Shkup, 17 shkurt – Skuadra e Shkupit është në fazën e fundit të përgatitjeve për ndeshjen e parë të sezonit pranveror, kur të dielën do të jetë mysafire e ekipit të Vardarit në stadiumin “Telekom Arena” në Shkup. Për këtë ndeshje trajneri Ardian Nuhiu është duke përgatitur skemën e lojës dhe tani më futbollistët që ka në dispozicion kanë marrë instruksionet.
Siç paralajmëruam para disa dite, trajneri Nuhiu nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e Jasir Asani, i cili është në formë huazimi te Shkupi dhe në bazë të marrëveshjes së dy klubeve, futbollisti i kombëtares shqiptare U21, debutimin e tij në ndeshje zyrtare duhet ta presë në ndeshjen ndaj Rabotniçkit. Gjithashtu akoma nuk dihet nëse do të luajnë apo jo Emmanuel Mbella, Sedat Berisha por edhe Nikolla Iliç, të cilëve nuk u kanë arritur ende dokumentacionet e nevojshme, ndërsa shkaku i pesë kartonëve të verdhë për këtë ndeshje do të mungojë mbrojtësi Dimitrija Llazarevski.
Mirëpo, edhe përkundër këtyre problemeve, trajneri Ardian Nuhiu mendon se ekipi i tij do të dalë në këtë ndeshje e përgatitur për të dhënë maksimumin, pasi që është një ndeshje derbi. “Ndeshja e parë sezonale nuk do të jetë aspak e lehtë, për faktin se do të duhen të kalohen së paku edhe tre deri katër xhiro për të arritur ngritjen maksimale të formës së futbollistëve. Ne të dielën luajmë kundër kampionit aktual, andaj do duhet pranuar se skuadra nikoqire është favorite. Por mos të harrojmë se Vardari është rivali ynë i përjetshëm dhe njëkohësisht kjo ndeshje është derbi më i madh në vend. Futbollistët tanë çdo herë në këto ndeshje kanë lënë shpirtin në fushë dhe besoj se edhe kësaj radhe do të jetë e njëjta”, deklaroi për faqen zyrtare të klubit bardhekaltër trajneri Ardian Nuhiu.
Ndërkohë, futbollistët të mërkurën kanë kryer kontrollimet mjekësore dhe më pas kanë shfrytëzuar ditë të lirë, ndërsa nga dje u janë rikthyer stërvitjes.