Prekja e kalldrëmit, gropimet jo profesionale dhe ndërhyrjet e ndryshme që behën në rrjetin e kanalizimit, paraqesin ndër shkaqet kryesore se pse tregtarët e Çarshisë së Shkupit, gati pas çdo periudhe të shirave ata i veshin çizmet dhe i pastrojnë vërshimet
Omer XHAFERI
Shkup, 30 maj – Imazhi i Çarshisë së vjetër të Shkupit assesi të përmirësohet. Përderisa vit pas viti promovohen projekte të ndryshme për këtë çarshi, hallet dhe brengat e dyqanxhive nuk kanë fund. Problemet me të cilët ballafaqohen tregtarët dhe ata zejtarë të pakët që kanë ngelur kryesisht lidhen me infrastrukturën komunale, shkruan gazeta KOHA. Hapësira bukur e madhe ku shtrihet Çarshia e Shkupit, sipas shumë dyqanxhinjve të vjetër paraqet sfidën kryesor për autoritet komunale dhe ato shtetërore, me çka siç shtojnë ata shteti ndër vite ka dështuar në mirëmbajtjen e rendit dhe qetësisë në këtë pjesë historike të kryeqytetit.
Kryetari i shoqatës së Esnafit, Bejtulla Morina, kur pyetet për zgjidhjen e problemeve të Çarshisë, përgjigjet se ai dhe kolegët e tij vazhdimisht përballen me problematika të ndryshme, të cilëve mundohen t’ju gjejnë zgjidhje.
Një prej shqetësimeve që më së tepërmi e brengos esnafin dhe tregtarët e Çarshisë janë vërshimet dhe rrjeti i vjetër i kanalizimit. Gjendja më e rëndë pas të reshurave të shiut, zakonisht paraqitet në njërën prej hyrjeve të Çarshisë, më saktësisht në rrugën “Arhepiskop Angellarij”, e cila e lidh Urën e Gurit me pjesën e vjetër të qytetit. Kjo pjesë e çarshisë, sipas ndarjes territoriale i takon Komunës Qendër.
“Konkretisht për ndërrimin e rrjetit të kanalizimit në Çarshi nuk kemi biseduar me organet komunale. Diskutimet dhe kërkesat tona janë që së paku të rregullohen, përmirësohen pjesët më kritike ku vërshohen dyqanet dhe rrugët. Shërbimet përkatëse një apo dy herë brenda viti realizojnë aksion për pastrimin e kanaleve në Çarshi. Por dua të theksoj se si në rrugën e apostrofuar, ashtu edhe në shumë pjesë tjetër gjatë pastrimit të pusetave janë gjetur jastëk dhe batanije të ndryshme. Kjo e tregon vetëdijen e ulët të qytetarëve dhe fare nuk kontribuon për përmirësimin e jetës në Çarshi. Po ashtu veprime jo të duhura janë ndërmarrë edhe nga vetë pronarët e dyqaneve. Lidhja e tyre me rrjetin e kanalizimit është bërë në mënyrë individuale dhe pa konsultuar, angazhuar apo pyetur institucionet relevante se si duhet të kyçen në këtë rrjet. Ata kanë gropuar deri në dy metra, ndërsa gypat të kanalizimit në çarshi janë në thellësi prej katër metra dhe kështu më pas dalin problemet”, thotë Morina për gazetën KOHA.
Prekja e kalldrëmit, gropimet jo profesionale dhe ndërhyrjet e ndryshme që behën në rrjetin e kanalizimit, paraqesin ndër shkaqet kryesore se pse tregtarët e Çarshisë së Shkupit, gati pas çdo periudhe të shirave ata i veshin çizmet dhe i pastrojnë vërshimet. Mungesa e syrit mbikëqyrës dhe kontrollit institucional, njëkohësisht është ndër arsyet e para se pse në çarshi mbizotëron një anarki dhe çdonjëri që i teket, prish, rrënon dhe ndërton.
Mbase përgjigje për zgjidhjen e këtij kaosi kërkuam edhe nga Komuna Qendër, mirëpo ato nuk u prononcuan në pyetjet se çfarë plane dhe projekte kanë për përmirësimin e rrjetit të kanalizimit në atë pjesë të komunës dhe vallë shërbimet e tyre realizojnë kontrolle të gjendjes dhe veprimeve që merren në çarshi.
Ndryshe, lista e problemeve të çarshisë edhe pse publikisht dihet vite me radhë, ajo fare pak është reduktuar. Kanalizimi i vjetër dhe anomalitë e theksuara janë vetëm një prej milionave problemeve që i ka Çarshia e Shkupit.
Investimet e shtetit që dekadën e kaluar janë realizuar në objektet dhe komplekset historike, këtë çarshi fare nuk e kanë përfshirë. Nëse një për qind e projektit famë keq “Shkupi 2014” i cili sipas hulumtimeve të fundit ka arritur shifrën e 1 miliardë eurove, të investoheshin në çarshi, që i bie diku 10 milion euro, atëherë pa hamendje kjo pjesë e Shkupit do të ishte atraksioni më i madh turistik në vend por edhe më gjerë. (koha.mk)