Kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta priti në takim në kabinetin e tij një delegacion të misionit të OSBE-së në Shkup, të udhëhequr nga zëvendësambasadori, Xhefri Golstajn. Gjatë takimit, siç thuhet në kumtesë, u bisedua rreth marrëdhënieve ndëretnike, me ç’rast Bejta nënvizoi që në Gostivar jetojnë shqiptarë, maqedonas, turq, romë dhe etni të tjera.
Historikisht, shtoi Bejta, bashkëjetesa ka qenë dhe është pasuri e çmuar e qytetarëve të Gostivarit të cilët jetojnë në harmoni të plotë mes veti dhe pa dallime etnike dhe religjioze.
“Gostivari është qyteti i miqve, është qytet që veçohet nga vendbanimet e tjera edhe për nga bashkëjetesa mes etnive të ndryshme”, tha kryetari Nevzat Bejta, duke folur për historikun dhe të tashmen e qytetit. Në takimin me drejtuesit e misionit të OSBE-së në Shkup, u diskutua rreth aktiviteteve dhe projekteve të realizuara dhe që pritet të realizohen brenda kohës nga ana e Komunës së Gostivarit.