Fatos RUSHITI
Shkup, 16 shkurt – Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) pret nga BDI të përgjigjet përmes nënshkrimeve për të siguruar mandatin nga presidenti Ivanov, shkruan në numrin e sotëm gazeta KOHA. Kështu ka deklaruar të mërkurën zëdhënësi i kësaj partie Petre Shillegov. Në lidhje me spekulimet në media rreth mosmarrëveshjeve mbi përdorimin e gjuhës shqipe, Shillegov tha se “të gjitha spekulimet në media për temat senzitive do t’i komentojmë nga pozicioni i mandatarit për formimin e Qeverisë”. Zëdhënësi Shillegov konfirmoi se garancitë në letër për Platformën shqiptare i kanë dërguar vetëm në BDI. Nga ana tjetër, BDI pas marrjes së përgjigjes nga LSDM ka lëvizur menjëherë drejt konsultimeve me partitë shqiptare. Tre nënkryetarëve saj, Teuta Arifi Izet Mexhiti dhe Nevzat Bejta, kanë takuar mbrëmjen e së martës sekretarin e përgjithshëm të LR-PDSH-së Arben Taravari dhe nënkryetarin Agon Ferati. Megjithatë, askush nga pjesëmarrësit e takimit nuk u deklaruan për përgjigjet me shkrim të LSDM. Arbën Taravari nga LR PDSH thotë se ende nuk kanë qëndrim në lidhje me përgjigjet e LSDM-së dhe për këtë do të diskutohet në kryesinë e partisë. Ndonëse përgjigjet e LSDM-së ndaj Platformës shqiptare nuk janë bërë transparente për mediat dhe qytetarët, gazeta KOHA nga burime të saj të afërta me partitë shqiptare merr vesh për disa detaje nga ato çfarë ka shkruar LSDM. Partia e Zaevit, gjithnjë sipas këtyre burimeve, ka dhënë garanci për ligj të ri për përdorimin vetëm të gjuhës shqipe, duke abroguar ligjin e vitin 2008 për përdorimin e gjuhëve të komuniteteve joshumicë. LSDM ka pranua status shumë më të avancuar të përdorimit të gjuhës shqipe nivel qendror se sa që ka ofruar VMRO, thonë burime nga partitë politike shqiptare. Sipas përgjigjes së LSDM-së, gjuha shqipe do të jetë zyrtare për përdorim të brendshëm në nivel të gjithë pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor, me ç’rast ministrat shqiptarë do të flasin në gjuhën shqipe në mbledhjet qeveritare, në takimet me ministrat maqedonas dhe funksionarë tjerë maqedonas, si dhe me delegacionet e huaja që vizitojnë vendin tonë. Që të lehtësohet kjo, LSDM ka premtuar formimin e një komisioni qeveritar i përbërë nga lektorë të gjuhës shqipe, të cilët do të përkthejnë çdo vendim dhe çdo dokument nga Qeveria dhe ministritë. Poashtu, siç merret vesh nga burime partiake, në gjuhën shqipe do të flasin edhe anëtarët e komisioneve shtetërore, ndërsa avancime do të ketë edhe sa i përket komunikimit të qytetarëve me administratën shtetërore. Poashtu në gjuhën shqipe do të mund të flasin edhe të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët dhe çdo dokument gjyqësor do të jetë edhe në gjuhën shqipe. Sa i përket Buxhetit, LSDM ka pranuar ndryshim të ligjit për buxhetin, që një pjesë e TVSH-së të shkojë në buxhetet komunale, me ç’rast do të përfitonin më shumë komunat shqiptare. LSDM po ashtu ka pranuar të formojë komision qeveritar, siç kërkohet tek Platforma shqiptare, për investime kapitale në vendbanimet shqiptare. Në lidhje me inkorporimin e elementit shqiptar në himnin, stemën dhe flamurin shtetëror, LSDM është përgjigjur se për këto çështje do të hapen diskutime kur të bisedohet në lidhje me kontestin e emrit me Greqinë dhe në momentin kur vendi do të jetë kandidat për në BE, ku vetvetiu legjislacioni imponon ndryshime në simbolet shtetërore. Në lidhje me Prokurorinë speciale, LSDM si variant të parë ka folur që të tentohet përmes Gjykatës kushtetuese të kërkojë vazhdimin e punës së saj sa i përket të drejtës për të ngritur akuza edhe për 18 muaj. Nëse nuk ndez ky variant, atëherë do të shkohet përmes Prokurorisë Publike, ku stafi dhe aparatura e PSP-së të kalojë në këtë dikaster gjyqësor. Në lidhje me ligjin për dëshmitarë të mbrojtur, nëse nuk i vazhdohet mandati LSDM ka shkruar se atëherë do të vlejë ligji aktual, sepse nëse do të jenë bashkë me BDI-në në Qeveri dhe do të bëjnë ndryshime në udhëheqësinë e Prokurorisë publike, ndryshime në Këshillin Prokurorial dhe këshillin gjyqësor. Ndryshe, gazeta KOHA nga burimet e afërta me BDI-në merr vesh se nëse Zaev nuk jep garanci para faktorit ndërkombëtar se do të realizoje ato që vetë i ka shkruar në lidhje me Platformën shqiptare, përgjigja për dhënien e nënshkrimeve do të vonojë nga BDI. Kryetari i BDI -së Ali Ahmeti, sipas këtyre burimeve, ia ka bërë me dije jo vetëm Zoran Zaevit, por edhe ambasadë së SHBA-së dhe ambasadave e tjera të endeve perëndimore, se ai dhe partia e tij mjaft kanë kontribuar për zgjidhje të krizës politike këto dy vite, duke ndihmuar edhe në arritjen e Marrëveshjes së Përzhinos, dhe nuk i është kthyer pozitivisht kjo, gjë që sipas burimeve në BDI, i ka kushtuar edhe me rënie në elektorat në zgjedhjet e fundit. Siç bëjnë të ditur këto burime, Ahmeti pa marrë garanci të forta nga ndërkombëtarët dhe Zaevi, nuk do të pranojë të jetë pjesë e qeverisë. Sipas burimeve nga BDI, e njëjta vlenë edhe me VMRO-në, dhe se nuk përjashtohet koalicioni edhe më këtë parti nëse kjo e fundit do të pranojë Platformën shqiptare dhe garancinë e ndërkombëtarëve.