Massimiliano Allegri dhe Juventus janë të destinuar për të vazhduar bashkëpunimin edhe gjatë sezonit tjetër. Sipas të përditshmes italiane “La Stampa”, palët kanë arritur marrëveshjen dhe trajneri pritet të qëndrojë në stolin bardhezi deri në vitin 2020. Megjithatë, firmat nuk janë hedhur ende në kontratën e re, pasi të gjithë po mendojnë që ta mbyllin sa më mirë këtë sezon, ku Juventus është protagonist në tri fronte: Kampionat, Kupë dhe Champions League. Ndaj, zyrtarizimi i konfirmimit të Allegri në stolin e Juventusit do të vijë vetëm pas përfundimit të sezonit, për të evituar shpërqendrime.
Juventusi praktikisht ka hipotekuar titullin e gjashtë radhazi në Serinë A, është në finalen e Kupës së Italisë dhe është kualifikuar për në gjysmëfinalet e Champions League dhe shanset janë që këtë vit bardhezinjtë t’i fitojnë në të trija trofetë. Puna e mirë që ka bërë trajneri Allegri ka marrë përgëzimet e të gjithëve dhe ai mund të shkruajë historinë e klubit bardhezi. Drejtuesit e klubit nuk e kanë fshehur kurrë dëshirën për t’i rinovuar kontratën (skadon në qershorin e vitit 2018), duke i rritur edhe rrogën. Kohët e fundit, Allegri është përfshirë në mjaft zëra të merkatos, duke qenë kandidat për stolin e Arsenal dhe Barcelona.