Borxhi i Maqedonisë në aspektin kushtetues

Njerëzit në mënyra të ndryshme tentojnë që ta mbulojnë apo anashkalojnë turpin dhe ndjenjën e fajësisë, që nuk ishin pjesë e luftës së vitit 2001 dhe tentojnë që këtë turp ta tejkalojnë duke e nënçmuar Marrëveshjen e Ohrit, kurse pala maqedonase duke e bllokuar që të mos realizohet deri në fund. Sidomos, më të zëshëm dhe më kritikë për ta mbuluar turpin janë shumica e funksionarëve të lartë të dy partive politike, PPD dhe PDSH, sepse MO ua përkujton kohën e tyre të para vitit 2001, kur ishin të pafuqishëm që të ndryshojnë qoftë edhe një shkronjë nga Kushtetuta e vitit 1991, kurse Marrëveshja e Ohrit e bëri këtë

257

Delvina KËRLUKU

Milaim Fetai u lind në vitin 1958, në Çegran, Komuna e Gostivarit. Shkollën fillore e kreu në fshat. Gjimnazin në qytet. Ka diplomuar në Fakultetin e Shkencave Politike të Universitetit të Zagrebit. Në po këtë Fakultet ka fituar edhe titullin Magjistër i Shkencave Politike në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Ciklin e tretë të studimeve të doktoraturës e përfundoi në Universitetin e Tiranës, në Institutin për Studime Evropiane, nën udhëheqjen shkencore të Dr. Xhezair Zaganjorit dhe ka fituar gradën shkencore Doktor i shkencave politike. Ka punuar në Këshillin për Radio Difuzion, në Televizionin Alsat-M. Gjatë qëndrimit në Kroaci, ka qenë i kyçur në organizimin e jetës kulturore dhe shoqëroro të shqiptarëve. Ka qenë një ndër themeluesit e PPD (Partia për Prosperitet Demokratik) për Kroaci si sekretar i parë i saj. Punoi në Drejtorinë për afirmimin dhe përparimin e kulturës së bashkësive në Maqedoni. Ka qenë i angazhuar si ligjërues në “College University Studies“ në Strugë. Është në marrëdhënie të rregullt pune pranë Universitetit të Tetovës.

KOHA: Politika merret me tërësinë e çështjeve, problemeve dhe ngjarjeve në jetën shoqërore e shtetërore, të brendshme e ndërkombëtare. Ju si politikolog, shkurtimisht, çfarë mund të na thoni për politikën që zhvillohet në përgjithësi në Ballkan?

FETAI: Në përgjithësi Ballkani me të drejtë perceptohet si rajon i krizave dhe konflikteve të mundshme për shkak të “çështjeve të hapura “, sikurse që janë:

– “Çështja serbe”, duke pasur objektivin e proklamuar që serbët të qëndrojnë dhe jetojnë të gjithë në një shtet dhe referendumi për pavarësi i Republikës serbe që rrezikon ardhmërinë e Bosnjë dhe Hercegovinës.

– “Çështja shqiptare”, pozita e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Mal të Zi, Maqedoni dhe situata në Kosovë me Mitrovicën e Veriut, çështja e Çamërisë.

– “Çështja maqedonase”, duke pasur parasysh se në Republikën e Maqedonisë konsiderohet zyrtarisht se pjesë e rëndësishme e popullit maqedonas jetojnë në Greqi dhe Bullgari.

– “Çështja islamike” do të thotë, çështja e ruajtjes së tërësisë së Bosnjë dhe Hercegovinës apo të krijojë një shtet të veçantë islamik.

– Marrëdhëniet turko-greke që tradicionalisht janë të tensionuara.

– Interesi i theksuar i Rusisë për ndodhitë në Ballkan e bën situatën edhe më të ndjeshme, prandaj integrimi i këtyre shteteve sa më parë në NATO dhe në BE paraqitet si një imperativ për sigurinë, stabilizimin dhe zhvillimin e rajonit.

Prandaj për Maqedoninë si një shtet i vogël si për nga territori ashtu edhe nga popullsia, është nevojë e saj jetike, që sa më parë dhe me sukses të gjenden zgjidhje optimale sistemore, të formoj një qeveri stabile që do të ndërmarr masa dhe aktivitete të drejta dhe konkrete, strategjikisht të arsyetueshme shtetërore dhe ekonomike, duke u përcaktuar me kujdes për prioritetet, në mënyrë që të arrihet shkurtimi optimal i periudhës për marrjen e statusit të anëtarit me të drejta të plota në NATO dhe pastaj edhe në Bashkimit Evropian, duke e zgjidhur sa më parë kontestin për emrin me Greqinë fqinje.

KOHA: Keni marrë pjesë në konferenca shkencore ndërkombëtare dhe keni shkruar shumë punime shkencore ku keni trajtuar ndikimin e Marrëveshjes së Ohrit në integrimin e Maqedonisë në proceset euroatlantike dhe në zhvillimin e demokracisë brenda shtetit. Ka vlerësime dhe kritika nga më të ndryshmet, çka mund të na thoni, a e vlerësojnë drejtë opinioni, e sidomos intelektualët shqiptar Marrëveshjen e Ohrit?

FETAI: Kritikat më të mëdha MO-së i bëhen nga pala maqedonase, sepse e trajtojnë si diçka që iu imponua atyre me fuqi, me luftë, pa vullnetin e tyre dhe kjo mundet deri diku të kuptohet. Mirëpo, më vjen keq se kur bisedojmë për kritikat që vijnë nga shqiptarët, nga intelektualët të cilët sikur nuk janë të vetëdijshëm për rëndësinë, për vlerat, për atë se çka parasheh MO për ne, çfarë e arritur është kjo në krahasim me pozitën para vitit 2001. Diçka tjetër është shumë e rëndësishme në lidhje me këtë, e që më duket se harrohet, sa sakrificat u bënë që të arrihet deri këtu, sa djem të ri u plagosën e sa e dhanë edhe jetën për këtë, sa kontribut dhanë ndërkombëtarët për këtë etj. Mendoj se njerëzit në mënyra të ndryshme tentojnë që ta mbulojnë apo anashkalojnë turpin dhe ndjenjën e fajësisë, që nuk ishin pjesë e luftës së vitit 2001 dhe tentojnë që këtë turp ta tejkalojnë duke e nënçmuar Marrëveshjen e Ohrit, kurse pala maqedonase duke e bllokuar që të mos realizohet deri në fund. Sidomos, më të zëshëm dhe më kritikë për ta mbuluar turpin janë shumica e funksionarëve të lartë të dy partive politike, PPD dhe PDSH, sepse MO ua përkujton kohën e tyre të para vitit 2001, kur ishin të pafuqishëm që të ndryshojnë qoftë edhe një shkronjë nga Kushtetuta e vitit 1991, kurse Marrëveshja e Ohrit e bëri këtë.

KOHA: Si e shihni pozitën juridiko-kushtetuese të shqiptarëve në Maqedoni?

FETAI: Për sa i përket pyetjes për pozitën kushtetuese të shqiptarëve në Maqedoni, do të kisha theksuar se me konstituimin e Maqedonisë në vitin 1991, si shtet i pavarur, shqiptarët vazhduan të ballafaqohen edhe më tej me probleme shumë të mëdha për arritjen e një barazie në aspektin kombëtar, ekonomik, social, kulturor e arsimor. Të rikujtojmë shkurtimisht se në Preambulën famëkeqe të Kushtetutës së vitit 1991, që u emërua si gjenerator e krizës dhe një ndër shkaqet që solli deri te kryengritja e armatosur e shqiptarëve në vitin 2001, shkruante se “Maqedonia konstituohet si shtet nacional i popullit maqedonas dhe pastaj përmendej se sigurohet barazia e plotë qytetare dhe bashkëjetesa e përhershme e popullit maqedonas me shqiptarët, turqit, vllahët, romët dhe kombësitë e tjera”. Pastaj, si pjesë e Marrëveshjes së Ohrit u nënshkrua Preambula e re e Kushtetutës, që vendoste themelet e ndërtimit të Maqedonisë si shtet i qytetarëve, duke filluar me fjalinë: “Qytetarët e Republikës së Maqedonisë”, pa përmendur përkatësinë nacionale të maqedonasve dhe të bashkësive tjera etnike. Kjo Preambulë, e dyta, qytetare, u ndryshua menjëherë duke hasur në rezistencë unanime të deputetëve të atëhershëm të VMRO-së dhe LSDM-së, prandaj përsëri në Preambulën e Kushtetutës aktuale që u miratua në Parlament më 16 nëntor të vitit 2001, Maqedonia definohet si shtet nacional e jo qytetar dhe shkruan – “Qytetarët e Republikës së Maqedonisë, populli maqedonas si dhe qytetarët të cilët jetojnë brenda kufijve të saj, të cilët janë pjesë e popullit shqiptar, popullit turk, popullit vlleh, popullit serb, popullit rom, popullit boshnjak e të tjerë…” Këtë e ceki për shkak të proklamimit që bëhet ditët e fundit se do të ndërtojmë një shtetet qytetar ku të gjithë do të jenë qytetar të barabartë, pa e ndryshuar Kushtetutën dhe pa e kthyer Preambulën e Marrëveshjes së Ohrit, mendoj se këto ngelin vetëm premtime elektorale për të arritur simpati dhe mbështetjen te populli shqiptar.

KOHA: Çka ndryshoi Marrëveshja e Ohrit në pozitën e shqiptarëve në Maqedoni?

FETAI: Barazia e plotë politiko-juridike e shqiptarëve paraqet shtyllën kryesore për një Maqedoni stabile dhe demokratike. Me Marrëveshjen e Ohrit u krijuan bazat dhe kushtet për vendosjen e marrëdhënieve të reja shoqërore dhe politike në Maqedoni, për arritjen e barazisë së plotë politiko-juridike edhe për shqiptarët. Me miratimin e 14 amendamenteve në Kushtetutë, Marrëveshja e Ohrit ndikoi dhe kontribuoi dukshëm për vendosjen e themeleve për ndërtimin e mëtejmë institucional të Maqedonisë, si shtet modern, demokratik, multietnik, multikulturor dhe multikonfesional, dhe me këtë iu hap rruga në drejtimin e ndërlidhjes më të shpejtë dhe më të ngushtë me Aleancën e NATO-s dhe me Bashkimin Evropian. Kur ua sqaroj studentëve këtë, u them se prej vitit 2001 Maqedonia në aspektin kushtetues ka hy në borxh apo detyrën shtetëror ndaj shqiptuarve dhe bashkësive më të vogla, që t’i përmbushë obligimet që i ka marrë nga Marrëveshja e Ohrit, sikur që shteti i merr kredit financiare dhe në Parlament miratohen ligje që e obligojnë t’i paguajë, pa marrë parasysh se qeveritë mundet të ndërrohen, por borxhi vazhdon të kthehet. Kështu që prej vitit 2001 shteti vazhdon ta kthejë borxhin ndaj shqiptarëve dhe ka mendime dhe vlerësime të ndryshme se në disa lëmi ka përparime të dukshme, kurse diku ka ngecje. Por, sidoqoftë ka suksese dhe zhvillime të mëdha në shumë fusha, në krahasim me situatën që e kishim para vitit 2001.

KOHA: Z. Fetai, jeni lindur në Çegran të Gostivarit. Çegrani njihet si fshat i madh. Njihet edhe si fshat me ekonomi më të mirë nga fshatrat e tjera të vendit. Bashkëfshatarët tuaj dikur ishin gjithandej hapësirave të ish Jugosllavisë. Çfarë ndodhi me ta pas shpërbërjes së Jugosllavisë?

FETAI: Më kujtohet si fëmijë mburreshim me konstatimin se gjoja Çegrani ishte fshati më i madh në ish Jugosllavi, mirëpo sot pasi që Maqedonia është më e vogël se shteti paraprak, nuk e di se a e mbajmë ende këtë titull. Ndryshimet e mëdha në botën bashkëkohore të globalizimit, kanë ndikuar edhe në transformimin e kushteve të jetës në fshat. Pozita gjeografike e volitshme me plot fusha dhe hapësirë të madhe për ndërtimin e shtëpive familjare, investimet në infrastrukturë, rrugët e asfaltuara dhe afërsia prej 6 km nga Gostivari, paraqesin elemente pozitive për zgjerimin dhe zhvillimin e Çegranit me pamje të në një vendbanimi të bukur. Iniciativat private për biznese të ndryshme janë të shumta dhe paraqesin bazën e zhvillimit, bujqësia nuk ka arritur nivelet e duhura, rinia nuk është e motivuar të merret me bujqësi, prandaj nuk ka ndonjë zhvillim të theksuar, edhe pse Vardari e bënë fushën e Çegranit të jetë shumë pjellore. Kemi shumë të punësuar nëpër institucione të ndryshme shtetërore, por pjesa më e madhe tradicionalisht bashkë me familjet e tyre gjinden në mërgim.

KOHA: Si e kujtoni fëmijërinë?

FETAI: Kujtimet për fëmijërinë gjithmonë janë të bukura. Jam rritur në një ambient familjar tradicional me shumë anëtarë, me gjyshin, gjyshen dhe bashkë me vëllain e babës me 6 fëmijët e tij deri në klasën e parë, pastaj u ndamë dhe ngelëm me motrën dhe prindërit. Kam pasur një trajtim të privilegjuar si djalë i vetëm dhe shumë herë mi plotësonin dëshirat që ndoshta ishin të tepërta, sidomos nuk më ndalonin të rrija me shokët jashtë, duke luajtur futboll derisa bëhej natë.

KOHA: Cila është rruga e juaj e shkollimit dhe çfarë mund të na flisni për Zagrebin dhe dallimin e Universitetit të atjeshëm me Universitetet tona?

FETAI: Pas mbarimit të shkollës fillore në Çegran dhe gjimnazit në Gostivar, u regjistrova në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Zagrebit ku vazhdova edhe studimet e magjistraturës, kurse në Universitetin e Tiranës i mbarova studimet e doktoraturës dhe fitova titullin doktor i shkencave politike. Normalisht, ka dallime të shumta në mes Universiteteve të Kroacisë dhe te ne, në aspektin e traditës. Sivjet Universiteti i Zagrebit e feston 348 vjetorin e themelimit dhe është i njohur për standardet e larta që i implementon. Pyetja juaj ma përkujtoi një pyetje të ngjashme që m’u parashtrua në Zagreb para afër 200 studentëve të Fakultetit të Shkencave Politike të vitit të tretë pas një ligjërate që pata rastin t’ua mbajë. Një ndër pyetjet e tyre ishte se a mundet të bëj një krahasim në mes të studentëve të mi të Universitetit të Tetovës dhe atyre. Përgjigja ime shkurtimisht ishte: – Në aspektin hapësinor t’u them se gjendemi në të njëjtin amfiteatër ku kam studiuar edhe unë para 30 vjetëve, më duket se karriget dhe tavolinat janë ende të njëjtat, vetëm katedra prej ku flas unë më duket qenka e ndryshuar se i paskan vendosur mikrofona për incizim të zërit. Në Universitetin e Tetovës, kolegët tuaj, gati se 5 vjet mësojnë në ambiente të reja dhe në amfiteatër më të madh se ky që gjendemi tash, kurse karriget dhe tavolinat janë më të reja se këto. Për sa i përket programit mësimor, lëndëve mësimore, sillabuseve dhe literaturës për përgatitjen e ligjëratave dhe provimit mendoj se nuk ka ndonjë ndryshim të madh. Platonin, Aristotelin, Makiavelin, Ruson, Baymen, Liphartin etj, i mësoni edhe ju, edhe ata. Globalizimi përmes internetit e bënë të mundur qasjen në literaturën bashkëkohore dhe në Bibliotekat e Universiteteve më prestigjioze në botë. Gjuhën angleze e mësoni të gjithë, interneti është prezent kudo, prandaj në këtë drejtim nuk ka ndonjë ndryshim në mes jush dhe studentëve të Tetovës. Përgjigjen e mbarova duke ua sqaruar se ndryshimi kryesor është se studentët e Universitetit të Tetovës pas arritjes së diturive të duhura dhe mbarimit të fakultetit, hasin në vështirësi të mëdha për t’u punësuar, sepse Maqedonia ka administratë të stërmbushur, kurse papunësia është shumë e madhe, prandaj shumica janë të detyruar të shkojnë në shtetet e jashtme ose të punësohen jashtë profesionit, kurse ju këtu në Kroaci i keni kushtet dhe shanset për punësim në profesion shumë më të mëdha.

KOHA: Çfarë mund të na thoni për rolin e mediave në Maqedoni, gjatë periudhës së tranzicionit. Cila është gjendja, sfidat dhe perspektiva?

FETAI: Mediat si pushteti i katërt kanë një rol shumë vendimtar sa i takon zhvillimit të një shoqërie moderne demokratike. Ata duhet të kenë rolin e një gjyqtari që vlerëson ose ndëshkon punën e institucioneve shtetërore gjithmonë, duke informuar qytetarët në mënyrë të saktë, të drejtë, objektivë dhe të paanshme. Vlerësimin më objektiv për këtë e japin vet shikuesit, duke i krahasuar qasjet që kanë mediat e ndryshme ndaj ndodhive në fusha të ndryshme në shoqëri. Perspektiva e mediave ka dy aspekte për sqarim, servisi publik RTVM, Programi në gjuhën shqipe ka ardhmëri të sigurt dhe sipas Marrëveshjes së Shkupit (Përzhinos) pritet të filloj edhe me program prej 24 orësh, që është një e arritur historike për shqiptarët e Maqedonisë dhe më gjerë, kurse mediat private, komerciale, që financohen kryesisht prej reklamave e ndajnë fatin e përgjithshëm të situatës në shtet. Në rrethana të krizës ekonomike edhe atyre u zvogëlohen burimet e financimit dhe ardhmëria e tyre bëhet e rëndë. Mendoj se është një e arritur që duhet theksuar se publiku shqiptar në Maqedoni ka një ofertë shumë të begat, mundë të ndjek afër 30 radio dhe TV të Maqedonisë në gjuhën shqipe, të nivelit lokal, rajonal dhe katër TV me leje për emetim në tërë territorin e RM-së, TV Alsati, TV Art, TV 21 dhe TV Shenja. Nëse kësaj oferte ia shtojmë edhe mundësinë e qasjes që ka publiku shqiptar në RM për ndjekjen e të gjithë televizioneve të njohura në Shqipëri dhe Kosovë që me leje nga Agjencia për media remitohen nëpërmes rrjeteve televizive kabllore, mundet të themi se pejsazhi mediatik në Maqedoni është shumë i pasur.

KOHA: Cili është koncepti Juaj për familjen dhe si arrini që ta ruani harmoninë e përhershme?

FETAI: Ndryshimi i shoqërisë, nga një shoqëri tradicionale dhe e mbyllur në një shoqëri të hapur kapitaliste, si dhe ndryshimet rrënjësore sociale e ekonomike, krijojnë një model të ri të familjes, i cili është në formim e sipër prej asaj tradicionales në atë moderne. Në përgjithësi te unë gërshetohen të gjitha karakteristikat e një familje në tranzicion, prej asaj tradicionales në atë moderne. Harmonia është diçka relative, sepse mbi të gjitha duhet të kemi parasysh se bashkëshortësia është një kompromis i ëmbël i mbushur plot me përkushtim dhe mirëkuptim për rrugën e përbashkët që duhet kaluar rrugë, e cila quhet jetë. Arsimimi fillon prej në familje, prandaj aq sa kam kohë tentoj që të jap sugjerimet dhe këshillat e mija ndaj pesë fëmijëve, e sidomos ndaj katër nipërve dhe mbesës që e kam.

© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të Ngjajshme