Identifikimi i shqiptarëve me një Maqedoni të para 115 vjetëve(të Republikës së Krushevës si një referencë historike) është ajo pjesë në të cilën mund ta kërkojnë pozicionin e tyre madje më fortë se në kornizat e tashme kushtetuese-juridike. Kushtetuta e Maqedonisë e vitit 1946, e kishte bërë pikërisht reduktimin e idealit të Kryengritjes së Ilindenit dhe Republikës së Krushevës me uljen e statusit të shqiptarëve në nivelin e pakicës, që do të korrigjohet pjesërisht me kushtetutën e vitit 1974 (kombësi), do të ulet prapë më 1991 dhe do të rikthehet dukshëm me Marrëveshjen e Ohrit 2001
Nga Daut DAUTI
Nëse shkruan për një temë me vonesë, pasi të kenë shkruar të tjerët, në rastin konkret në temën e Maqedonisë së Ilindenit, pasi kaluan disa ditë duke e pritur rendin, mund të mos i ofrosh asgjë të re lexuesit. Shumë shkronja kanë zënë vend furishëm para këtij teksti në gazeta e portale dhe hendikepi i tij tash mund të jenë mungesa e origjinalitetit, sepse “pas të vjelave”, çdo autor e ka vështirë të thotë diçka të re që s’e kanë thënë të tjerët. Nga ana tjetër, po të shikosh gjërat nga një këndvështrim konformist, është gjene “përparësi”, sepse pasi u bë top-temë pas Samitit të Sofjes, mund ta kesh matur pulsin (“çka thotë populli”) dhe kjo është mënyra më e mirë për t’u rreshtuar drejt dhe ta kthesh gëzofin “nga frynë era”.
Nga një rezime e debatit(kur çdo kush që di të përdorë shkronjat e merr të drejtën të japë mendim eksperti), mund të nxirren disa konkluzione: Maqedonasit e përfaqësuar në qeveri janë PËR emrin Republika e Maqedonisë së Ilindenit, VMRO-ja taktizon, njësoj bën edhe kryetari Gjorge Ivanov, shqiptarët e përfaqësuar në qeveri e kanë përkrahur, ndërkaq të gjithë të tjerët i kanë gjetur mangësitë, çka gjuhësore, çka politike. Ndërsa pala e dytë, grekët, ndonëse nga prezantimi i Zaevit dukej sikur janë pajtuar me të, e hodhën poshtë! Ndoshta dhe më mirë, për hir të një zgjidhjeje më të logjikshme.
KUPTIMI I “…I ILINDENIT” SI DITËLINDJE E SHTETËSISË
Kur gazeta “Koha” e prezantoi e para nga burimet diplomatike propozimin REPUBLIKA E MAQEDONISË së ILINDENIT, befasia e parë kishte të bëjë me përcaktuesin. Përderisa deri tash në lojë ishin disa variante emrash me përcaktues gjeografik(E Epër, Veriore, e Varadarit, (Shkupi)…)dhe vetëm një me përcaktues kohor(E RE), propozimi që doli nga Sofja ishte padyshim me përcaktues KOHOR, që ngërthente në vete edhe aspektin historik(vetë konteksti kohor e bën historik), dhe vijën kufitare identitare shtetërore, e së këndejmi edhe vijën kufitare të identitetit kombëtar.
Pra, përcaktuesi “e Ilindenit” në mënyrë strikte Maqedoninë e definon si një entItet shtetëror që ka lindur në Ditën e Ilindenit, gjegjësisht, në aspektin historik, e lidh me Kryengritjen e Ilindenit në vitin 1903, prej së cilës doli edhe Republika e Krushevës që zgjati vetëm dhjetë ditë . Emërtimi i shtetit si Republikë e Maqedonisë së Ilindenit etimologjikisht bazat e veta i kërkon jo më larg se para 115 vjetësh, në formën e parë të shtetësisë së Maqedonisë.
Konotacioni fetar i emrit, vjen nga vetë ngjarja, pasi kryengritja ka ndodhur në një ditë fetare ortodokse (të cilën mund ta respektojnë ortodoksët maqedonas, bullgarë, grekë, serbë, shqiptarë…) dhe nëse nuk shikohen kontekstet tjera(politike, etnike…), ajo është një DITËLINDJE të cilës nuk mund t’ia ndryshosh datën, ajo ka ndodhur atë ditë kur ka ndodhur dhe nuk mund ta ndryshojmë. Pra, nga ky këndvështrim, lidhja e emrit të shtetit me një datë të këtillë, ka kuptimin historik prej kur daton shtetësia e Maqedonisë. Kontestuese për publikun shqiptar, siç është parë këto ditë, është konotacioni fetar ortodoks i ditëlindjes së shtetit(edhe Mbledhja e dytë e ASNOMI-it është mbajtur po më 2 gusht, ndaj dhe e quajnë ndryshe ILINDENI I DYTë), sepse në kontekstin e identifikimit në Maqedoni, ajo datë KRYESISHT lidhet me një popull(maqedonas) duke pasur karakterin etnik të kishave ortodokse gjithandej rruzullit) me të cilën nuk mund të identifikohet pjesa myslimane që mund të jenë te 40 përqind(shqiptarë, turq, boshnjakë, torbeshë…). Prandaj dhe emri i shtetit që si atribut e ka ditëlindjen e vet në një datë fetare ortodokse, duket problematik, gjegjësisht, i identifikueshëm vetëm me maqedonasit ortodoksë.
Nëse palët kanë ardhur gjer në këtë pikë, atëherë hapi më i logjikshëm ka qenë që emri i shtetit të propozohej me atë që nuk është DITLINDJE, por THELBI i krijimit të shtetit. Pra, nëse në kryengritjen e Ilindenit ka lindur forma e parë e shtetësisë dhe ajo ka mbajtur emrin Republika e Krushevës, kjo duket të jetë emri më adekuat, pra, Republika e Maqedonisë së Krushevës, ose modifikacioni Republika e Krushevës e Maqedonisë ose madje Maqedonia e Republikës së Krushevës. Më këtë pikë shqiptarët do ta ndjenin veten si pjesë konstituive të shtetit, ndonëse këtë gjë ua mundëson edhe “e Ilindenit” sepse republika e Krushevës lindi nga kryengritja që ndodhi në Ditën e Ilindenit.
KËNDVËSHTRIMET SHQIPTARE, GREKE, MAQEDONASE, BULLGARE, NDËRKOMBËTARE
Duke supozuar se ky emër do të dalë si propozim i ndërmjetësit Nimic edhe zyrtarisht, ta shikojmë aspektin e (pa)pranueshmërisë së tij kundrejt palëve të interesuara.
Para se të prononcohen grekët, u përshëndet nga Sofja zyrtare, sepse Maqedonia e Ilindenit identifikohet me “historinë e përbashkët” të dy popujve. (Edhe pse shtypi pro qeveritar i Maqedonisë e priti me ngazëllim si meritë e Zaevit, kumbara mund të jetë ulur në Sofje!). Bullgaria pas marrëveshjes me Maqedoninë për marrëdhënie fqinjësore, gjithnjë e më shumë shpreh pretendimet e veta për historinë e popullit maqedonas, ose bëhet tutor i shtetit të tij.
Ndonëse ky emër më shumë do t’u shkonte interesave të Greqisë, kryeministri grek Cipras e hodhi poshtë i pari! Kështu e la të hapur nëse në Sofje ishte marrë vesh me Zaevin për këtë emër, edhe pse ky i dyti la përshtypje se kjo ishte një ujdi e përbashkët. Do të ishte e palogjikshme që pikërisht Greqia ta hedhë poshtë këtë emër, kur duket ashiqare se ky emër e këput “kontinuitetin” që e kërkonte qeveria e Gruevskit me projektin Shkupi 2014 për identitetin antik, të cilin gjithë kohën e konteston Athina. Refuzimi grek do të thoshte se ky shtet vetëm shtiret sa u përket negociatave, sepse qëllimi është që të pengojë me çdo kusht Maqedoninë për EU dhe NATO edhe pse me Marrëveshjen e Përkohshme të vitit 1995 nuk ka të drejtë ta bëjë(gjë që e vërtetoi me vendimin e vet dhe Gjykata e Hagës). Mospranimi nga pala greke do të ishte edhe një dëshmi në sytë e OKB-së se pala që nuk do zgjidhje është Greqia. Por, refuzimi i tij është i mirë nga këndvështrimi shqiptar dhe në dobi të procesit, për të gjetur një emër më pak konfuz se ky, si bie fjala Maqedonia e Re, të cilin e parapëlqen ish ministri i jashtëm, Denko Maleski.
Për palën shqiptare, nëse e lëmë anësh aspektin fetar të atributit pranë emrit të Maqedonisë , gjithçka tjetër është në favor! Pse? Sepse, Kryengritja e Ilindenit është një ngjarje historike që sublimon idenë për shtet të vetin të popujve që kanë jetuar, por jo për shtet dosido, por në baza të barazisë së plotë që sot mëtojnë ta ndërtojnë shqiptarët! Duket paradoksale, por ashtu është. Të shkojmë me radhë. E para, në atë kryengritje maqedonase-vllehe, organizatorët e kryengritjes kanë dalë me Proklamatë drejtuar të gjithë popujve për t’iu bashkëngjitur me qëllim të çlirimit nga Perandoria Osmane, pra edhe shqiptarëve e turqve. E dyta, vetë Republika e Krushevës që lindi nga kjo kryengritje, e dha shembullin më të mirë se si është menduar shteti i ri. Organet e Republikës së Krushevës jetëshkurtër, ishin konstituuar në parimin e paritetit etnik: “qeveria” përbëhej nga dy maqedonas, dy vllehë dhe dy shqiptarë dhe “Kuvendi” 60 anëtarësh nga 20 përfaqësues nga këta popuj, me çka kemi shembullin më të mirë të një shteti ku në themel është vënë barazia e plotë e popujve që kanë jetuar me shumicë. Pra, identifikimi i shqiptarëve me një Maqedoni të para 115 vjetëve(të Republikës së Krushevës si një referencë historike) është ajo pjesë në të cilën mund ta kërkojnë pozicionin e tyre madje më fortë se në kornizat e tashme kushtetuese-juridike. Kushtetuta e Maqedonisë e vitit 1946, e kishte bërë pikërisht reduktimin e idealit të Kryengritjes së Ilindenit dhe Republikës së Krushevës me uljen e statusit të shqiptarëve në nivelin e pakicës, që do të korrigjohet pjesërisht me kushtetutën e vitit 1974(kombësi), do të ulet prapë më 1991 dhe do të rikthehet dukshëm me Marrëveshjen e Ohrit 2001.
Historia shqiptare nuk është marrë shumë me Kryengritjen e Ilindenit. Ka pasur disa polemika midis vetë historianëve shqiptarë lidhur me pjesëmarrjen e shqiptarëve në të. Disa minimizonin pjesëmarrjen në përmasa individuale, dhe të tjerët afirmonin modelin e barazisë në Republikën e Krushevës, si bërthamë e shtetësisë së Maqedonisë, duke kërkuar modelin më të përshtatshëm për ditët e sodit. Nëse shikohet ajo kryengritje nga këndvështrimi i idealit për të pasur shtet kombëtar, atëherë pjesëmarrja e shqiptarëve në të duhet të jetë cenim i idealit. Nëse gjërat shikohen nga një këndvështrim i bashkëpunimit të popujve për një qëllim të përbashkët, ndihmesa e ndërsjellë midis tyre në lëvizje të mëdha është i natyrshëm. Prandaj dhe kur shqiptarët sot nuk janë atje ku duhej të ishin sipas synimeve shekullore, dhe jetojnë në një shtet që nuk quhet Shqipëri, atëherë duhet të gjenden format përkatëse të komunikimit dhe bashkëpunimit për një shtet funksional. Republika e Krushevës duket ai model që është dukur më i mundshëm dhe më funksional në atë kohë, dhe çka është më me rëndësi, ajo ka qenë ofertë maqedonase-vllehe për bashkëjetesë edhe për fqinjët tjerë në këto hapësira.
Nga atmosfera e krijuar rreth këtij emri, gjëja më e mirë është që Greqia ta refuzojë. Përcaktuesi kohor(historik) që bën dinstiknsionin midis antikës dhe dyndjes sllave në Ballkan prej nga vjen edhe origjina e maqedonasve(pa i llogaritur ëndrrallat e historianëve politikë të VMRO-DPMNE-së), më i përshtatshëm do të ishte Maqedonia e Re, ose me përcaktues gjeografikë, që tashmë kanë qarkulluar. Nuk duhet të harrojmë në asnjë moment se beteja për emrin e ri të Maqedonisë, para së gjithash ka të bëjë me pakon e plotë, pra, atë të mënyrës së përdorimit(brenda dhe jashtë, apo vetëm jashtë), për emërtimin e gjuhës maqedonase dhe qytetarëve të saj dhe në asnjë moment nuk e prek identitetin shqiptar. Te emri i shtetit natyrisht mund të preket edhe te definimi i shtetit, ku shqiptarët mund të ndjehen të cenuar, si bie fjala emri i refuzuar kaherë “…Sllavomaqedoni…” ose ndonjë emër tjetër i ngjashëm.
Ajo që mund të supozohet është se promovimi i emrit Republika e Maqedonisë së Ilindenit, e cila preku sentimentin etnik të maqedonasve të përçarë në antikë dhe sllavë për një lloj uniteti rreth një episodi historik të pakontestueshëm, mund të jetë një emër kalimtar në procesin e negocimit, për t’i përgatitur opinionet publike të të dy vendeve për kompromisin e mundshëm. Për Greqinë, si tha Cipras, është me rëndësi që Maqedonia qenka pajtuar për emër për përdorim të përgjithshëm, kurse për palën maqedonase fakti se mund të mbrohet identiteti dhe gjuha në një emër me përcaktues kohorë ose gjeografikë…Finalja, gjithsesi, do të jetë përsëri në kuadër të propozimeve tashmë të njohura nga “defteri” i Metju Nimicit të lodhur.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)