Laura PAPRANIKU
Shkup, 28 prill – Arsimi i mesëm muzikor në gjuhën shqipe në kryeqytet, në vend që të shënojë rritje në numrin e nxënësve që regjistrojë këtë lloj shkollimi, ka pësuar rënie viteve të fundit. Këtë e vërtetojnë edhe numrat e nxënësve që aktualisht janë në paralelet me mësim në shqipe në Shkollën e Mesme të Muzikës dhe Baletit, “Ilia N. Luj” në Shkup, shkruan gazeta KOHA. Në katër vitet e fundit ka një rënie permanente të nxënësve, e cila lexohet fare qartë edhe në numrin e tyre nga viti i katërt në vitin e parë. Numerikisht situata është si vijon: 20 nxënës në vitin e katërt, 16 vitin e tretë, 13 vitin e dytë dhe 11 vitin e parë.
Vitin që shkoi, në paralelen shqipe të SHM “Ilia N. Luj”, u shënua rekordi negativ i regjistrimit të nxënësve prej se funksionojë këto paralele, e ndikuar edhe nga ulja drastike e numrit të gjysmë-maturantëve të atij viti në nivel të gjithë Maqedonisë. Por, pavarësisht kësaj, për Mustafa Imerin përgjegjësin e këtyre paraleleve, është tepër shqetësuese qasja në përgjithësi e shoqërisë shqiptar ndaj shkollimit artistik muzikor. “Në përgjithësi shumë pak ia dimë vlerën shkollimit muzikor. Të kënduarit e konsiderojmë si diçka për të cilën të duhet pak dhunti dhe që falë kësaj mund të depërtosh në tregun muzikor edhe pa bërë shkollë muzike. Mos të flasim pastaj për atë kategori që muzikën e trajtojë si këndim a-kapela, pra të pa shoqëruar nga instrumentet muzikore, sepse muzika na qenka haram dhe prandaj u dashka të këndohet pa muzikë”, shprehet Imeri. Për këtë ai numëron një sërë faktorësh socio-kulturor dhe që burimin e kanë në bankat e shkollës fillore. Në radhë të parë, thotë Imeri, që në institucionet shkollore, nëpër shkolla fillore dhe të mesme jo muzikore, lënda e muzikës trajtohet si diçka e parëndësishme. Si lëndë, ku nxënësit duhet të kenë nota pesëshe pa gjykuar nëse e meritojnë këtë notë ose jo. “Çdo herë nëpër mbledhjet e përfundimit të suksesit të notave, mësimdhënësve të muzikës u kërkohet t’i përmirësojnë notat që i kanë shënuar dhe mundësisht të gjitha t’i bëjnë pesa, me qëllim që të rritet mesatarja e notave në shkollë dhe suksesi i nxënësve. Sepse, sipas shumë prej tyre, nuk është e rëndësishme nëse nxënësi ka zë për të kënduar ose jo. Gjithçka e lidhin me dhuntinë e zërit, pa qenë në gjendje të kuptojnë se muzika nuk është vetëm këndim, por është art që ka historinë dhe mbi të gjitha mjet për ngritjen shpirtërore dhe intelektuale”, shpjegon Imeri. Në rrethana të këtilla, kur muzika humb rëndësinë nga vetë shkolla, s’kemi si të presim një marrëdhënie më të afër të shoqërisë me shkollën e muzikës nga çfarë e kemi aktualisht.
Bashkëpunimi i shkollave fillore më shkollat e mesme të muzikës është gjithashtu për të mos u dëshiruar. “Pjesën më të madhe të nxënësve që regjistrohen në paralelet e mesme të muzikës i kemi ose nga kontingjenti i nxënësve që paraprakisht kanë qenë nxënës në shkollën e ulët të muzikës ose që vijnë përmes lidhjeve tona miqësore me prindërit e tyre”, pohon Imeri, ndërsa nënvizon mungesën e bashkëpunimit institucional të shkollave fillore me shkollat e artit muzikor. “Nuk ka ndodhur asnjëherë deri tani që shkollat fillore të vijnë dhe të interesohen se si të regjistrojnë këtu nxënësit e talentuar në muzikë. Neve, si shkollë e mesme nuk kemi mjete dhe mundësi të vizitojmë të gjitha shkollat fillore apo të organizojmë fushata propagandimi”. Mbase, këtë duhet ta bëjë Ministria e Arsimit dhe Shkencës , e cila duhet të përgatitën programe të veçanta për orientimin e nxënësve në shkollat e mesme të muzikës. Fundja, ky lloj shkollimi edhe më ligj është i përcaktuar si interes shtetëror të cilin e përcakton MASH-i. Në këtë kategori bien edhe shkollat e artit figurativ dhe kulturës fizike.
NGA 15 MAJI REGJISTROHENI FILLORISTËT
Paralelet e ulëta të muzikës, të cilësuara si shumë të rëndësishme në përgatitjen e muzicientëve të ardhshëm, nga muaji i ardhëm do të nisin regjistrimet. Nga 15 deri 31 janar në “Ilia N. Luj” do të jetë afati i regjistrimit të nxënësve të klasave të parë për paralelet e ulëta të shkollës së muzikës. Pranohen fëmijë të moshës 7 dhe 8 vjet, pra ata që në shkollat e rregullta janë klasa e parë ose e dytë. Kësi paralelesh me mësim në gjuhën shqipe, përveç se në “Ilia N. Luj” funksionojnë edhe në hapësirat e SHF “Petar Z. Penko” në Komunën e Butelit. Regjistrimi i fëmijëve mund të bëhet edhe on-line në faqen zyrtare të Shkollës së Muzikës dhe Baletit “Ilia N. Luj”.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara