Delvina KËRLUKU
Baki Bakiu u lind në Rashçe të Shkupit në vitin 1939 ku kreu shkollën e plotë fillore. Shkollën normale të mësuesisë dhe Akademinë Pedagogjike – grupin klasorë, i mori në Shkup. Disa vite punoi në shkollë fillore si mësues. Pa u shkëputur nga puna vazhdoi edhe Fakultetin Filozofik “Shën Kirili dhe Medoti” në Shkup – grupin pedagogji. Ka kryer detyrën e drejtorit dhe pedagogut në shkollën fillore. Ishte edhe profesor i pedagogjisë, njëherësh edhe pedagog në Gjimnazin “Zef Lush Marku” në Shkup. Dekadën e fundit të punës ishte Këshilltar i pavarur në Entin e atëhershëm Ndërkomunal të Përparimit të Edukimit dhe Arsimit Parashkollor dhe Fillor të Qytetit të Shkupit, më vonë Enti Republikan Pedagogjik. Ka të botuar rreth 70 artikuj nga teoria dhe praktika mësimore në shtypin shqiptar. Është autor i librit të leximit për klasën III (vitet 90-ta). Është bashkautor i librit “Gjuha shqipe për klasën e dytë të arsimit fillor nëntëvjeçar”. Ka të botuar edhe librat: “Artikuj nga teoria dhe praktika mësimore”; “Zhvillimi i arsimit shqip në Derven të Shkupit 1945 – 2005”; “Normalistët e Dervenit të Shkupit dhe rrethinës”; “Derveni i Shkupit ndër shekuj”; “Aforizma”; “Anekdota” si dhe librin “Fabula”. Përveç shkrimeve në vazhdimësi, vazhdon të merret me aktivitete humanitare dhe shoqërore. Është bartës i shumë mirënjohjeve dhe fitues i Çmimit “13 Nëntori”, të cilin e ndau Qyteti i Shkupit për vitin 2015 nga fusha e arsimit dhe edukimit, për kontributin krijues dhe profesional në fushën e edukimit, arsimit dhe zhvillimin e mendimit pedagogjik. Vazhdon të jep kontribut kurdo dhe kudo që e kërkon nevoja.
KOHA: Z. Bakiu, çfarë mund të përcjellim deri te lexuesit tanë për jetën tuaj, në rrugën e gjatë me barriera e plot sakrifica në sferën e arsimit?
BAKIU: Po, sikurse edhe shumë të tjerë, po ashtu edhe unë, në jetën time kam pasur barriera dhe sakrifica. Mendoj se ato duhet të pranohen si normale në jetën e njeriut, sepse ashtu është ajo. Nuk ka mundësi ndryshe. Shkollimi në vitet e hershme ishte shumë i vështirë, sidomos ai në shkollë të mesme. Përveç skamjes së skajshme, mungonte infrastruktura, mungonin mjetet e transportit. Shpeshherë duhej të ecej 10 – 20 km në këmbë, në shi, erë, borë të madhe. Pas punësimit, puna me nxënës, familja, studimet në Akademinë Pedagogjike dhe më pastaj në Fakultetin filozofik, edhe atë pa shkëputur nga puna, nuk ishin të lehtë. Edhe pse studime pa shkëputur nga puna, shpesh herë, kur punoja para dite ose pas dite me nxënës, pjesën tjetër të ditës shkoja në fakultet të dëgjoj ligjërata. Gjithsesi se këto dhe shumë të tjera ishin barriera dhe sakrifica, por vrapimin pas dijes e pata ideal dhe kur atë e marr ashtu, të gjitha përballohen dhe shërbejnë për kalitje.
KOHA: Jeni një ndër veprimtarët e dalluar të arsimit. Si lindi dashuria për arsimin dhe shkollën?
BAKIU: Keni të drejtë që parashtroni këtë pyetje, nga se në kohën e shkollimit tonë në fillore, për arsye të sundimeve shumëshekullore nga të huajt, të cilët na kanë lënë në terr të paditurisë, mbi 90% e popullatës ishte analfabetë. Pra, në atë kohë dhe në kushte dhe rrethana të tilla, ishte vështirë të lind një dashuri e tillë për arsimim. Por, duke parë shëmbëlltyrën e mësuesve të mi të parë, e më pastaj edhe të atyre në klasat e larta, këshillat dhe sugjerimet e tyre, fitova dëshirën për t’u ngjarë atyre dhe kështu më lindi dashuria për arsimin dhe shkollën.
KOHA: Faktet e njohura dëshmojnë për një përkushtim të madh të shqiptarëve për arsimin shqip, si një shenjë e kulturës, qytetërimit dhe të identitetit kombëtar. Ky përkushtim bëri që të përhapen shkollat shqipe kudo që janë shqiptarët?
BAKIU: Hapja e shkollave për herë të parë në gjuhën shqipe, në Maqedoninë Perëndimore në vitin 1941, ndërkaq në atë Lindore pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, respektivisht kah fundi i vitit 1944, nga popullata shqiptare u prit me entuziazëm shumë të madh. Por, hapja e tyre u përball me vështirësi objektive: mungesa e godinave shkollore, mjeteve dhe pajisjeve shkollore, kuadri arsimor e shumë të tjera. Në kushte dhe rrethana të cekura, për një popullatë gati analfabete, por shumë e etur për shkollim, filluan të hapin shkollat në gjuhën shqipe, duke ndërtuar edhe me vetë kontribut godina shkollore me ç’rast, duke organizuar aty këtu edhe solemnitete rasti. Pra, ato u hapën, siç theksuam menjëherë pas mbarimit të LDB (në Maqedoninë Lindore, më 1941 në atë Perëndimore), ndërkaq, në disa fshatra të largëta pak më vonë, për arsye të mungesës së kushteve elementare. Do theksuar se shqiptarët shprehën përkushtim të madh për arsimin shqip. Në këtë fazë të vështirë të hapjes së shkollave për herë të parë në gjuhën shqipe, kontribut të madh dhanë mësuesit atdhetarë të devotshëm për hapjen e tyre si dhe për përfshirjen sa ma të madhe të nxënësve, të të gjitha moshave dhe gjinive.
KOHA. Çfarë mund të flisni për shkollën ku jeni shkolluar Ju, cila ishte shkolla, mësuesi i parë, librin e parë që keni marrë në dorë?
BAKIU: Jam gjenerata e tretë e nxënësve pas LDB, ndërkaq, gjenerata e parë e klasës së V në fshatin tim. Për dallim nga shumë fshatra tjera asokohe, unë pata fatin ta nis shkollimin në godinë relativisht të mirë shkollore, e cila ishte ndërtuar dhe kishte funksionuar në gjuhën serbe që para LDB. Pata fatin shkolla ime që në fillim të hapjes të quhej “Drita”, e që edhe sot mban po të njëjtin emër. Mësuesi im i parë ishte Zotëri Latif Kurti nga Shkupi, por jo deri në fund të vitit, nga se asokohe bëhej ndërrim i shpeshtë i mësuesve. Pas tij, na erdhi mësuesja Behije Hajredini, të cilën gjithashtu e deshëm dhe na deshi shumë, por edhe ajo, pas disa muajve na iku dhe në mbetëm gjithnjë në pritje se ndoshta do kthehej, por ajo nuk u kthye më! Pas saj, për mësues patëm Besnik Jegenin me të shoqen Antoneta Jegeni dhe disa të tjerë. Librin e parë që kam marrë në dorë ishte abetarja në gjuhën shqipe, e hartuar nga mësuesi i shquar nga Gostivari Abdilhaqim Dogani. Në fshatin tim Rashçe, si fshat më i madh asaj kohe në këtë krahinë, për herë të parë hapet klasa e pestë, në të cilën, siç theksova, isha gjenerata e parë. Përfshirja e gjeneratave ishte shumë e vështirë, sidomos e gjinisë femërore. Në klasën e V ishim të regjistruar 45 nxënës (edhe nga fshatrat përreth), por të rregullt ishim vetëm 25. Klasën e VIII e mbaruam vetëm 8 nxënës, pa asnjë vajzë.
KOHA: Pavarësisht se në çfarë rrethanash u gjend shkolla dhe arsimi shqiptar, pavarësisht se çfarë doktrine ndoqi sistemi në Maqedoni, arsimi dhe shkolla shqipe ngritjen më të lartë e arriti në fund të regjimit komunist. Si e njihni atë kohë?
BAKIU: Plotësisht pajtohem me atë që thoni Ju. Kam bindjen se në atë kohë kemi pasur shumë sistem të mirë të arsimit, me përjashtime. Sipas analizave të mia për sistemin arsimor në kohë të komunizmit, si fazë më e mirë për arsimin shqip ishin vitet 1970 – 1980, atëherë kur në shumë fshatra u ndërtuan godina të reja shkollore, shkollat u pajisën me mjete mësimore, u përmirësua struktura e kuadrit arsimor, dukshëm u përmirësua situata me tekstet mësimore, u përmirësua përfshirja e gjeneratave në shkollë, u forcua bindja tek prindërit në kahe pozitive për shkollimin e fëmijëve të tyre, dhe kjo fazë për mua mund të quhej si rilindje e arsimit shqip. Ndërkaq, faza më e keqe ishin vitet e 80-ta, kur pushteti komunist i asaj kohe me kuzhinën në Beograd, u vërsul ndaj çdo gjëje çka ishte shqiptare, sidomos ndaj arsimit shqip, për çka mund të flitet shumë, por për arsye të hapësirës të kufizuar në kohë, do të ndalim këtu. Megjithatë, edhe përskaj rrethanave të tilla arsimtarët shqiptarë nuk u mposhtën, por u angazhuan edhe më tepër dhe mund të thuhet se programet mësimore realizoheshin me shumë sukses.
KOHA: Z. Bakiu, cila ka qenë lidhja e Juaj me gazetën “Flaka”, gazetë kjo që hapi faqe për pedagogjinë?
BAKIU: Siç është e njohur, asokohe gazeta FLAKA, hapi faqen si shtojcë që quhej Pedagogu. Lidhja ime me atë shtojcë ka qenë e shkëlqyeshme. Pothuajse në çdo numër të saj, unë merrja pjesë me ndonjë artikull nga sfera e edukimit dhe arsimit dhe me sa më kujtohet, kam marrë pjesë me rreth 70 artikuj nga teoria dhe praktika mësimore. Më në fund, të gjithë ato artikuj nga metodika, didaktika, orë praktike mësimore për të gjitha lëndët në mësimin klasorë, hulumtime të ndryshme e tjerë, i botova në një libër, i cili për mësuesit mund tu shërbej si doracak. Për këtë bashkëpunim me atë gazetë, shpreh një nderim të veçantë redaktorit të asaj faqe, të ndjerit Ahmet Hajdari, i cili punoi me shumë përkushtim në këtë drejtim.
KOHA: Ju keni nxjerrë gjeneratat e para të arsimit shqip në Derven të Shkupit. Si e kujtoni atë kohë?
BAKIU: Patjetër më duhet të pranoj se atë kohë e kujtoj me nostalgji dhe admirimin më të madh. Kam dhënë maksimumin në edukimin dhe arsimimin e tyre, por vlen të theksohet se asokohe ishte kënaqësi të punohej me ata nxënës dhe me ata prind si në shkollë fillore, po ashtu edhe në të mesme. Kam përshtypjen se edhe ato gjenerata nxënësish dhe prindërish, po ashtu, kanë kujtime shumë të mira. Krahasuar me sot, bashkëpunimi i shkollës me familjen dhe anasjelltas ishte në nivel shumë të mirë, gjë që mundësonte ndihmë për mësuesin. Sot, ai bashkëpunim është zbehur shumë, për të mos thënë se nuk ekziston!
KOHA: Shkolla dhe arsimi shqiptar në Maqedoni, në këto vite ka shënuar rritje të lakmueshme, ka ecur përpara në mënyrë konsekuente, duke shënuar hapa cilësorë në rrugën e tij? Si e shihni Ju?
BAKIU: Po, është shumë e vërtetë. Për dallim prej më parë, janë hapur shumë shkolla të mesme të drejtimeve të ndryshme. Edhe në Saraj ku banoj unë, kemi shkollë të mesme që më parë ajo ishte imagjinatë. Shkollimi i mesëm është bërë i obligueshëm dhe pa pagesë. Janë hapur shumë fakultete, po ashtu, të drejtimeve të ndryshme. Janë përmirësuar kushtet për studime, nga shkaku se hapësirat i kanë më afër si dhe shumica e studentëve nga burime të ndryshme mund të sigurojnë edhe bursa studentore. Kjo ka mundësuar që sot edhe ne shqiptarët të kemi shumë kuadro të diplomuara të drejtimeve të ndryshme. Kemi kuadro edhe me tituj shkencor. Por, mendoj se ka edhe shumë çka për t’u bërë. Shkollat sot gjenden në transformim të vazhdueshëm dhe e kritikuar nga shumë aspekte. Ndodhet para sfidave të shumta, ku si qëllim kryesorë shtrohet kërkesa për një cilësi më të mirë në mësim. Shkollës i duhet autonomi e cila kështu si është, në një mënyrë është e cunguar. Shkolla kërkon pavarësinë e saj institucionale, të jetë jashtë politikës dhe jashtë partive politike. Ajo kërkon bashkëkohësi dhe modernizim të procesit mësimor, për çka gjithsesi se janë të nevojshme të plotësohen nevojat, kërkesat dhe standardet e duhura.
KOHA: Libri “Normalistët e Dervenit të Shkupit dhe rrethinës”, autor i të cilit jeni Ju, një monografi, ka për qëllim për t’u mos u lënë në harresë shkolla e parë normale për mësues në gjuhën shqipe?
BAKIU: Pikërisht aty e kam pasur qëllimin. Shkolla normale e mësuesisë ishte burimi i parë për kuadro arsimore në gjuhën shqipe. Ajo funksionoi prej vitit 1950 deri më 1972 dmth plotë 22 vite. Nga kjo shkollë, e cila mund të thuhet se asokohe ishte një universitet, kanë dalë shumë mësues të diplomuar jo vetëm nga Maqedonia, por edhe më gjerë. Vetëm nga krahina ku kam lindur dhe ku jetoj unë – Derveni i Shkupit dhe rrethina, sot kufijtë aktual të komunës Saraj, kanë diplomuar 69 mësues. Kuadri që doli nga kjo shkollë, qe plejada e cila bëri dritat e para dhe dha kontribut të çmueshëm në edukimin dhe arsimimin e shumë gjeneratave, të cilat para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, qenë lënë në “terrin e paditurisë”. Këta mësues të diplomuar punuan me përkushtimin më të madh. Edhe me këtë rast dua të theksoj se profesioni i mësuesisë nuk ka mundësuar ndonjë pasuri materiale siç sigurojnë disa profesione të tjera, por jam tepër i bindur se pasuria më e madhe e kësaj plejade mësuesish janë gjeneratat të cilat ata edukuan dhe arsimuan. Gjithsesi se ata nuk do të harrohen dhe, për mos të ndodh ajo, të gjithë ata i kemi vënë në këtë libër. Dëshiroj të theksoj se nga 69 mësues normalist të diplomuar në Normalen e përmendur nga kjo krahinë, sot 22 prej tyre nuk jetojnë më. Shfrytëzoj nga rasti t’ju shpreh nderim të veçantë.
KOHA: Komuna e Sarajit, para disa vitesh ndau mirënjohje për Ju, si veteran i arsimit. Çfarë flet ky nderim?
BAKIU: Deri më tani, komuna ime e Sarajit më ka ndarë 4 mirënjohje dhe një plaket. Këto më janë ndarë si veteranë i arsimit, por edhe për kontributin që kam dhënë dhe që vazhdojë ta japë në këtë sferë dhe në aktivitete të tjera. Gjithsesi se edhe unë u jam mirënjohës për këtë gjest nderimi. Kamë dhënë maksimumin në sferën e arsimit dhe tani në këtë moshë të tretë mundohem të jap kontributin e duhur kurdo që e lyp nevoja dhe me aq sa kam mundësi. Në komunë kemi realizuar disa promovime librash për botimin e të cilave më kanë përkrahur për çka u jam falënderues, kemi mbajtur disa takime, tribuna dhe konferenca shkencore dhe shumë aktivitete të tjera. Isha një ndër nismëtarët potencial për hapjen e shkollës së mesme në Saraj.
KOHA: Organizatat bamirëse kanë një filozofi etike dhe një botëkuptim, që drejtohen nga interesat, vlerat dhe dinjiteti në veçanti të njerëzve. Ju si anëtar i Kryesisë Qendrore të OH “El Hilal”, çfarë mund të na tregoni për kontributin tuaj?
BAKIU: Po, vitin e kaluar kjo organizatë bamirëse shënoi 25-vjetorin e themelimit dhe ekzistimit të saj. Që nga viti i parë, jam i kyçur në këto aktivitete. Një mandat isha nënkryetar i kësaj organizate, ndërkaq, disa mandate jam anëtar i organeve drejtuese të sajë. Në kohën e krizave të luftërave në Bosnjë, Kosovë, Preshevë dhe Maqedoni, me shumë sukses kemi dhënë ndihmën e duhur në pranimin, strehimin dhe përkujdesjen e refugjatëve. Ndërkaq, pas luftërave ju kemi dalë dhe vazhdojmë t’ju dalim në ndihmë familjeve me status të ulët social me material ushqimor dhe higjenik, bursa studentore për fëmijët e tyre, syneti, libra për bibliotekat shkollore, çanta dhe pajisje shkollore etj. Vetëm projektin programor të 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, të cili e udhëheq me një grup, për 14 vite me radhë, nga Shtëpi botuese dhe botues individual, kemi grumbulluar dhe ndarë bibliotekave shkollore në Maqedoni rreth 3800 vëllime librash me rreth 12.000 kopje të zhanreve dhe autorëve të ndryshëm. Për çdo vit akademik, për fëmijët e familjeve me status të ulët social ndajmë rreth 40 bursa studentore. Për fëmijët e familjeve me status të përmendur, disa vite me radhë organizojmë falas synetin e 300-400 fëmijëve në gjithë Maqedoninë, edhe atë nga mjek kirurg, etj. Të gjitha aktivitetet kryhen në mënyrë vullnetare. Dëshiroj të theksoj me këtë rast se popullin shqiptar, kombi dhe feja e kanë edukuar që të jenë bamirës.
KOHA: Z. Bakiu, e gjithë jeta juaj lidhet me arsimin, bamirësinë. Sa e çmon familja dhe vendi juaj kontributin tuaj kombëtar dhe human?
BAKIU: Kam bindjen se punët e mira dhe me vlerë çmohen nga të gjithë. Familja ime po se po, por edhe vendi im dhe më gjerë e çmojnë lartë kontributin që kam dhënë dhe që vazhdoj ta jap në sferën e arsimit, në atë shoqërorë dhe humanitar. Është kënaqësi kur takohesh me gjeneratat të cilat i ke edukuar dhe arsimuar, të cilët sillen me respektin më të madh. Gjithashtu, edhe si këshilltar pedagogjik ku për disa vite përcolla punën e mësuesve, ku vazhdojmë të kemi raporte të ndërsjella të shkëlqyeshme. Atë e hetoj në çdo cep të krahinës time dhe më gjerë dhe ajo më nderon shumë. S’ka gjë më të mirë se të jesh i respektuar nga të gjithë.
KOHA: Z. Bakiu, tani jeni në pension. Çka mund të na thoni për këtë moshë?
BAKIU: Falënderoj Zotin që më la të jetoj deri në këto vite. Ndjehem shumë mirë. Vazhdoj të plakem në mënyrë aktive, me shumë shokë dhe miq të mirë. Vazhdimisht merrem me shkrime. Redaktoj një faqe në gjuhën shqipe në gazetën Penzioner plus, ku përveç shkrimeve të mia, përkthej tekste nga maqedonishtja në shqip dhe anasjelltas. Përveç aktiviteteve humanitare, jam një ndër drejtuesit e Shoqatës së pensionistëve të komunës Saraj. Kemi hapur Klub të pensionistëve, ku çdo fillim muaji përpilojmë program për aktivitete të ndryshme. Realizojmë disa ekskursione në Maqedoni dhe jashtë, pushime verore të përbashkëta në bregdetin shqiptar me çmime shumë të volitshme ku marrin pjesë mbi 130 pensionistë, realizojmë aktivitete sportive etj. Në këtë Klub tonin të pensionistëve, në bashkëpunim me Kryqin e Kuq, kemi edhe dy motra shqiptare të medicinës nga kjo anë, të cilat sipas listës tonë përkujdesen në kushte shtëpiake për shëndetin e personave të vetmuar dhe shëndetlig, duke i vizituar ata, duke ju mat tensionin dhe sheqerin në gjak dhe duke ju kryer ndonjë punë të vogël. Pra, edhe në këtë moshë të tretë, vazhdojmë të jemi aktiv dhe të japim kontributin e duhur për të mirë të shoqërisë. Si shoqatë e pensionistëve, bashkëpunojmë me pushtetin lokal dhe me shumë shoqata dhe organizata simotra. Dhe, për në fund, jetofshi edhe Ju, i mbërritshi dhe i tejkalofshi këto vite.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara