BE e “shumë shpejtësish” apo e “shumë alternativash”?

Politikat shtrënguese dhe e kufizimeve të rrepta buxhetore rritën distancat, por edhe ritmet e zhvillimit të ekonomive midis vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, dhe përkeqësuan më shumë problemin e kohezionit social

32

Nga Aleksis CIPRAS

Fakti që Bashkimi Evropian ndodhet aktualisht në krizë orientimi, nuk është diçka që duhet të na befasojë, apo të na habisë. Vitet e fundit, integrimi dhe përparimi evropian u përballën me dy kriza, me krizën ekonomike dhe krizën e refugjatëve, dhe konkluzionet nuk janë aspak inkurajuese.  Politikat shtrënguese dhe e kufizimeve të rrepta buxhetore rritën distancat, por edhe ritmet e zhvillimit të ekonomive midis vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, dhe përkeqësuan më shumë problemin e kohezionit social. Nga ana tjetër, kriza e refugjatëve forcoi tendencat e ksenofobisë dhe të euroskepticizmit në shtresat konservatore të shoqërisë, duke ushqyer dhe fuqizuar politikisht populizmin e ekstremit të djathtë dhe sigurisht, vuri në provë unitetin, kohezionin dhe autoritetin e Bashkimit Evropian, për të konkretizuar angazhime dhe vendime të marra së bashku. Pasiguria ekonomike dhe gjeopolitike rritet si prej pasojave të Brexit, ashtu edhe prej zhvillimeve të paeksploruara në anën tjetër të Atlantikut. Ndërkohë, përballjet kritike elektorale në shumë vende të rëndësishme evropiane gjatë këtij viti, duke pasur parasysh edhe rritjen e shpejtë të ndikimit politik, jo thjesht të euroskepticizmit, por edhe të euromohimit, krijojnë një klimë shqetësimi në rritje, jo vetëm për të ardhmen dhe karakterin, por edhe për vetë ekzistencën e Bashkimit Evropian.

Në këtë kontekst, është e drejtë dhe e justifikueshme që të fillojë dialogu e të merren vendime të guximshme. Gjëja më e keqe që mund të bënim, është të besojmë se nuk është i gabuar kursi i anijes që drejtojmë, por fajin e ka deti. Vërtet që diskutimi është në fillimet e veta, por, duke pasur parasysh rrethanat e ngjarjeve, pritet të vazhdojë me ritme të shpejt. Prandaj do të ishte shumë konstruktive që të gjithë të interesuarit të formulojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe me sinqeritet atë që mendojnë. Vendet anëtare të Bashkimit Evropian duhet t’i japin shtysë këtij diskutimi, duke përcaktuar rregullat, kuadrin dhe përmbajtjen që do të karakterizojë të ardhmen e Bashkimit Evropian, në mënyrë që të mos kemi më kthime mbrapa në ato që kemi fituar si Evropë dhe t’i pritet rruga çdo de facto eventuale përçarjeje të Evropës së Bashkuar. Nga ana tjetër, është shumë e rëndësishme që jo vetëm të marrim vendime të drejta, por ato të jenë realiste dhe të zbatueshme, sigurisht, brenda kuadrit që përftohet prej raporteve ekzistuese. Dhe nuk u referohem vetëm raporteve politike, por edhe atyre ndërmjet 27 vendeve anëtare me prioritete, me mundësi ekonomike, por edhe me kultura politike të ndryshme.

Përballë kësaj gjendjeje dhe ekuilibrave ekzistues, është e qartë që deklaratat e shteteve anëtare për “një Bashkim gjithnjë e më të ngushtë”, e kanë humbur dinamikën dhe përmbajtjen e tyre. Përkundrazi, ajo që duket se po dominon, është prirja, gjithnjë e më e theksuar, për një Evropë “me përzgjedhje”. Domethënë, për një Evropë “a la carte”, në të cilën secili do të kërkojë që të shkëpusë maksimumin e përfitimeve, të marrë pjesë në tregun e përbashkët, në fondet strukturore dhe në fondin e kohezionit, por vetë ai të kontribuojë në mënyrë selektive. Këtë e pamë në mënyrë shumë të qartë në krizën e refugjatëve, ku disa shtete nuk pranuan që të zbatonin angazhimet e detyrueshme për të gjithë, për rishpërndarjen e refugjatëve, por u “fortifikuan” mbrapa gardheve dhe kufijve të mbyllur. Një praktikë e tillë përmban rrezikun e degradimit të Bashkimit Europian, në një zonë shkëmbimesh të lira tregtare. Minimi i solidaritetit ndërmjet partnerëve, është një tregues shumë shqetësues për sa i përket nivelit dhe cilësisë së kohezionit evropian. Është gjithashtu po aq shqetësues forcimi që po vihet re në shumë vende, i ekstremit të djathtë dhe i tendencave izolacioniste, që vërteton krizën kolosale të besimit që grupe të gjera shoqërore ushqejnë për modelin evropian.

Por, a është vallë “Evropa e shumë shpejtësive” përgjigjja për këtë dobësi të dukshme? Do të duhet të mendojmë me shumë kujdes, përpara se t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje! Alpinistët që ngjiten, duke pasur një litar që i lidh njërin me tjetrin, avancojnë me shpejtësi të njëjtë. Nëse heqin dorë nga ky litar, konturohet një kuadër i ri, me mundësi për shpejtësi të ndryshme. Dhe pas kësaj, varet nga fuqia dhe zotësia e secilit, nëse do të vazhdojë të mbajë kontaktet me grupin e më të fuqishmëve apo do të vazhdojë i vetëm, në një drejtim që do ta gjykojë si më të volitshëm.

Kjo nuk do të thotë më shumë liri. Do të thotë braktisje të përgjegjësive që kanë më të fuqishmit ndaj atyre që janë më të dobët. Është e qartë se një model i tillë, ku më të fortët përcaktojnë rregullat për veten e tyre dhe ku secili është i lirë që t’i ndjekë apo të shkatërrohet, nuk mund të jetë i pranueshëm. As në nivelin e shoqërisë, por as si perspektivë për të ardhmen evropiane. Nga ana tjetër, nëse garantojmë se të gjithë jemi në anijen që po lundron me të njëjtën shpejtësi, nuk është e mundur që, për shkak se disa dëshirojnë që të qëndrojnë në kabinë, t’u mbyllim derën edhe atyre që dëshirojnë të dalin në kuvertën e anijes. Pra, nëse kemi nevojë për një ripërcaktim të gjendjes së sotme, është më mirë që të flasim jo për një Evropë të “shumë shpejtësive”, por për një Evropë “të shumë alternativave”. Nëse Bashkimi Evropian i së nesërmes dëshiron që t’u japë mundësi “atyre që duan më shumë, të bëjnë më shumë” dhe të synojnë nivele të diferencuara integrimi, kjo duhet të bëhet e arritshme nëpërmjet kushteve të caktuara, që do të garantojnë karakterin e hapur, demokratik dhe koherent të Bashkimit.

E para, që çdo diskutim në lidhje me këtë, dhe për më tepër, çdo vendim, do të duhet të merret në kuadrin e kushteve, rregullave dhe procedurave që janë aktualisht në fuqi në Bashkimin Evropian, si edhe në bazë të atyre që parashikohen nga Traktati i Lisbonës, i cili është sot “Kushtetuta” e Bashkimit Evropian.

Së dyti, thellimi i mëtejshëm në fusha konkrete të politikës duhet të fillojë nga niveli aktual i bashkëpunimit të forcuar, atje ku ekziston, dhe të mos shënojë një kthim mbrapsht. Do të duhet, pra, të braktiset çdo mendim shpërbërjeje të institucioneve të sotme vendimmarrjesh të mëdha, siç është Eurozona dhe hapësira Shengen.

Së treti, duhet të braktiset çdo ide për “klube” të mbyllura të të fuqishmëve, me rregullat e veta të brendshme, nga të cilat do të përjashtohet kushdo qoftë i tretë, ashtu sikurse duhet të braktiset çdo ide për një bërthamë të fortë brenda Eurozonës, rreth së cilës, të gjitha vendet e tjera, do të rrotullohen detyrimisht si satelitë. Çfarëdo nivel bashkëpunimi të përforcuar, duhet të jetë i hapur dhe lirisht i aksesueshëm për të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

Së fundi, e katërta, duhet gjithashtu të parandalojmë dobësimin e politikave evropiane të kohezionit dhe të konvergjencës. Domethënë të politikave që i japin jetë parimit të solidaritetit dhe garantojnë se Bashkimi Evropian i shumë alternativave nuk do të thotë shpërbërje dhe fund për Evropën e sotme.

Greqia, e cila përkundër disa dashamirësve gjendet shumë pranë objektivave të vlerësimit të dytë dhe të masave afatmesme për ta bërë borxhin të menaxhueshëm, del pas plot shtatë vjetësh nga një tunel i gjatë dhe i errët. Populli grek ka mbajtur në shpatullat e veta në emër të Evropës një barrë disproporcionale, përderisa u gjend në vorbullën e krizës ekonomike dhe krizës së refugjatëve. Dhe e përballuam këtë barrë të rëndë, duke qenë se alternativa jonë ishte që të qëndrojë vendi në bërthamën më të përparuar të integrimit, në hapësirën Shengen dhe në Eurozonë. Pra, na takon e drejta që të kemi rol parësor në debatin për të ardhmen e Bashkimit Evropian. Në çdo rast, ky debat duhet të ketë në epiqendër një strategji evropiane të riorientuar te zhvillimi dhe solidariteti. Përndryshe, hendeku midis institucioneve evropiane dhe shoqërive evropiane vazhdimisht do të thellohet, jo vetëm në vendet më pak, por edhe në ato më shumë ekonomikisht të zhvilluara.

Evropa progresiste, sindikatat dhe forcat shoqërore, ambientet politike të së Majtës, të Socialdemokracisë dhe të Ekologjisë, duhet gjithashtu të kërkojnë një rol të ri udhëheqës te këto zhvillime. Të punojnë së bashku, pa asnjë interes dhe paragjykim, për hartimin e një axhende progresive dhe alternative për Evropën, e cila do të synojë të fitojë shumicën demokratike, me objektiva kryesorë strategjikë konsolidimin e demokracisë, sanksionimin e punës dinjitoze, mbrojtjen e shtetit social dhe zvogëlimin e pabarazive shoqërore e rajonale. Një agjendë e tillë është e vetmja përgjigje efektive ndaj forcave të populizmit të ekstremit të djathtë, të izolimit dhe të ksenofobisë, për rrjedhojë, është e vetmja mënyrë që të mbajmë Evropën të bashkuar. Rruga që duhet të ndjekim është rruga që çon në një Evropë demokratike dhe sociale. “Korridor tjetër i pastër” për të ardhmen, nuk ekziston!

(Autori është kryeministër i Greqisë)

Të Ngjajshme