“Deri më tani, nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale janë ndërtuar 13 ndërtesa. Statistikisht 660 banesa edhe atë në Kriva Pallankë 44, Kavar 30, Berovë 51, Makedonska Kamenicë 29, Kërçovë 32, Koçan 29, Manastir 78. Fatkeqësisht, ka një diskriminim të madh në shpërndarjen gjeografike të këtyre banesave sociale”, tha Armend Fazliu, zëdhënës i Komunës së Tetovës
Urim HASIPI
Tetovë, 10 korrik – Ndonëse dhjetë vite më parë ishin ndarë 36 banesa sociale në Tetovë, në këto dhjetë vite e këndej, Qeveria ka anashkaluar komunën më të madhe shqiptare. Së fundi, në ndarjen e banesave sociale ishte përfshirë Komuna e Gostivarit. Deri më tani, Tetova është anashkaluar nga harta gjeografike e shpërndarjes së banesave sociale, shkruan gazeta KOHA.
Zëdhënësi i Komunës së Tetovës, Armend Fazliu, shprehet se kanë bërë kërkesë deri tek Qeveria e kaluar për ndërtimin e banesave sociale, por nuk kanë marrë përgjigje. Sipas tij, pothuajse të gjitha qytetet me shumicë maqedonase kanë marrë banesa sociale, kurse Tetova ishte lënë anash. Ai theksoi se komuna vet nuk ka mundësi të ndërtojë banesa sociale për shkak të kostos së lartë, por këtë mund ta bëjë Qeveria, e cila deri tani, ka qenë e painteresuar.
“Deri më tani, nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale janë ndërtuar 13 ndërtesa. Statistikisht 660 banesa edhe atë në Kriva Pallankë 44, Kavar 30, Berovë 51, Makedonska Kamenicë 29, Kërçovë 32, Koçan 29, Manastir 78. Fatkeqësisht, ka një diskriminim të madh në shpërndarjen gjeografike të këtyre banesave sociale”, tha për KOHA, Armend Fazliu, zëdhënës i Komunës së Tetovës.
Nga Komuna e Tetovës thonë se janë në bisedime me Ministrinë e Transportit për ndërtimin e banesave sociale dhe komuna është e gatshme të ofrojë tokë me të cilën menaxhon, kurse Qeveria të ndërtojë banesat. Sipas Fazliut, Tetova posedon me tokë që e menaxhon dhe e njëjta do ti jepet Ministrisë së Transportit për këtë destinim, por përgjigje sërish nuk ka.
“Nga ne është kërkuar që t’i sugjerojmë Qeverisë parcelë nga toka ndërtimore me të cilën menaxhojmë. Por diçka konkrete në këtë drejtim nuk ka edhe përkundër gatishmërisë sonë pozitive për të kontribuar me asistencën tonë në përshpejtimin e kësaj procedure. Në kuadër të këtij programi të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, në Tetovë është planifikuar ndërtimi i 55 banesave sociale, por deri më tani nuk është ndërtuar asnjë”, tha Fazliu.
Nga Qeveria e Maqedonisë njoftuan se është planifikuar të ndërtohet një ndërtesë për kategoritë sociale. “Shoqata aksionare për ndërtim dhe menaxhim me hapësira banesore në programën për ndërtimin e banesave sociale, e cila është në kuadër të projektit për strehimin e kategorive sociale, ka paraparë edhe një ndërtesë sociale në Tetovë.
Sipas programës, ndërtesa do të fillojë të ndërtohet vitin e ardhshëm dhe do të përfundojë në vitin 2020. Ndërtesa në Tetovë do të ketë 46 banesa sociale”, deklaroi Muhamed Hoxha, zëdhënës i Qeverisë së Maqedonisë. Sipas informacioneve paraprake, në Gostivar nga ana e Qeverisë së kaluar ishin planifikuar të ndërtohen 77 banesa sociale. Qeveria e kaluar kishte planifikuar ndërtimin e banesave komerciale, por edhe ky projekt doli të jetë i dështuar. (koha.mk)