Hakan Calhanoglu është pranë kalimit tek AC Milan. Sipas “Funke-Sport-Information”, mesfushori i Bayer Leverkusen-it ka pranuar kushtet e ofruara nga klubi italian, ashtu si edhe “Aspirinat”, dhe shumë shpejt pritet zyrtarizimi i kontratës së tij të re në Milano.
“Djalli” do të paguajë 20 deri në 30 milionë euro për lojtarin turk. Bektas Demirtas, këshilltari i tij, ka konfirmuar bisedimet. “Po, kemi kontakte. AC Milan është një nga klubet më të mëdhenj në Evropë. Nuk dua të komentoj mbi përmbajtjen e bisedimeve”.
Calhanoglu sivjet nuk ka luajtur në Bundesligë, për shkak se është dënuar nga FIFA për një transferim të palejueshëm në vitin 2011 (ka paguar edhe një gjobë prej 100 mijë eurosh dhe ka pranuar të mos paguhet në klubin aktual gjatë kësaj kohe). Kontrata e tij në Leverkusen skadon në vitin 2019.
AC Milan këtë verë po pëson një ndryshim rrënjësor për t’u rikthyer në ditët e arta dhe Calhanoglu mund të bëhet një protagonist në Serie A.