritareve që lejonin depërtimin e rrezeve të diellit. Zyra ishte e zbrazët përpos Sllobodan Millosheviqit, i cili po qëndronte pranë dritareve. Fjalët e tij të para ishin: “Përse shkruani gënjeshtra për vendin tim?”. Tani e kuptoj se këto fjalë mund të dalin edhe nga goja e Trumpit, apo nga llogaria e tij në Twitter, kur ai të flet për organizatat mediale të cilat ai nuk i pëlqen, që parimisht i bie të jenë shumica e tyre. Millosheviq po gënjente paturpshëm për të vërtetat e dukshme. “Ne akuzohemi për një politikë nacionaliste, por unë nuk besoj se politika jonë është nacionaliste”, tha ai. “Nëse nuk kemi barazi nacionale dhe barazi të njerëzve, ne nuk mund të jemi, si të them, vend i civilizuar dhe prosperues në të ardhmen”. Derisa flisnim, forcat ushtarake të cilat ai i kishte organizuar, po vazhdonin të shkatërronin Bosnjën, po e rrethonin Sarajevën dhe qytetet tjera të mëdha me shtetrrethime të stilit mesjetar.
Qëndruam të ulur për 90 minuta, me askënd tjetër në dhomë. Ndonëse nuk e kishte mburrjen e Trumpit, Millosheviqi ishte një folës i qetë dhe i kontrolluar, me shfaqje të herëpashershme të zemërimit që më shumë ishin taktike, sesa impulsive – ishte mjeshtër i fakteve alternative, madje edhe në fytyrë të dikujt që e dinte se ishin gënjeshtra, sepse unë kisha raportuar nga Bosnja për krimet e kryera nga forcat ushtarake nën kontrollin e tij. Kur më vonë shkrova një libër për gjithë këtë, e përshkrova marrëdhënien e Millosheviqit me të vërtetën në një mënyrë që tani e kuptoj se i përshtatet edhe Trumpit.
Do të kisha më shumë fat nëse do të provoja ta godisja hologramin. Millosheviqi ekzistonte në një dimension tjetër, në një zonë muzgu gënjeshtrash, e unë po merresha me dimensionin e fakteve. Ai e kishte kaluar tërë jetën e tij në botën komunizmit, dhe ishte bërë mjeshtër, një mjeshtër i vërtetë, i fabrikimeve. Natyrisht se goditjet e mia verbale thjeshtë depërtonin përmes tij. Ishte sikur të drejtoja gishtin drejt një muri të zi e ta pyesja Millosheviqin se çfarë ngjyre ishte. I bardhë, thotë ai. Jo, përgjigjesha unë, shikoje, muri është aty, është i zi, është pak metra larg nesh. E shikon atë, më pas mua, dhe thotë, Muri është i bardhë, miku im, ndoshta duhet të kontrollohesh tek mjeku i syve. Ai nuk bërtet nga zemërimi. Ai shfaqet i shqetësuar për shikimin tim. E dija se muri ishte i zi. E shihja murin. E kisha prekur murin. I kisha parë punëtorët teksa e kishin ngjyrosur atë. Krahasimet mes liderëve politikë pak kanë dobi, sepse s’ka si i gjeni dy të njëjtë – ta kujtojnë fjalinë e Tolstoit për familjet e palumtura, se secila prej tyre është e palumtur në mënyrën e vet. Millosheviqi shumë i mençur, i disiplinuar, dhe nuk ishte narcisist siç është Trumpi. Ai nuk kishte pasur nuk takime publike, fytyra e tij nuk shfaqej gjithandej mediave serbe, dhe shumicën e mbrëmjeve e kalonte në shtëpi me gruan e tij, profesoreshën e ashpër Mira Markoviq e cila ishte shoqja e tij e ngushtë. Dhe pavarësisht se çfarë bën Trumpi, nuk besoj se SHBA-të po shkojnë rrugës së dhunës në të cilën Millosheviqi me vetëdije e kishte çuar Jugosllavinë. Karagjozllëku i Trumpit ishte prezent në një protagonist tjetër të kërdisë së Ballkanit – Radovan Karaxhiqi, lideri i serbëve të Bosnjës i cili nisi si marionetë e Millosheviqit. Fabulizmi i Karaxhiqit ishte më i pacipë sesa i mikut të tij serb, sepse, sikurse Trumpi, ai kishte qejf të ishte në qendër të vëmendjes dhe fliste shumë. Karaxhiqi ishte një buf nate, dhe një natë mora pjesë në një konferencë për media pas mesnatës në bazën e tij jashtë Sarajevës së rrethuar. Myslimanët po e bombardonin veten, tha Karaxhiq. Mediat i kanë shpikur përrallat e keqtrajtimeve serbe ndaj të burgosurve. Nuk ka spastrim etnik – myslimanët i kanë lënë shtëpitë e tyre vullnetarisht. Performanca e Karaxhiqit ishte trumpiane në kuptimin bëj-besoj, dhe përçonte një mësim që është i dobishëm për ne sot. Tiranët nuk brengosen nëse u beson ti atyre, ata vetëm dëshirojnë që ju të dorëzoheni para dyshimit. “Idetë e tij ishin aq groteske”, shkrova më vonë për Karaxhiqin, “versioni i tij për realitetin është aq shtrembëruar, sa që mendova se ishte i droguar, apo isha unë. E njihja Bosnjën shumë mirë, dhe e dija se gjërat që i thoshte Karaxhiqi ishin gënjeshtra, dhe e dija se këto gënjeshtra po transmetoheshin në mbarë botën, çdo ditë, disa herë në ditë, dhe po merreshin seriozisht. Nuk po them se gënjeshtrat e tij po pranoheshin si të vërteta, por ndieja se po e turbullonin të vërtetën, dhe kjo, natyrisht, ishte fitore e madhe për Karaxhiqin. Ai nuk kishte nevoje që t’i bënte të jashtmit të besojnë versionin e tij të ngjarjeve; ai thjeshtë kishte nevojë që t’i bënte ata të dyshonin në të vërtetën dhe të uleshin mbi duart e tyre”.
Megjithatë, përvoja e tmerrshme e Ballkanit ofron një fije shprese: Millosheviqi u rrëzua nga pushteti. Bota e tij e fakteve alternative çoi në një fatkeqësi të madhe që përfshinte nivelet Weimar të hiperinflacionit. Gjatë një prej qëndrimeve të mia në hotelin Hyatt në Beograd, shkalla brenda natës kaloi 4 milion dinarëshin, pa përfshirë taksat. Momenti përcaktues i përmbysjes së tij ndodhi kur buldozerët nga qyteti i klasës punëtore të Çaçakut hynë në Beograd në krye të një kolone me punëtorë me kollare të kaltra që kuptuan se heroi i tyre i kishte mashtruar. Nuk ishte inercioni që e kishte kapur Millosheviqin, e as liberalët dhe studentët që e kundërshtuan atë që nga dita e parë. Demokratët e sjellshëm luajtën role të rëndësishme dhe të nevojshme, duke shtruar themelin për heqjen e Millosheviqit, por ishte elektorati i tij kyç, klasa punëtore dhe shërbimet e sigurisë, që dhanë goditjet vendimtare. Roli i Brutusit shpesh merret nga “spiunët” të cilët janë lodhur nga demagogjitë e dështuara. Këto janë ditët e hershme të epokës së Trumpit, por nëse fati i Millosheviqit është paksa udhërrëfyes i retorikës së tij, Trumpi do të zhbëhet kur rezistenca demokratike të thellohet dhe votuesit dhe partia që e sollën atë në pushtet të kthehen kundër tij. (koha.net)