Ndonëse mund të tingëllojë krejtësisht paradoksale, por konkretisht Slaven Bilic, jo pak por trajneri i ekipit, mund të jetë i vetmi në kampin e West Ham që në këto momente nuk mund të jetë vënë kundër yllit të ekipit londinez, Dimitri Payet, pas kërkesës së këtij të fundit për tu larguar, pasi nuk dëshiron më të luajë në të njëjtin klub. Në një moment kur për drejtuesit, skuadra, por mbi të gjithë, tifozët e West Ham është shndërruar në njerin më të urryer, Payet ka simpatinë e Bilic, i cili 20 vite më parë ka qenë tekstualisht në të njëjtën situatë identike me atë të francezit. Payet i tha klubit se nuk do të luajë më gjatë për West Ham, pasi synon të rikthehet te Marseille, madje futbollisti i përfaqësueses së Francës kërcënoi se do të improvizonte dëmtim të rremë për të mos luajtur, nëse nuk do ta lejonin të largohet. Bilic pranoi se u ndje i tradhëtuar dhe i mërzitur me futbollistin 29-vjeçarin. “Ai është futbollisti ynë më i mirë, ndaj dhe nënshkruam një kontratë afatgjatë. I dhamë gjithçka, ishim gjithmonë aty për atë. Pres që ai të shfaqë përkushtim”, deklaroi Bilic, por 20 vite më parë, në 1997, trajneri i asaj kohe i West Ham, Harry Redknapp u përball me të njëjtën situatë, por asaj kohe, në rolin e Payet, ishte pikërisht trajneri aktual i ekipit londinez, 28-vjeçari, Slaven Bilic. Kroati luajti një sezon në “Upton Park” përpara se të provonte të bënte transferimin e tij te Everton. Në mars të vitit 1997, Redknapp deklaroi: “Ai është nën një kontratë fantastike, është futbollisti më i paguar në historinë e klubit. Ai e nënshkroi atë… Tani kërkon të transferohet dhe ndjen se Everton është një klub i madh dhe ne nuk mund të bëjmë asgjë. Sipas nesh, West Ham është një klub i madh, por ai e mendon ndryshe”. Asaj kohe, në merkaton e verës, Bilic u shit për 4.5 milionë sterlina nga West Ham te Everton. Vetë Bilic, asaj kohe deklaronte: “Më duhej ta bëja këtë gjë. Ne jemi profesionistë, të gjihtë futbollistët e dinë, nëse të vjen shansi nga një klub i madh, atëherë duhet ta kapësh atë”. Gjithsesi, ndonëse mes dy rasteve ka shumë ngjashmëri, asaj kohe, Bilic nuk refuzoi kurrë që të luante për West Ham. Ndërkohë, ultimatum i Payet është përballur me irritimin e tifozerisë së “Hammers-ave”.