Delvina KËRLUKU
Melik Arsllani u lind më 11 nëntor të vitit 1966, në fshatin Dobërdoll të Gostivarit, Republika e Maqedonisë. Shkollën e mesme e kreu në Gostivar. Në vitin 1994 diplomoi në degën e pikturës në Fakultetin e Artit Figurativ në Prishtinë, në klasën e prof. akademik Tahir Emra. Më 1998 kreu studimet pas universitare, degën e pikturës po te i njëjti profesor. Nga viti 1996 punon si mësimdhënës në Universitetin e Tetovës, në Fakultetin e Artit Figurativ, Tetovë. Deri më sot ka realizuar shumë ekspozita personale në Gostivar, Tetovë, Shkup, Tiranë, Republika e Çekisë, Republikën e Sllovenisë; Nju Jork – Shtetet e Bashkuara të Amerikës; Austri, Zvicër, Francë; Dubai. Mbi dyzet ekspozita kolektive dhe pjesëmarrës në shumë koloni artistike.
KOHA: Z.Arsllani, veprat tuaja të pikturës kanë shëtitur në Dubai, Paris, Zvicër, Austri, SHBA, Slloveni, Çeki, Tiranë, Shkup, etj. Cilat janë përshtypjet nga ky rrugëtim ndërkombëtar?
ARSLLANI: Dëshira ime e kamotshme ka qenë qe punimet e mia t’i ekspozojë edhe jashtë vendit në metropolet botërore, me çka ajo dëshirë u realizua falë punës së vazhdueshme në krijimtarinë artistike, të cilat u vlerësuan lart nga kritiket e artit, si brenda ashtu dhe përtej kufijve. Përshtypjet nga këto ekspozita ndërkombëtare janë shumë mbresëlënëse, duke filluar nga ekspozita e parë jashtë kufijve në Tiranë, ekspozita u hap ne Galerinë Kombëtare të Arteve, u prezantova me 44 piktura te realizuara ne teknikën e vajit, e cila u vizitua nga një numër i madh artdashësish, ishte një eksperiencë e paharruar, me çka lidha bashkëpunim me shumë artist figurativ, me të cilët jam në kontakt edhe ditët e sodit. Ekspozita e radhës ishte Praga, që njihet si një nga qytetet me te bukura te Evropës, i cili ofron një ndërthurje te artit dhe muzikës, ekspozitë qe u vlerësua lart nga kritiket e artit nga e cila m’u hapën dyert që të ekspozojë edhe në disa qytete evropiane dhe më gjerë, siç janë: Maribori, Graci, Cyrihi, Parisi, Nju Jorku, Dubai, qytete qe njihen si qendra te artit. Një theks te veçantë do i kushtoja realizimit të ekspozitave në Nju Jork, Paris, Dubai, ekspozita të cilat kanë lënë gjurmë ne këtë rrugëtim timin ndërkombëtar, kam përjetuar emocione të pa përshkueshme që nuk mund te harrohen vizitat e muzeut Gugenheim dhe muzeut te Artit modern të Nju Jorkut, në Paris Muzeu i Luvrit, Orsej, Qendra Pompidou, muzeu i Pikasos etj, duke u mahnitur me veprat e artistëve më të famshëm botërorë.
KOHA: Cilat janë rregullat për vlerësimin e eksponateve konkurruese në ekspozitat ose thënë shtruar, si keni arritur të depërtoni në vendet e lartpërmendura?
ARSLLANI: Organizimi i ekspozitave ndërkombëtare kërkon shumë mund dhe energji, si në aspektin financiar po ashtu edhe atë organizativ. Depërtimi ne ekspozita ndërkombëtare është i vështirë, pasi që gjatë konkurrimit në një galeri prestigjioze ka disa kritere vlerësimi, ekzistojnë procedura te caktuara, së pari duhet ofruar vlera të mirëfillta në artin që e kultivoni, pastaj ekzistojnë edhe barriera tjera, një biografi e pasur me ekspozita në qendra te ndryshme botërore, merren parasysh nga këshilli artistik i galerisë që konkurrohet, i cili jep mendim pozitiv ose negativ, qe ka për detyrë vlerësimin e pikturave dhe niveli artistik i tyre. Pra ,ideja është se sa mund të jenë fitimprurëse për galerinë pikturat që prezantohen nëse ekspozita është shitëse, siç ndodh në të shumtën e rasteve, çmimet e pikturave caktohen me marrëveshje para hapjes së ekspozitës.
KOHA: Piktura, në aspektin terminologjik, është një shprehje internacionale, që nënkupton vizatim ose paraqitje e një motivi të caktuar në sipërfaqe te sheshtë. Për Ju, çdo të thotë piktura?
ARSLLANI: Piktura është disiplina më e preferuar në fushën e artit figurativ, përmes pikturës shpreh botën time të brendshme, ndjenjat, emocionet, momente pikëllimi dhe gëzimi, botën reale dhe atë imagjinare, shqetësime shpirtërore, përshkrimi ose paraqitja e imazheve të bukura dhe ndonjëherë edhe çasteve të trishtueshme melankolike. Të gjitha këto i shpreh përmes penelit dhe ngjyrave te ngrohta deri te ato të ftohta dhe intensive, pra piktura për mua do të thotë gjithçka që unë e ndjej e shoh dhe përjetoj dhe në fund të gjitha ndërthuren bashkë në një tablo të bardhë, pra do të thosha se pasioni i lart për pikturën të bën pjesë integrale të saj, dhe se sukseset në jetë nuk mund të realizohen pa pasion dhe dëshirë.
KOHA: Piktura është edhe degë ose disipline e artit figurativ, e cila kërkon dhunti, përkushtim, studim me vite. Cilat janë hapat tuaja të shkollimit në fushën e artit?
ARSLLANI: E vërtetë është se arti është dhunti i cili lind me njeriun, por ai talent për t’u zhvilluar kërkon punë permanente, përkushtim maksimal ndër vite, që të arrihet deri te suksesi. Hapat e parë në këtë fushë te artit i kam filluar që nga shkolla fillore kur arsimtari i artit figurativ zbuloi talentin tim për art. Duke u rritur sa vinte e shtohej dëshira për vizatimin, për ngjyrat, për të bukurën, për artin në përgjithësi, pasi që arti ishte pasion i imi, përkushtim më të madh i kushtoja lëndës së artit edhe në shkollën e mesme, me të kryer shkollën e mesme dy vite kam qen anëtar i Shoqatës se artistëve figurativ në qytetin Raven na Korushkë të Sllovenisë në bashkëpunim me shumë piktorë me eksperiencë. Nga aktivitetet e përbashkëta që kishim, përfitova shumë njohuri për pikturën. Në vitin 1990 u regjistrova ne Fakultetin e Artit Figurativ ne Prishtine, drejtimin e pikturës në klasën e profesorit të mirënjohur, Tahir Emra. Përfundova studimet në vitin 1994, në vitin 1995 regjistrova studimet pasuniversitare në Prishtinë, po te i njëjti profesor dhe përfundova ne vitin 1998. Nga viti 1996 punoj si mësimdhënës në Universitetin e Tetovës, në Fakultetin e Artit Figurativ. Jam pjesëmarrës në shumë ekspozita personale dhe kolektive brenda dhe jashtë vendit dhe pjesëmarrës në shumë koloni artistike.
KOHA: Motivet e pikturave mund të jenë të llojllojshme, nga bota e florës dhe e faunës. Çfarë ju frymëzon që të arrini të pikturoni?
ARSLLANI: Deri me tani jam prezantuar me tre cikle të pikturave: cikli i” Enterierit”, cikli i “Eksterierit” nga treva ime dhe cikli i titulluar “Shqetësime shpirtërore”. Bota ime artistike fillon me imazhe nga vendlindja, qysh në moshën e hershme më kanë ngacmuar këto bukuri natyrore që ka ky vend, motivet nga vendlindja duke filluar nga relievet e fshatit me kodrina e male prej nga edhe jam frymëzuar, e deri te pamja e brendshme e ambientit, siç janë: vatra shqiptare, atelie, dhoma e ditës etj. Frymëzimet me elemente lokale autoktone i paraqes nëpërmjet organizimit të formës, me një kolorit te pasur dhe me një shprehje moderne figurative. Ne ciklin e fundit i titulluar “Shqetësime shpirtërore”shprehi përjetimet personale të një bote pas një konflikti, e cila është në një gjendje kaosi dhe rrëmuje. Këto piktura nga ky cikël shquhen për nga gjuha e çiltër artistike, me sens për ritëm, për raporte kolorite, për trajta të pastra dhe përjetësim estetik. Një karakteristikë tjetër e këtyre veprave, është inkorporomi i figurës abstrakte, e cila qëndron stoikisht ndaj një kaosi të tillë, përkatësisht përballet me sfidat e një kaosi dhe rrëmuje e cila është simbol i qëndresës, mbijetesës dhe vazhdimësisë së jetës.
KOHA: Vihet re përpjekja e krijimit të një tregu arti me parametrat e tij ekonomike, pa një kujdes kritik. A mungon kritika në llojin e artit që bëni?
ARSLLANI: Dihet se arti në vendin tonë nuk vlerësohet në nivelin e duhur, ashtu siç vlerësohet ne shtetet e zhvilluara perëndimore, madje duke u bazuar edhe në gjendjen e rënduar ekonomike që mbizotëron ne vendin tonë, një numër i konsiderueshëm i artisteve të rinj që përfundojnë akademinë e arteve, duke mos pasur mundësi punësimi, janë të obliguar të sigurojnë ekzistencën e tyre përmes artit komercial, do ta quaja pa ndonjë kritik paraprake. Pra, mendoj se deri diku nuk ofrojnë anti-vlera ne treg, por sado pak ju përmbahen disa rregullave dhe parimeve në art, kurse ata që merren në mënyre autodidakte me pikturë dhe nuk kanë njohuri të mjaftueshme në art, pa ndonjë eksperiencë të gjatë, janë të pakët në vendin tonë. Sa i përket artit që kultivoj unë, ekziston një kritikë e shëndoshë nga kritikë të artit që kanë vlerësuar lart punën time krijuese, si brenda ashtu dhe jashtë vendit. Këtë e dëshmon fakti se niveli artistik i artit që krijoj, m’i hapi dyert në shumë qendra botërore. Galeritë e arteve, shumë producent, artistë gjatë viteve të fundit kanë kontribuar mjaft në krijimin e një jete artistike të mirëpritur e me etje nga publiku shqiptar. Pa dyshim se viteve te fundit numri i artistëve shtohet dita ditës dhe numri i tyre është rritur ndjeshëm. Një numër i madh i tyre merren me krijimtari në mënyre aktive dhe prezantojnë vlera të mirëfillta në art dhe janë mirëpritur nga artdashësit shqiptarë dhe jo vetëm, janë një numër i konsiderueshëm i artistëve të rinj dhe kjo vjen si rezultat i hapjes se Universitetit të Tetovës, Akademisë se Arteve në Tetovë, nga i cili dolën një numër i madh artistësh. Pas viteve të nëntëdhjeta, kur unë kam përfunduar Akademinë e Arteve, dalja e artisteve shqiptarë në skenë ka qenë shumë e vështirë, duke vetëfinancuar shumë projekte, një numër shumë i vogël i artistëve shqiptarë gëzonin beneficione gjatë asaj periudhe kohore dhe mbështeteshin nga Ministria e Kulturës, kjo nuk ishte pengesë për artistët që kishin ambicie të mëdha që t’i realizonin qëllimet e tyre. Viteve te fundit, një numër i artistëve shqiptarë që janë aktiv në krijimtarinë artistike, kanë mbështetjen dhe suportohen nga Ministria e Kulturës, duke pasur parasysh se arti kristalizon dhe ngrit vlerat e një shoqërie, karakterizon një popull dhe është një urë komunikuese në mes kulturave e popujve në përgjithësi.
KOHA: Z.Arsllani, si profesor i artit figurativ, mund të bëni një dallim nga fakulteti në Tetovë, me atë të fakultetit të studimeve dhe nga shkollat ku i keni vizituar?
ARSLLANI: Sa u përket kushteve të zhvillimit të procesi mësimor të asaj periudhe kohore nuk ka shumë dallim nga fakulteti qe unë kam studiuar dhe nga Fakulteti i Arteve në Tetovë, por rol të rëndësishëm luajnë dhe peshën më të madhe e ka stafi akademik që e udhëheq atë institucion arsimor. Ndërsa shkollat që kam vizituar në vendet e zhvilluara perëndimore, siç janë Italia, Franca, ShBA etj. që kanë një traditë të gjatë në art, nuk mund të krahasohen me vendin tonë si për nga kushtet e volitshme studimi që kanë, po ashtu edhe për nga organizimi i procesit mësimor dhe cilësisë së tij.
KOHA: Stilet e pikturimit janë të ndryshme. Si mund ta përshkruani stilin tuaj që e përdorni në art?
ARSLLANI: Çdo krijues pretendon që të krijojë stilin e tij unik të shprehjes në pikturë. Pra, të dallohet nga të tjerët, të ketë unin e tij dhe të jetë origjinal. Stili im për nga shprehja, ndërtimi i formës dhe trajtimi i saj në mënyrë ekspresive, tërheqjet e shpejta të penelit, ngjyrimet pastuoze dhe lazure në rrafshe të gjëra, në te cilat janë të qarta thekset dhe akordet e ndritshme të ngjyrave, simbolika e ngjyrave, paraqitja e një drame, tmerri, kaosit, duke paraqitur esencën e gjërave dhe jo pamjen e tyre te jashtme, mendoj se janë veçori të periudhës ekspresioniste.
KOHA: Përdorimi i shumë ngjyrave në pikturat tuaja, tërheqin vëmendjen e artdashësve. Kjo është edhe mënyra për ta tërhequr publikun?
ARSLLANI: Pikturat e mia shquhen për nga gjuha e pastërt dhe e çiltër artistike, për nga raportet kolorite, me trajta të pastra dhe përjetësim estetik, shprehjen më të plotë e arrij në tërë spektrin e gamës kolorite. Varësisht nga motivi, preferoj më tepër përdorimin e një spektri më të gjerë të ngjyrave në pikturat e mia, korrespondimi i tyre në mes veti dhe harmonia kolorite, mendoj se janë më joshëse dhe i japin më shumë jetë dhe forcë pikturës dhe pëlqehen më tepër nga artdashësit.
KOHA: Jeta dhe arti, arti dhe jeta, janë të lidhura ngushtë me njeriun. Por, familja, shoqëria sa janë pranë piktorit dhe sa ai vetë është pranë tyre?
ARSLLANI: Të jesh i suksesshëm në punë është vërtet bukur, por nuk ka më bukur sesa këtë sukses ta gëzosh ndërthurur me një familje të shëndoshë dhe vlera edukative. Familja dhe karriera janë dy dashuritë me të mëdha të njeriut, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në formimin dhe në të ardhmen e gjithsecilit prej nesh. Sakrifica, ambicia dhe dëshira për te arritur më të mirën jo në pak raste na bëjnë të humbasim sensin e kohës dhe në ketë mënyrë, pa dashur, mund të mos i japim vëmendjen e duhur asaj çka është më primare dhe më me vlerë në jetë – familjes.
Jam munduar gjithmonë të krijoj një balance mes profesionit tim dhe familjes, mundohem t’u jap kohën e duhur të dyjave gjithmonë kur familja ime ka nevojë për mua, sigurisht që edhe profesioni im dhe impenjime të tjera zënë një vend të rëndësishëm për mua atëherë unë do jem aty për ata, familja ime më përkrah shumë në punën time si artist ndaj nuk e kam absolutisht të vështir menaxhimin e kohës. Por, prapëseprapë jam i mendimit se nuk ka karrierë të suksesshme pa familje te shëndosh dhe anasjelltas, nuk munden njëra pa tjetrën.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.