Arti i integrimit evropian

70

 

Nga Sergei GURIEV

LONDER – Viti i kaluar ka qenë i mbushur me zhvillime vendimtare. Përveç fitores së Donald Trumpit në Shtetet e Bashkuara, disa dobësi të Bashkimit Evropian dolën plotësisht në dritë, në mënyrë të veçantë votimi i Mbretërisë së Bashkuar për t’u larguar nga blloku i BE-së. Por Brexit nuk ka pse të shënojë fundin e Unionit. Në vend të kësaj, ajo mund të shërbejë si një sirenë zgjimi, për të nxitur veprime që do të adresonin problemet e BE-së. Disa udhëheqës evropianë po përpiqen t’i vënë veshin kësaj kambane, duke u bërë thirrje vendeve anëtare që të “plotësojnë Unionin”. Pa Mbretërinë e Bashkuar, argumentojnë ata, do të jetë më e lehtë të çohet përpara integrimi, pasi vendet e tjerë anëtarë janë disi më heterogjenë, dhe si pasojë, kanë më shumë prirje të bien dakord për hapat, ndaj të cilëve Britania do të ishte kundër.

Një hap i tillë – i përmendur në mënyrë konstante që kur nisi kriza e euros – është një union bankar. Ndërkohë që në këtë front ka patur përparim të konsiderueshëm, integrimi bankar evropian është shumë larg të qenit i plotë. Puna e papërfunduar përfshin një skemë të sigurimit të depozitave, si dhe krijimin e një kësti të lartë asetesh sovrane të sigurta, apo letra me vlerë për mbarë eurozonën, me risk zero. Një tjetër hap potencial, i motivuar prej asimetrisë së thellë të performancës ekonomike të vendeve të eurozonës gjatë krizës, do të ishte një skemë e përbashkët sigurimi për papunësinë, ku pagesat për papunësinë ciklike do të financoheshin prej buxhetit të BE-së. Në fund, kriza e refugjatëve ka nxitur një diskutim për një skemë të përbashkët të forcimit të kufijve të jashtëm të BE-së, duke shpërndarë strehimkërkuesit mes vendeve anëtare të saj, si dhe financuar integrimin e tyre.

Të gjitha këto ide, dhe shumë të tjera, janë diskutuar gjatë, e madje janë elaboruar deri në pikën ku janë shfaqur tashmë agjenda për veprimet që do të ndërmerren. Por, shumë pak përparim është bërë. Me sa duket, Mbretëria e Bashkuar nuk është aspak i vetmi burim rezistence politike ndaj integrimit më të thellë. Sigurisht, kush kundërshton integrimin varet nga propozime specifike, dhe të gjithë këta propozime kanë gjasa të sjellin dobi më shumë për disa vende anëtare, se sa disa të tjerë. Në disa raste, një propozim mund të rezultojë në përfitime më të mëdha afatgjata për të gjithë, por mbartin kosto të mëdha në fillim, për disa vende të caktuar. Në një kohë kur disa prej vendeve të mëdhenj të BE do të mbajnë zgjedhje, dhe kur politikanë që bëjnë fushatë kundër establishmentit po zhvendosin partitë e moderuara, shumë udhëheqës kombëtarë nuk janë të gatshëm që të riskojnë kapitalin e tyre politik, për të shtyrë përpara këto reforma. Por, po sikur reformat të bëhen më joshëse? Thyerja e rezistencës politike mund të jetë po aq e thjeshtë sa edhe paketimi i propozimeve së bashku. Propozimetq ë sjellin më shumë përfitime për disa, mund të kombinohen dhe kundërpeshohen nga ata që kanë më shumë përfitime për të tjerë, dhe kostot afatshkurtra të një politike mund të kompensohen prej përfitimeve afatshkurtra të një tjetre. Mendoni përpjekjet për të adresuar krizën e refugjatëve. Një herë që u bë qartë se disa shtete, sidomos në Evropën Qendrore, nuk ishin të gatshëm që të pranonin kuotat e vendosura nga BE për strehimkërkuesit, u propozua që këtyre të fundit t’u kërkohej të zgjidhnin se ku do të donin të vendoseshin. Buxheti i BE do të mbulonte kostot.

Por edhe kjo ide mund të ndeshë në rezistencë, qoftë edhe sepse vendet që do të tërhiqnin më shumë refugjatë janë ata që kanë tashmë ekonomi më të forta, dhe si pasojë kanë më pak nevojë për fondet e BE. Zgjidhja do të ishte miratimi i një tjetër mase, duke prodhuar transferime në drejtim të kundërt, së bashku me politikën për refugjatët. Kandidati më i mirë për këtë rol mund të jetë skema e përbashkët e sigurimit për papunësinë. Vendet që janë të padëshirueshëm për refugjatët, për shkak të papunësisë ciklike të lartë, do të përfitonin në mënyrë të shpërpjesëtuar nga një politikë e tillë, sidomos në afatshkurtër. Pritshmëria që këto transferta do të kompensoheshin prej fondeve të risistemimit të refugjatëve mund të jetë pikërisht ajo që nevojitet për të marrë miratimin e vendeve me papunësi të ulët. Sigurisht, për çështjen e refugjatëve mund të ketë ndërlikime të tjera. Rezistenca sociale ndaj imigrimit në një vend si Gjermania, nxitur prej sulmeve terroriste dhe retorikës politike populiste, mund të dëmtojë një program të tillë. Por në atë rast, kjo paketë politikash specifike mund të përshtatet.

“Paketimi” i reformave për t’i bërë më të pëlqyeshme mund të tingëllojë si “Business 101”. Por kjo gjë nuk ka të bëjë vetëm me ujditë e përditshme. Ka të bëjë me plotësimin – dhe si pasojë mbrojtjen – e BE-së, duke ndërtuar një grup institucionesh më të fortë. Nëse BE do të mbetet një fener i hapjes dhe demokracisë liberale, ajo duhet të ecë përpara me integrimin. Nëse do të bëjë përpara, udhëheqësit e vet duhet të sigurojnë që të gjithë vendet anëtare të përfitojnë njësoj përgjatë rrugës. (bota.al)

Të Ngjajshme