Franca sot ka vendosur të refuzojë kërkesën e Serbisë për ekstradimin e Ramush Haradinajt. Avokatja e Haradnajt, Rachel Lindon ka bërë të ditur se gjykata e Colmarit e ka marrë këtë vendim pasi “Haradinaj nuk do të kishte një gjykim të drejtë dhe të balancuar në rast se do të dërgohej në Serbi”. “Ai humbi tre muaj e gjysmë të jetës së tij duke pritur këtë vendim”, tha Lindon për Associated Press, përcjell gazetametro.net
Avokatja shtoi se fatmirësisht kjo situatë tashmë ka përfunduar. Pas këtij vendimi, në Serbi, kryeministri në detyrë, Aleksandar Vucic ka thirrur mbledhje urgjente te qeverisë lidhur me lirimin e liderit të AAK’së. Autoritetet serbe kanë deklaruar në të kaluarën se shteti serb mund të shfuqizojë një traktat të ekstradimit me Francën nëse Haradinaj nuk do të dorëzohet, ashtu siç ata kërkuan. Gjykata e Colmarit ka bërë të ditur se për këtë vendim palët kanë të drejtë ankese pesë ditë.