Fisnik PASHOLLI
Shkup, 5 janar – Miza në bukë, ajkë me afat të skaduar dhe mish me erë të keqe. Këto janë vetëm një pjesë e 305 parashtresave të qytetarëve të drejtuara deri tek Departamenti për mbrojtjen e konsumatorëve pranë Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), shkruan gazeta KOHA. Prej parashtresave që janë paraqitur prej fillimit të vitit 2016 e deri në muajin nëntor të vitit të kaluar, 105 kanë qenë përmes telefonit falas për konsumatorët, rritje kjo që tregon se ngritët vetëdija e qytetarëve rreth ushqimit që konsumohet. Nëse krahasohen me mesataren prej afërsisht 100 ankesash të para disa viteve, vërehet rritje e dukshme e parashtresave, respektivisht prej 91 në vitin 2008, në 360 në vitin 2015, gjegjësisht 305 deri në muajin nëntor të vitit të kaluar. Më së shumti ankesa ka për restorantet dhe lokalet për përgatitjen e ushqimit të shpejtë, gjegjësisht për fast fudet. Qytetarët më së shumti dyshojnë për papastërtinë gjatë përgatitjes së ushqimit dhe rrezikut permanent nga helmimi në rast të konsumimit të këtij ushqimi. Nga Agjencia e ushqimit thonë se shumica e parashtresave kanë të bëjnë me moszbatimin e praktikës së mirë higjienike dhe prodhuese dhe sistemit HASAP. Nga Departamenti për mbrojtjen e konsumatorëve thonë se në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë analizohen shkaqet dhe rreziqet që theksohen në parashtresa. Gjithashtu inspektorët e autorizuar në të gjithë qytetet e Maqedonisë reagojnë edhe ndaj propozimeve që parashtrojnë qytetarët lidhur me sigurinë e ushqimit. Lidhur me ankesat e parashtresave, qytetarët më shumë reagojnë për moszbatimin e praktikës së mirë higjienike dhe prodhuese, gjegjësisht kushtet jo të mira higjienike në objekte, pajisjen e të punësuarve, manipulimin joadekuat me ushqim dhe të ngjashme. Në vend të dytë janë ankesat për ndryshimet e jashtme të ushqimit, siç janë: afati i skaduar i përdorimit të prodhimeve në shitjen me pakicë, veti të ndryshuara organo-leptike, përfshirë shijen, ngjyrën dhe aromën, pastaj prezencën e ndotësve, si ato biologjike ashtu edhe mekanike në ushqim. Këto janë vetëm disa nga vërejtjet e konsumatorëve. Disa nga parashtresat kanë të bëjnë edhe me mos-shënimin joadekuat të ushqimit, si dhe ankesat lidhur me dyshime sa i përket helmimit me ushqim në objektet hotelerike. Ka edhe ankesa për gjendjen shëndetësore dhe mirëqenien e kafshëve, thonë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.
Qytetarët kanë gjetur qelq, plastikë apo miza në bukë, lëmyshk apo lagështi tek drithërat, pemë-perimet, qumështi dhe ëmbëlsirat. Një pjesë e ankesave ka të bëjë edhe me afatin e skaduar për përdorim të mishit, qumështit dhe bukës, ndërsa ka pasur mashtrime edhe lidhur me aditivët dhe përbërësit e tjerë jo të shënuar. Lidhur me parashtresat në vitin 2015 dhe në dhjetë muajt e parë të vitit të kaluar inspektorët kanë miratuar më shumë se 40 vendime, prej të cilave janë realizuar 19 edukime, 10 gjoba dhe dy parashtresa kundërvajtëse, ndërsa janë asgjësuar 7440 kilogram ushqim jo i sigurt. Analizat e kryera tregojnë se po përmirësohet perceptimi i qytetarëve lidhur me rreziqet nga ushqimi. Të dhënat dhe ankesat e qytetarëve që dorëzohen deri tek të gjithë sektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë merren parasysh gjatë planifikimit të kontrolleve në teren dhe aktiviteteve të tjera, thonë nga ky institucion. Analiza e të dhënave konfirmon trendin në rritje të numrit të parashtresave, që sipas vlerësimit të Departamentit për mbrojtjen e konsumatorëve, i detyrohet rritjes së vetëdijes së qytetarëve. Rritja e parashtresave tregon se konsumatorët janë të vetëdijshëm se çka është ushqim cilësor apo i sigurt për konsumim. Nga Agjencia e Ushqimit e vlerësojnë si pozitive punën e parashtresave të qytetarëve, pasi sipas tyre, ato janë “dorë e zgjatur” e inspektorëve. Me fjalë të tjera, çdo konsumator në njëfarë mënyre edhe vetë e kontrollon ushqimin lidhur me afatet, përbërjen etj. Por nga ana tjetër, në Agjencinë e ushqimit thonë se nuk është patjetër që çdo ankesë të jetë edhe e bazuar.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.