Në mesnatë janë zhvilluar ndeshjet kualifikuese në Amerikën e Jugut. Brazili gjithnjë e më pranë kualifikimit në Kampionatin Botëror “Rusi 2018”.
Në ndeshjen e zhvilluar në Estadio Centenario të Montevideos “Seleçao” mposhti Uruguain 4:1 dhe tani prinë bindshëm në tabelën e Amerikës Jugore me 30 pikë pas 13 ndeshjeve të zhvilluara.
Lojtari i ndeshjes ishte mesfushori Paulinho që realizoi het-trik, kurse golin tjetër për Brazilin e shënoi Neymar. Për Uruguain që u dorëzua para tifozëve të vet golin e vetëm e realizoi Edinson Cavani nga penalltia. Nuk gaboi as Argjentina që me rezultat minimal 1:0 mundi Kilin. Goli i vetëm në këtë takim u shënua nga Lionel Messi në minutën e 16-të nga penalltia. Me të njëjtin rezultat triumfoi edhe Kolumbia ndaj Bolivisë. James Rodriguez i solli fitoren kombëtares së tij me një gol të realizuar në minutën 83.