Paralajmërimi më i fortë drejtuar presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan erdhi nga kryetari i komisionit të Bundestagut për Politikën e Jashtme, Norbert Rottgen. Ai kërcënoi Turqinë me ndërprerjen e bisedimeve të anëtarësimit, nëse ky vend fut sistemin presidencial. Turqit duhet të dinë para se të vendosin me referendum për një reformë kushtetuese në favor të presidentit aktual, se ata vendosin edhe për marrëdhënien e Turqisë me Bashkimin Evropian, u shpreh Rottgen në televizionin e parë gjerman, ARD. Me këtë reformë Turqia largohet nga rruga e demokracisë liberale, gjë që nuk pajtohet me BE-në. Rottgen i quajti planet turke “një puç të legalizuar shtetëror”. Politikani i CDU-së nuk deshi t’u japë përgjigje krahasimeve të Erdoganit me nazizmin. “Nuk biem në këtë nivel”, tha ai. Kryetari i fraksionit parlamentar të Partive Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian, Manfred Weber e paralajmëroi Erdoganin nga një shkallëzim tjetër i konfliktit me Gjermaninë dhe vendet e tjera evropiane. “Krenaria e një vendi nuk mund të mbrohet me fyerje”, tha politikani kristiansocial për grupin mediatik “Funke Mediengruppe”. Sulmet e Erdoganit për çdo ditë e më shumë bëhen më “absurde”, tha ai duket theksuar Evropa nuk do të lejojë të provokohet. Kreu i sapozgjedhur socialdemokrat dhe kandidati për kancelar gjerman, Martin Schulz e quajti akuzën e Erdoganit për metoda naziste të Merkelit një “paturpësi të pamatë”. Në televizionin ARD, ai u shpreh se nëse kreu i një shteti fyen kryetaren e qeverisë të një vendi mik kjo mund të quhet vetëm paturpësi. Erdogan shkel me këmbë të gjitha rregullat e diplomacisë ndërkombëtare. “Zoti Erdogan po humb çdo lloj kontrolli të retorikës së vet”. Lidhur me debatin për ndalimin e shfaqjeve elektorale të ministrave turq duhet zgjedhur një rrugë e mesme, theksoi kreu i komisionit të Bundestagut për politikën e Jashtme, Norbert Rottgen. Këto shfaqje publike duhet të ndalohen, kur rrezikohet siguria. Ndërsa ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel i cilësoi sulmet e Erdoganit si “absurde”. “Ne jemi tolerantë, por nuk jemi budallenj” i tha ai gazetës “Passauer Presse”. Të dielën Erdogan akuzoi edhe Merkelin personalisht për “metoda naziste kundër vëllezërve turq në Gjermani dhe ministrave të tij” . Akuza të tilla ai i kishte bërë më parë ndaj Holandës.