Biznesi nuk është vetëm “blej dhe shit”, por diçka më tepër

127

 

Delvina KËRLUKU

Nuhi Aliu, lindi në fshatin Çajlan të Shkupit. Shkollën fillore e kreu në fshat. Të mesmen në shkollën “Zef Lush Marku”, Fakultetin Ekonomik dhe masterin, në drejtimin e financave, në Prishtinë. Është biznesmen i suksesshëm dhe pronar i Kompanisë “Euroaktiva”. Anëtar i  këshillit drejtues të OEMVP-së. Jeton dhe vepron në Shkup.

KOHA: Nuk është e thënë që çdokush të jetë një sipërmarrës. Për të qenë një i tillë, duhet kohë e madhe, përkushtim, ndonjëherë edhe të investosh të gjithë kapitalin tënd. Patjetër ideja e të pasurit diçka tënden është tërheqëse. Por, nga e mësuat që sipërmarrja është diçka për Ju? Si arritët deri te ideja?

ALIU: Është e vështirë të arrish deri te ajo ide për të krijuar një ndërmarrje, pra sipërmarrje, siç i thoni Ju, sot termi i ri është kompani. Nuk mund të krijohet ajo brenda natës, si mendojnë disa politikanë. Por, për të ardhur te ideja finale, për themelimin e një kompanie, duhet të kalohen disa sprova…Dua të theksoj se ne kemi qenë 7 fëmijë. Ndërsa babai djalë i vetëm. As vëlla, as motër. Jam i vetëdijshëm për mundin dhe sakrificën e tij, hallet dhe brengat, për të siguruar ekzistencën. Gjatë shkollës së mesme e kisha të vështirë shkollimin, aq më shumë kur nisa studimet, kur shpenzimet ishin të larta, si qiraja e banesës, ushqimi, udhëtimi. Edhe pse prindi punonte ditë e natë, nuk ishin të mjaftueshme paratë që fitonte, për të më siguruar një studim mesatar. Dhe vrava mendjen se si të siguroj të ardhura. Dhe, si zakonisht, ne shqiptarët syrin e kemi te tregtia, si një formë më e lehtë në dukje. Si fillim sigurova para hua për t’u marrë me tregtimin e pemëve dhe perimeve. Frutat merren në tregun ku shiten me shumicë, kurse shiten në bizneset e vogla, me pakicë, ndërkaq  diferenca e profitit sjell të mira materiale, pra fitim. Si fillim nisa në tregjet e Shkupit, mandej më lindi ideja. Kisha një shok nga Ulqini. Me të bisedove për këtë lloj tregtie, pra që të futem në tregun e atjeshëm, pra tregun e gjelbër të Tito Gradit, siç quhej atëherë Podgorica e sotme. Vërejta se nuk ishte tregu i njëjtë atje si në Shkup. Çmimet ishin më të larta. Ne vendosëm që të sigurojmë një kamion të dorës së dytë, ashtu me huazime, që mund të ngarkonim deri në 5 tonë. Gjatë kësaj periudhe zbulova edhe tregun e Beogradit. Fillimet ishin të mbara. Fitoja para, puna më ecte mirë. Asnjëherë nuk kisha pa valutën gjermane, markën, ngaqë im atë merrte një rrogë disi solide me punën e tij si mjeshtër në ndërtimtari. Marka gjermane kishte një vlerë shumë më të madhe se sa sot që ka euroja. Punën e tregtimit me pemë dhe perime e vazhdova derisa u punësova në një ndërmarrje për ndërtimtari në Kosovë, përkatësisht në Ferizaj, në ndërmarrjen “Trajko Gërkoviç“, e cila numëronte mbi 1500 punëtorë. Në fillim isha në shërbimin e financave, më vonë fal angazhimit tim dhe vlerësimit të bordit drejtues, u emërova udhëheqës në postin e financave. Por, kjo punë nuk ma ndërpreu kontaktin me tregun e gjelbër të Tito Gradit dhe Beogradit. Punoja, kurse fitimin ia dërgoja babait, sepse isha fëmija më i madh. Gjatë punës në ndërmarrjen ndërtimore, të cekur më lartë, arrita të lidh kontakte me shumë fabrika që prodhonin materiale ndërtimore, këtë mundësi ma jepte edhe puna në financa. Arrita të fitoj njohuri rreth funksionimit të tregut të materialeve ndërtimore. Mirëpo, si dhëndër i Ferizajit, daja e bashkëshortes time punonte me materiale ndërtimore, mbase kishte ardhur edhe momenti pas punës sime të devotshme dhe pas njohurive në këtë fushë, t’i qasem vetë këtij biznesi. Atëherë në Kosovë, fundviteve të 80’ta, ndodhën ndryshime të mëdha, shqiptarët lëshuan vendin e punës për shkaqe politike, përkrahnin Azem Vllasin, Kaqusha Jashari, të cilët ranë në burg. Ishin kohë kur sindikata pati marrë vendim të bojkotojnë punën në institucione dhe ndërmarrje, të cilat ishin shtetërore. Dhe në momentin kur ju bashkëngjita apelit të sindikatës, lëshova punën si udhëheqës në sektorin e financave dhe brenda një kohe fillova bashkëpunimin me dajën e bashkëshortes time, një partneritet në Kompaninë e tij, “1 Maji”. Këtu edhe janë hapat e para në këtë ndërmarrje private. Ai më pranoi jo si nëpunës, por si partner, me një përqindje të caktuar të ndarjes së profitit, për arsye të respektit dhe për arsye të asaj se tashmë kisha njohuri mbi këtë lloj biznesi. Pas një kontributi dy vjeçar, mora vendimin që të filloj punë vet, i pavarur. Themelova ndërmarrjen time në Kosovë dhe u bëra drejtues i biznesit tim privat. Vendimin për hapjen e biznesit e kam marrë në vitet ku kishte shumë turbulenca politike.

 

KOHA: A mund të na tregoni fazat e rritjes së biznesit tuaj, kuptohet edhe menaxhimit?

ALIU: Atëherë mund të më kanosej çdo rrezik, sepse sado pak unë e kuptoja se biznesi ka rreziqet e veta, mirëpo gjatë partneritetit që pata te ndërmarrja “1 Maji” , krijova një shumë financiare, e cila, ndoshta, nuk ishte edhe aq e mjaftueshme, mirëpo për të filluar biznesin në moment m’u duk se mund t’i përballoj obligimet që dalin nga biznesi ndaj partnerëve afarist. Ishin kohëra ku në çdo ndërmarrje- fabrikë prodhuese të ndërmarrjeve ndërtimore furnizimet bëheshin në mënyrë më liberale të sektorit privat, jepeshin afate në pagesën e faturave. Pra, na furnizonin me materiale të caktuara, kurse pagesën e bënim në një periudhë të caktuar kohore dhe ky afat mua më ndihmonte shumë, sepse në fillim ishte e vështirë të mbulosh gjithçka me para, sidomos në atë kohë, por nuk e përjashtoj se edhe sot është, bile tepër vështirë. Fabrikat- furnizuesit ishin më liberal, e them nga përvoja ime në këtë lloj të biznesit. U njoftova me biznesmen të fuqishëm nga Serbia dhe patjetër këtu dua të përmendi se përkrahje të fuqishme më ka ofruar një ndërmarrje me emrin “Banat Invest”, e Vojvodinës, pronar i së cilës ishte Angjelko Janiç. Më ka dhënë një mbështetje të madhe. Ishte një biznesmen i fuqishëm. Ai kishte marrë informata mbi biografinë time, si person me përgjegjësi, që kam mbajtur fjalën gjatë kohës kur kam punuar si në sektorin shtetëror, ashtu edhe në atë privat. Kështu që ai furnizonte me derivate, gjegjësisht me mazut, si repromaterial për prodhimin e çimentos, në fabrikën “Sharri”, në Han të Elezit, ku kjo çimentore nuk ishte në gjendje që ta bëjë pagesën dhe si kundërvlerë, jepnin çimento. Ai ishte momenti kyç kur kuptova se biznesi nuk është vetëm “blej dhe shit”, biznesi është diçka edhe më tepër, se duhet të hysh edhe në kombinime të atilla, mirëpo kapaciteti im financiar, nuk lejonte që të hy në këmbime të tilla. Janiç kishte dëgjuar për mua, për depon ndërtimore në Ferizaj dhe vendosi bashkëpunimin me mua. Por, materialin që më ofronte ishte në sasi të madhe dhe nuk mendoja se do t’i mbuloja shpenzimet. Por, më dha kurajo të vazhdoj biznesin dhe ai do më qëndronte në krah. Kisha një detyrë, primare, që të gjej blerës të mirë, të besueshëm dhe realizues të obligimeve, pas blerjes së materialit. Ishte një punë që ia mora dorën. Çmimi i materialit ishte tërheqës dhe pagesa bëhej aty për aty, kesh, e jo nëpërmjet bankave, meqë, atje akoma nuk kishte filluar sistemi bankar. Kështu me vite shkoi puna mirë derisa u ndava me bashkëpunëtorin Janiç nga Vojvodina, që ishte një njeri i mirë, biznesmen i suksesshëm dhe nuk kishte ngarkesa nacionaliste. Edhe pse në Kosovë të këtilla probleme kishte, neve nuk na interesonte politika. Gjithë përqendrimi im ishte në biznes. Millosheviqi veçse ishte shfaqur në opinion dhe bënte dëme të mëdha, por në biznes nuk kemi pasur asnjë dëm nga udhëheqja e tij, këtë e potencoj se zakonisht diktatorët përzihen edhe në pjesën e bizneseve, por ndoshta nuk kam qenë në atë nivel që të bie në sy. Inspektorët – policia financiare, për herë të parë filloi të funksionojë, por ishin korrekt, i njihnin kompetencat e tyre mirë, por edhe unë si biznesmen i njihja mirë legjislacionet e funksionimit të biznesit dhe e respektoja deri në fund. U fuqizova financiarisht. Po ashtu fillova punë edhe me një kompani, “Labëria”, si menaxher, por jo si partneritet me pronarin, por i mbartja të drejtat dhe obligimet e kompanisë. Nisa vet, pa mbështetje.

 

KOHA: Nëse nuk gabohemi, keni lënë arsimin dhe i jeni përkushtuar biznesit. Si ndodhi kjo kthesë në jetën tuaj?

ALIU: E përmenda më lart. Kthesa ndodhi kur isha i punësuar në ndërmarrjen “Trajko Gërkoviç“, ku në momentin që sindikata e Kosovës udhëhiqej me sa mbaj mend nga Hajrullah Gorani, që e kam pasur edhe profesor në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë, u mor një vendim që të gjitha institucionet ta bojkotojnë institucionet dhe ndërmarrjet publike. Ishte ajo kohë ku mora hapin, pasi kisha njohuri dhe përvojë edhe në tregtinë me ushqime, pemë dhe perime, por kisha edhe një përvojë tregti me materiale të tekstilit, që i blija në Stamboll. Por, meqë kisha më shumë njohuri në fushën e ndërtimtarisë, u përcaktova në këtë lloj biznesi.

 

KOHA: Objektivat e sektorit të biznesit privat janë: kënaqja e kërkesës; fuqia e tregut; shitjet dhe të ardhurat nga shitja; efiçenca; cilësia dhe inovacioni; imazhi dhe reputacioni; mjedisi; mbijetesa; çmimi i aksioneve; çështjet sociale. Cilin e dalloni si objektivin kryesor. Pse?

ALIU: Të gjitha këto që i përmend i duhen biznesit. Por, objektivi kryesor i biznesit tim, në momentin kur fillova me Kompaninë “Labëria”, ka qenë që të zhvilloj një biznes nga një përvojë nga bizneset e ndryshme, mendova të bëj një biznes ku në pah të vihet korrektësia, sinqeriteti. Ky ka qenë edhe objektivi im i parë, po ashtu të respektojë partnerët, blerësit, të respektojë gjithë atë që është kulturë e biznesit, atë rreth të biznesit, të bashkëpunimit. Qëllimi im ishte të mbajë fjalën në lidhje të një kontrate dhe e dyta të kem raporte shumë korrekte me partnerët, por edhe atëherë kur kishte ndryshim çmimi, që të komunikojë me ta, që në rast të humbjes, të ndahet ajo humbje bashkërisht. Kishte edhe detale të tjera, respekti, sjellja ndaj atyre mendoj se ka qenë thelbi në zhvillimin e biznesit tim. Ka qenë një sjellje aq korrekte sa që i kam respektuar gjithë aktorët e biznesit tim, duke filluar nga transportuesit, ndërmjetësuesit edhe deri te blerësi i fundit. I kam respektuar gjithë ato parime, njëherë njerëzore ndaj tyre.

 

KOHA: Jo gjithkush është i aftë të jetë pronar dhe menaxhues i biznesit. Shpeshherë është e vështirë të ruhen para për të nisur dhe mirëmbajtur një biznes. Kostot e inventarit, furnizimeve, sigurimit, reklamimit, qirasë, shërbimeve publike, mund të jenë të papërballueshme. A e menaxhoni paranë dhe si. Apo paraja ju menaxhon Juve?

ALIU: Në vitin 2000, menjëherë pas luftës në Kosovë, themelova kompaninë time të re “Euro Aktiva 2000”, me seli në Ferizaj, pasi që kërkesat për materiale ndërtimore pas luftës ishin të mëdha, për shkak të dëmeve që kishin ndodhur gjatë luftës. Meqë unë e njihja tregun e Kosovës, shfrytëzova këtë moment të volitshëm të tregut. Ndërsa, në Shkup, në vitit 95-96 kisha formuar kompaninë “Euroaktiva”. Në Shkup, në kompani kyça vëllezërit e mi, por jo si punëtorë, por si aksionarë, sepse konsiderova se si punëtorë do t’i mashtrojë paraja. Gjithmonë jam munduar të menaxhoj paranë. Mund të kesh fitime dhe të krijosh para – kapital, por, po qe se atij kapitali financiar nuk i gjen vendin e duhur për investim, edhe mund të humbasin. Duhet mençuri, mbi të gjitha, të jesh vizionar, por njëkohësisht ta marrësh mbi vete edhe riskun. Asnjë investim nuk garanton që do të jetë profitabil.

 

KOHA: Ju mbani përgjegjësi të pakufizuara. Pra, çfarëdo borxhi apo dëmi që ka shkaktuar biznesi juaj, duhet të paguhet nga ju vetë, edhe nëse kjo do të thotë se duhet ta shisni tokën, shtëpinë, veturën etj. Ky është një rrezik serioz dhe një rrezik që kërkon mendim dhe diskutime me avokatë, agjentë të sigurimit dhe të tjerë?

ALIU: Për të qenë një biznes i kompletuar dhe për të minimizuar rrezikun që ndërmarrja të mos vijë në një situatë që të mos ju përgjigjet obligimeve të veta, kompania ka nevojë edhe për avokatë, ka nevojë edhe për përvoja të ndryshme, seminare, konsultime me biznesmen, të cilët kanë filluar biznesin para teje, që të marrësh diçka edhe nga përvoja e tyre. Por, gjatë funksionimit të kompanisë tonë (tani flasë për kompaninë që bashkëpunoj me dy vëllezërit: Seferin dhe Abedinin), atë e kemi menaxhuar mirë. Kemi qenë të organizuar në nivel në të gjitha sektorët, duke mos përjashtuar kontaktet me avokatin në mënyrë permanente. Si parim kryesor i biznesit tonë ka qenë dhe do të mbetet që në asnjë moment gjatë punës tonë, gjatë biznesit tonë, të mos vijmë ndesh me ligjin. Ligjin dhe rregullativën ligjore të RM-së, po edhe në atë kohë të Kosovës, Serbisë (kam punuar edhe kur Kosova ishte nën okupimin e Serbisë dhe e lirë), gjithmonë kemi qenë të kujdesshëm.

 

KOHA: Bizneset shpesh ankohen se e kanë të vështirë të gjejnë punëtorë të mirë. Stafi juaj është i përshtatshëm me kriteret e juaja dhe biznesit. A i zëvendësoni shpesh punëtorët. Çfarë raporte keni me personelin e juaj?

ALIU: Ne kemi edhe menaxher në biznesin tonë. Por, këshillat dhe instruksionet që ua japim menaxherëve tanë, janë se ata duhet të kenë sjellje në nivel sa më të lartë të mundshëm. Në kompaninë tonë numri i punëtorëve sillet afër 150 punëtorë. Ata janë të kënaqur, qoftë edhe nga aspekti material, qoftë edhe nga sjellja e pronarit. Rrallë ka ndodhur që të lëshon punën. Janë shumë me rëndësi marrëdhëniet mes pronarit dhe punëtorit. Jam shumë i kujdesshëm në bashkëbisedim. Kur punëtorit i ndërrohet pozicioni i punës, mundohem që ta bind me fakte. Kemi qenë të gatshëm që edhe në kurse, t’i dërgojmë, për avancimin e tyre në punë. Edhe në pjesën e stimulimit jemi shumë të kujdesshëm. Vet fakti që shumica e punëtorëve që janë në punë, janë që nga fillimi në kompani. Kjo flet që ata janë të kënaqur nga të ardhurat dhe sjellja e pronarit.

 

KOHA: Si pronar i Kompanisë “Euroaktiva”, me portfolio të gjerë të materialeve ndërtimore furnizoni tregun e vendit, por njëkohësisht edhe eksportoni. Tani më e keni dëshmuar veten si një ndër kompanitë më të suksesshme në këtë fushë veprimi. Ku synoni të arrini?

ALIU: Synimi im ka qenë të arrij deri te një kompani gjigande, për arsye se i kemi pasur të gjitha parakushtet, vullnetin, harmonin, koordinimin familjar, mirëpo si t’ju them.., kohët e fundit jam paksa i dëshpëruar. Deri në vitin 2012 ne kemi qenë në piedestalin më të lartë të top 100 kompanive shqiptare në RM. Këtë vit (që e kam të vështirë ta përmend, sepse më rrëqethet trupit), ndodhi diçka që nuk e kemi pritë asnjëherë, ndodhi ‘një kontroll’ e pazakontë dhe.., si t’ju them.., është një kohë që.., as s’e kisha paramenduar e as ëndërruar se një kompanie t’i ndodh një situatë e këtillë, ku ishte një kontroll e pazakontë – tendencioze… Po e lë me kaq këtë tregim… Por, ne vazhduam me punën edhe pas atij problemi dhe jemi duke ecur mirë, mirëpo dëmi qe i madh, njëherë si autoritet, si brend që u krijua si “Euroaktiva”, kisha dëme të mëdha në çdo aspekt (besoj që nuk ka hapësirë në rubrikën e juaj, Delvina, për ta treguar këtë tregim jo të këndshëm). Mirëpo, ne vazhduam me punë, sepse ne shqiptarët e duam punën, por si shqiptarë nuk kemi ndonjë traditë ose shembull të kompanive të fuqishme, të mëdha, me përmasa rajonale – evropiane, se botërore nuk mund të flitet. Kur shqiptarët shihen se kanë arritur në një cak, në një nivel të lartë të biznesit, siç ishim ne – pengohet. Edhepse është një biznes familjar, edhe investimet që i kemi bërë kanë qenë për nevojat familjare, të fëmijëve, të nipave e mbesave, që ata të kenë vend ku të punësohen. Mirëpo, kur ndodhin probleme të tilla.., ato probleme vargojnë zinxhir… Sidoqoftë, ne do të punojmë drejt atij caku ku synojmë, qoftë me përkrahjen e vëllezërve apo jo, do të punoj në atë drejtim të biznesit, nuk do të ndalem…

KOHA: Biznesi juaj është pjesë në trekëndëshin Maqedoni-Kosovë-Shqipëri. Cilat janë sfidat dhe arritjet në këto tre shtete gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, ku Ju keni depërtuar në treg?

ALIU: Momentalisht jemi të përqendruar vetëm në tregun e Maqedonisë. Por, nëse do të përgjigjem në pyetjen e juaj se si kemi vepruar e funksionuar në Kosovë e Shqipëri, mund të them se në Kosovë kemi bërë një biznes të shkëlqyer. Baza e gjithë suksesit është nga biznesi i bërë në Kosovë. Pas luftës ne kemi qenë shumë prezent në tregun andej, me materiale ndërtimore në sasi të mëdha. Kemi qenë numër një me materiale ndërtimore dhe me hekur, rrjetat e hekurit gjithashtu për ndërtim, me hidro izolime, me çimento, po edhe me materiale të tjera, si tulla e kështu me radhë. Aq mirë kemi punuar gjatë viteve 2000 – 2010, në Kosovë, por më vonë vendosëm që investimet t’i bëjmë këtu, pranë familjes, ky ishte vendimi im i prerë. Çdo investim duhet të udhëhiqet nga menaxher të suksesshëm, por njëherë duhet ditur që ato menaxherë të jenë edhe anëtarë të familjes, që ky biznes të trashëgohet, sidomos kontakti me paranë, aty të jenë prezent familjarët. Edhe në Shqipëri kemi qenë prezent më shumë se 4 vite, por nuk jemi të kënaqur nga tregu, obligimet që na detyroheshin neve u zëvendësuan me një lloj pune tjetër. Filluam me ndërtim, sigurisht me partner që kishte obligime ndaj nesh, për të arritur t’i kompensojmë harxhimet që kishim bërë në tregun e atjeshëm. Edhe pse ky lloj i biznesit nuk ec si në vitet e mëhershme, sepse viteve të fundit filloi me të madhe të ndërtohet. Ne kemi dy ndërtesa, në finalizim, me partneritet. Por, Shqipëria është një vend që shumë biznesmen kanë përvojë të hidhur. Ne tashmë jemi të koncentruar në tregun e Maqedonisë dhe kemi investimin më të madh të kompanisë tonë, që kur ekziston, në kompleksin ‘Grand Prestige’, lokacioni te Alumina. Dy ndërtesa janë përfunduar dhe kanë mbet edhe dy ndërtesa për t’u ndërtuar.

 

KOHA: “Euroaktiva” posedon pompë karburanti me market, restorant, servis dhe agjencion i sigurimit, që siguron kapitalin e Euroaktivës dhe në cilësinë e koinvestitorit ndërton kompleks banesore. Ndoshta biznesi juaj siguron një shërbim të ri për të sjellë një lumë shtesë të të ardhurave. Pra, e bazoni zgjerimin e biznesit dhe tregut në instinktin tuaj dhe jo në hulumtimin e tregut?

ALIU: Varësisht prej fazave të zhvillimit lind edhe ideja për zgjerim të biznesit. Po të bisedoni me dikë, do të thuhet “Ah, ata nuk mund të ndalen” , mirëpo në biznes ka një formulë: Ose duhet të jesh në hap me konkurrentët ose konkurrentët bëhen më të fuqishëm se biznesi që kemi. Por, këtu në Maqedoni ndodh ndryshe, sidomos kur politika futet edhe në biznes, atëherë kjo formulë (ndoshta) edhe nuk vlen. Kjo formulë vlen atëherë kur funksionojnë ligjet e tregut, me qëllim që të shohim se duhet të zhvillohesh, zgjerosh biznesin, të rritet ideja, por edhe nga koncesionet (siç e kemi koncesionin e gurthyesit për rrugën në Kosovë, na kanë premtuar edhe koncesionin e ujit në Orçushe, ku edhe e kemi fituar tenderin, por përgjigje negative kemi, për të vazhduar). Në biznes ka probleme të natyrave të ndryshme, por desha të arsyetoj te shoqëria se në biznes kërkohet investimi dhe zgjerimi që të jesh në hap ose një hap përpara me konkurrentin, drejt rritjes së profitit.

 

KOHA: Përveç veprimtarisë afariste, përgjegjësia e lartë sociale e Juaja, pra e kompanisë, ka bërë që të jeni human. Përkrahni sportistët, artistët, pra kulturën, sportin etj. Ajo që na bashkon me të gjithë njerëzit e tjerë, është pikërisht fakti që jemi njerëz dhe qenie humane?

ALIU: Ne kemi përkrahur klube, shoqata, njerëz të vobektë, varësisht në cilën fazë të biznesit kemi qenë dhe vazhdojmë të përkrahim këtë kategori të njerëzve. Ne e dimë se në pjesën shqiptare ato kërkesa janë të mëdha dhe sado që të jesh human, zemërgjerë, sado që të kesh zhvillim dhe profit, nuk do të mund t’u përgjigjemi të gjitha atyre kërkesave, që janë të shumta. Por, kjo vjen edhe si rezultat i diskriminimit që i bëhet popullatës shqiptare këtu. Jam munduar që në mënyrë solide t’u përgjigjem kërkesave të tyre. Njerëzit edhe mund të vënë në baraspeshë humanizmin tim me dikë tjetër, por e tregojnë veprat tona. Kapitali më i madh që më ka lënë baba në jetë është shprehia e punës dhe humanizmi.

 

KOHA: Zoti Aliu, njiheni si biznesmen i suksesshëm. Por, që biznesi të funksionojë ashtu siç duhet, kërkohet që politika të mos zhyt dorën në bizneset private? Si qëndron puna në këtë drejtim?

ALIU: Ashtu duhet të jetë, politika nuk duhet të zhyt dorën në bizneset private. Por, te ne ndodh e kundërta. Nëse i kemi parasysh parimet ekonomike, nëse e kemi parasysh funksionimin e tregjeve të shteteve të zhvilluara, mund të vijmë në një përfundim se çdo biznes mund të funksionoj vetëm nëse ekonomia të funksionojë në bazë të ligjeve të tregut, kurse politika t’i ketë larg duart nga biznesi. Kur ekonomia funksionon në bazë të ligjeve të tregut, përfiton edhe shoqëria jonë. Kur funksionon ligji i tregut, e dimë se nuk do të kemi çmime monopoliste, do të kemi çmime që i përkasin realitetit të ekonomisë, në Maqedoni. Kohët e fundit ndodh që politika të ndërhyjë në biznes. Ndërhyrja e këtillë, e çrregullon funksionimin e biznesit. Kur prishen parametrat e ekonomisë, nuk funksionon investimi, zgjerimi i biznesit, sepse biznesi ndjen një pasiguri. Unë kisha apeluar deri te partia që do të del fituese dhe që do të merr legjitimitetin për të krijuar qeveri, që vendimi i parë i asaj qeverie të jetë: Dora e politikës të jetë sa më larg bizneseve private.

 

KOHA: Në vendin tonë më mirë është të jesh politikan apo biznesmen?

ALIU: Pyetje shumë e qëlluar. Asnjë biznesmen nuk do të kishte marrë vendim për të bërë biznes në kushte të këtilla. Secili biznesmen do të mundohej të hynte në ndonjë institucion të shtetit, sepse sot ashtu ka ardhur koha. Ashtu funksionon, në moment, ekonomia jonë. Se shumë më shumë janë tërheqëse pozicionet në institucione se sa në biznes. Të bësh biznes në këtë situatë, në të cilën ndodhet Maqedonia, nuk është lehtë.

 

KOHA: Do të doja t’ju pyesja sa i përkushtoheni familjes?

ALIU: Unë kam dy vajza dhe një djalë. Vajza e madhe Egzona, ka kryer masterin për biznes menaxhment, në Shefielld, një Universitet i Londrës, e cila menaxhoi restorantin në një kohë dhe pastaj e pa të arsyeshme të punojë në Dubai, për të marrë përvojë. Kam edhe vajzën e dytë, Zana, ka kryer shkallën e tretë në Fakultetin e Drejtësisë, në American Colege dhe djali Bleroni, i cili është maturant. Biznesi familjar mund të funksionojë nëse respektohen parimet e biznesit, nëse në biznes ka tolerancë siç ndodh në familje atëherë ka pasoja të rënda. Kjo ndikon negativisht edhe ndaj punëtorëve të tjerë në biznes. Pra, kështu mund të funksionojë një biznes familjar duke i zbatuar kriteret dhe parimet e ekonomisë së tregut. Në punë nuk jemi në pozicione familjare, por jemi në pozicione pronar – menaxher – punëtor, ku këto pozicione respektohen deri në fund.

© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të Ngjajshme