Evis HALILI
Shkup, 27 mars – Myftinia e Tetovës prej më shumë se një jave është pronari legjitim i teqesë Arabati, shkruan gazeta KOHA. Kontesti pronësor me Avokatin e Shtetit është zgjidhur dhe vendimi i shkallës së dytë të gjyqësorit i jep të drejtë vetëm Bashkësia Islame (BIM) për të shfrytëzuar ambientet e teqesë. Kaq thonë në këtë institucion, por ajo që nuk dihet është se çfarë do të ndodhë me teqenë. Për momentin, ky objekt, një prej monumenteve më sinjifikante të kulturës, është në një gjendje të keqe. Ambientet e tij po rrënohen nga pakujdesia, por edhe nga abuzimet. Përveç tyrbes dhe xhamisë, pjesët e tjera të këtij kompleksi janë lënë pas dore, ndërsa ambientet e tjera në më të shumtën e rasteve shërbejnë si strehë për kullotjen e bagëtive nga banorët e zonës. Më urgjent sesa restaurimi i monumentit, është restaurimi i mendjes dhe ligjeve, thonë nga komuniteti bektashian. Edhe pse prej disa vitesh Myftinia e Tetovës dhe Komuniteti Bektashian janë dy shfrytëzuesit e ambienteve, ata nuk arritën të gjenin një gjuhë të përbashkët për të bashkëqeverisur kompleksin. Nëse kontesti pronësor me shtetin, e çoi teqenë drejt rrënimit, kontesti mes vetë dy komuniteteve po e thellon edhe më shumë atë. Teqeja Arabati çdo vit është në Raportin e departamentit të shtetit, ku kërkohet që t’i jepet e drejta komunitetit bektashian për ta shfrytëzuar. Në Arabati, po ashtu gjendet selia e Gjyshatës së Maqedonisë dhe sipas kreut të saj, Arben Sulejmani, ky vendim i shtetit është një tjetër shpronësim që i bëhet kësaj prone.
“Ky vendim i ngjan atij të vitit 1912 dhe të vitit 1947, kur regjimi komunist e shpronësoi dhe të vendimit të vitit 1957, kur u dëbuan baba Qazim Bakalli dhe një dervish u lëndua me bombë. Për ne, të dy sistemet janë të njëjta, pasi i kanë thyer në formën më flagrante ligjet të cilat ia njohin pronarit të vërtetë pronën. Se çfarë do të ndodhë më tej, s’e di. Objekti është drejt shkatërrimit, por më urgjent sesa restaurimi i tij është restaurimi i mendjes së njerëzve, i ligjit dhe në fund i kësaj pasurie të trashëgimisë”, thotë për KOHA, Sulejmani.
Arabati iu rikthye si pronë BIM disa vjet më parë, por Avokati i Shtetit përmes ankesave në gjykatë – nuk lejonte që vendimi të bëhej i plotfuqishëm dhe kërkonte që ky kompleks të jetë në zotërimin e shtetit, si monument trashëgimie. Teqeja është objekti më i rëndësishëm i trashëgimisë në vend, por edhe të vetë qytetit. As nga komuna, e as nga Myftinia e Tetovës, nuk kanë ndonjë plan se çfarë do të ndodhë më tej.
Sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Behixhudin Shehapi, lidhur me këtë çështje thotë se “s’do mend se zgjidhja e çështjes së pronësisë së Teqesë Harabati Baba në Tetovë, që nga shteti iu kthye pronarit të vërtetë, pra Vakëfit ose BFI-së, e lehtëson qasjen e Ministrisë së Kulturës, përkatësisht institucioneve të saj të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe kultivimit të vlerave autentike islame në vendin tonë. Teqeja Harabati Baba në Tetovë është një objekt i shkëlqyer i trashëgimisë kulturore, me një kompozicion me stil interesant, i cili bën përjashtim nga kornizat e konceptit të urbanes dhe përkundrazi, paraqet një vend krejt ndryshe ku mund të shijohet misticizmi islam, paqja dhe pastërtia shpirtërore. Bëhet fjalë për një kompozicion arkitektonik relativisht të mbyllur, ku rolin qendror në hapësirë e ka shatërvani, gjegjësisht semahanja e hapur. Në kontekstin e përgjithshëm të Teqesë Harabati Baba, imponohet dhe është i theksuar një element tjetër i përparuar i doktrinës dhe filozofisë islame, komponenti social i kompleksit. Ekzistimi i imaretit, hambarëve, hanit të mysafirëve(misafirhane), mesxhidit, odave të bektashinjve, kullës së Fatimes si dhe Qoshkut për vëzhgim, e vërtetojnë këtë konstatim që përcillet me një simbolikë emotive në epitafet e gurëve të varrit në kompleks. Duke e pasur parasysh rëndësinë e këtij objekti, ne në kontinuitet jemi marrë me kompleksin e Teqesë si monument kulturor. Momenti i dytë, që ia shton rëndësinë këtij vendimi, ka të bëjë me nocionin “trashëgimi kulturore”, sepse nuk do të duhej që ky nocion të kuptohet vetëm në aspekt administrativo-institucional, por përkundrazi të përfshijë thelbin e sistemit të vlerave individuale e grupore. Sepse, është më rëndësi që kjo trashëgimi të formulohet në kuadër të asaj që do të nënkuptonte “mbrojtje të integruar” dhe e cila ka për qëllim revitalizimin e saj në një kontekst më të gjerë. Shpresoj se prej vitit të ardhshëm, kuptohet me një përgatitje prej këtij viti, pa humbur kohë, do të intensifikojmë përgatitjen e projekteve për kthimin e pamjes sa me origjinale të këtij kompleksi monumental. Edhe këtë, gjithsesi se do ta bëjmë në bashkëpunim me donatorë nga jashtë, në rend të parë me institucionet e Turqisë. Krejt me qëllim të shndërrimit të këtij kompleksi në një qendër multimediale me karakter polivalent dhe pa ia e humbur karakterin e vet spiritual”, thotë për KOHA, Shehapi.
Teqeja Arabati, që shtrihet në një sipërfaqe prej më shumë se 20 mijë metra katrorë, konsiderohet si një prej teqeve më të mëdha që janë ndërtuara nga Perandoria Osmane, në kohën e sundimit të sulltan Sulejmani. Teqeja u ndërtua nga Sersem Ali Babai në shekullin e 16, por punimet përfunduan shumë vite më vonë, kur edhe u regjistruar si vakëf. Pas shpronësimit të vitit 1957 ky objekt deri në fund të viteve të 90-ta shfrytëzohej nga ndërmarrja Teteks, si objekt hotelerik.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara