Likovë, 3 dhjetor – Bashkimi Demokratik për Integrim inspektoi punimet që po kryhen në trasenë Bellanoc-Stançiç në rajonin e Sllupçanit, ku po bëhen përgatitjet e fundit për shtrimin me asfalt të këtij segmenti të rëndësishëm. Me këtë rast, kandidati i Njësisë zgjedhore 2, Ejup Alimi tha se projekti në fjalë ka domethënie të madhe pasi rrjedh nga përbetimet që Bashkimi Demokratik për Integrim është zotuar ti kryej, sidomos ato që ndërlidhen me zhvillimin dhe barazinë ekonomike. “Si pjesë e Përbetimeve për zhvillim të barabartë ekonomik të rajonit të Likovës dhe si pjesë e Programit të BDI-së, jemi këtu që të inspektojmë ndërtimin e kësaj rruge, e cila besoj dhe jam i sigurt që do të ndikojë në sigurimin e zhvillimit të barabartë dhe të ngritjes së standardeve ekonomike, për të cilën kanë të drejtë banorët e Likovës, siç kanë edhe ata të gjithë Maqedonisë. Mund të them lirshëm se zhvillimi rajonal i Kumanovës dhe Likovës janë pjesë elementare dhe fundamentale e njërës nga shtyllat kryesore të BDI-së, asaj të Zhvillimit dhe Barazisë Ekonomike. E them bindshëm, se si në të kaluarën, edhe tash, Bashkimi Demokratik për Integrim ofron Programin më të mirë ekonomik për shqiptarët, program i cili numëron shumë projekte cilësore, më shumë se edhe në programet e kaluara”, ka thënë Alimi. Ndërsa, kryetari i Komunës së Likovës, Sadulla Duraku tha me këtë rast se pos rëndësisë ekonomike, projekti për ndërtimin e rrugës Bellanoc-Stançiç ka edhe domethënie tjetër, atë kombëtare, pasi mundëson mbajtjen e lidhjeve që I ka popullata shqiptare e Maqedonisë me atë të Kosovës. Segmenti rrugor Bellanoc-Stançiç, realizimi i së cilit do bëhet së shpejti, shënon një gjatësi rrugore prej 16.2 km rrugë moderne, e cila do të lehtësojë qarkullimin e njerëzve por edhe të bizneseve rajonale mes dy vendeve fqinje Maqedonisë dhe Kosovës. Ky projekt kap një vlerë prej 6.1 milionë eurove.