ALIU: Kur vlerësohet mundi e djersa, lodhjen nuk e ndjen

Unë i kam takuar disa artistë nga Shqipëria, Kosova edhe Maqedonia, që janë shumë të talentuar dhe shumë mund të bëjnë, problemi është se nuk mund të hyjnë, nuk kanë përparësi te fondet, nuk u jepet shanse, aty ka një lojë që nuk e kuptoj bash mirë.

117

Delvina KËRLUKU

Izer Aliu është 35 vjeçar. U lindi në fshatin Kondovë të Shkupit. Në moshën dy vjeçare, bashkë me familjen shpërngulen për në Evropë. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në Suedi. Pas mbarimit të gjimnazit ka studiuar politikën dhe shkencat ndërkombëtare. I pasionuar pas filmave, ai do të ndjek studimet edhe për kinematografi, por në Norvegji, ku edhe ishin shpërngulur. Pas studimeve intensive, ai do të bëj filmin e parë “To guard a mountain”( “Ta mbrojmë malin”) , ku edhe diplomon. Por, ky film do të nominohet në festivalin ndërkombëtar të Norvegjisë, ku Aliu do të merr çmimin më të madh të këtij festivali. Pas këtij suksesi të lartë, ai do të realizojë filmin e dytë “The Good Life, Over There” (Jeta e mirë atje), ku do të ndodh çudia, që përsëri të merr çmimin më të madh edhe për filmin më të mirë edhe për skenarin më të mirë. Në vitin 2012 merr çmimin ndërkombëtar për filmin e parë në Norvegji, Francë, Poloni, Amerikë, Luksemburg, në Maqedoni në Tetove, në Strumicë, etj. Aliu është nderua me mbi pesëdhjetë çmime ndërkombëtare. Këtë vit ai do të paraqitet me premierë në Norvegji me filmin “Hunting Flies”, që së shpejti vjen edhe në Maqedoni.

KOHA: Keni realizuar shumë projekte dhe jeni shpërblyer me çmime. Madje, jeni renditur në dhjetëshen më të mirë në Skandinavi. Ç‘do të thotë kjo arritje për një të ri?

ALIU: Kam qenë pjesë e shkollës “The Norway witches film”, ku për disa vite kam ndjekur studimet për kinematografi. E veçanta e kësaj shkolle është se brenda dy viteve pranohen vetëm gjashtë studentë, kështu që unë pata fatin të jem pjesë e kësaj shkollë, që edhe më mësoi mjeshtërinë dhe punën e regjisorit. Kur kam përfunduar shkollën, më është dashur të punoj një film, për mbrojtjen e temës të diplomimit. Film “To guard a mountain”, jo që u prit mirë në shkollën e filmit, por arriti që të nominohet në festivalin e Norvegjisë. Në këtë festival, arrita të marr çmimin më të lartë që ekziston në këtë shtet. Edhe pas këtij filmi, kam punuar projekte të tjera, të cilat gjithashtu kanë marrë pjesë në festivale eminente. Filmi i parë ose të them më mirë çmimi i parë, më ka ndihmuar dhe më ka dhënë shtytje për të bërë projekte të tjera. Kështu, në të njëjtin festival “The short film festival”, unë u nominova për herë të dytë me filmin “The Good Life, Over There”, dhe arrita që sërish fitoj po çmimin më të madh: për filmin më të mirë edhe për skenarin më të mirë. Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë, që një individ, në dy vite radhazi, të fitojë çmimin më të madh në këtë festival, në të cilin marrin pjesë filma nga shumë vende të botës. Kjo arritje, sidomos për një tredhjet e pesë vjeçar, është një mundësi për të vazhduar të punosh me më shumë vullnet. Kur të vlerësohet mundi e djersa, nuk e kupton lodhjen, por vetëm kënaqësinë dhe të kaplon krenaria. Por, çmimi nuk është se të ndihmon diçka, por thjeshtë cyt të vazhdosh të kontribuosh e të bësh më shumë filma. Pra, çmimi e mbush biografinë, por edhe njerëzit atëherë kanë më shumë besim në punën që e bëj. Thuajse për të gjitha filmat jam shpërblyer!

KOHA: Sa e vështirë është që të futet një regjisor i ri në tregun evropian? A ka qenë e vështirë për Ju në Norvegji?

ALIU: Nuk ka qenë vështirë, hëmm.., nuk e di, nuk e di se nuk kam me çka ta barazoj. Kam pasur shumë fat, sepse jam shkolluar në një shkollë ku punohet me përkushtim dhe brenda kësaj kohe kam punuar aq shumë dhe kam gjetur po ashtu kohë për projekte. Nuk mund të them se kam bërë kualitetin, përkundrazi mund ta bëj edhe më shumë. Dhe bërja sa më mirë, do të thotë gjuha universale që e dallon nga ajo lokale etj.

KOHA: Kontaktet dhe bashkëpunimet e para si regjisor?

ALIU: Pasi kam dalë nga shkolla, kam pasur kontakt me një produksion, “Move list”, ku bëjnë shumë filma. Pastaj nisa vetë të punoj, por kësaj radhe me një producent tjetër. Unë i kam punuar me disa producentët.

KOHA: Çfarë ju shtyu të merreni me regji. Ishte një ëndërr, apo..?

ALIU: Jo, unë vonë kam nisur me regji. Kur ndiqja gjimnazin në Suedi, isha në drejtimin e mediave, por pasi mbarova gjimnazin kam studiuar politikën dhe shkencat ndërkombëtare. Pra, një profesion krejt ndryshe. Ka qenë një vendim i prerë, pra një hap shumë i madh që të ndjek mësimet e kinematografisë. Unë jam i vetmi në familje që merrem me art. Nëna është marrë me prerjen dhe rregullimin e flokëve, por për simetri ajo siç duket më ka mësuar. Edhe babai më parë ka pikturuar shumë bukur, por atëherë nuk ka qenë koha dhe nuk ka pasur hapësirë për t’u shfaqur në publik. Tim atit i kishin thënë: ‘këto gjëra janë fantazi’, por edhe mua më kanë thënë ‘mos u merr me këto fantazi’, hahaa…

KOHA: Keni diplomuar në shkollën e filmit norvegjez. Cilat ishin përparësitë dhe vështirësitë e shkollimit tuaj?

ALIU: Vështirësitë.., çfarë ka qenë negative dhe pozitive është se në atë kohë kishin ardhur në jetë dy fëmijët e mi. Përkushtimi në studime dhe në familje, kërkonte mund dhe sakrificë. Për dallim nga të tjerët, ata nuk e kanë pasur statusin tim, të babait. Por, unë kam dhënë gjithçka nga vetja për familjen dhe jam përkushtuar edhe në shkollim. Familja sa kërkon mbikëqyrje aq edhe të jep frymëzim. Unë thjesht i kam shmangur ahengjet e festat.

KOHA: Ju jetoni në Norvegji, ndërsa keni origjinën nga Maqedonia. Çfarë flasin për Ju këto dy shtete dhe sa larg është Maqedonia në fushën e artit, të cilit ju i përkisni?

ALIU: Unë jetoj në Norvegji, dhe kam nënshtetësinë, por jam rritur në Suedi sepse kam shumë anëtarë të familjes andej. Ne si familje jemi nga Shkupi, nga fshati Kondovë. Unë sapo kam mbushur dy vjet, familja ime është shpërngulur që aty për në Evropë. Edhe pse në një moshë shumë të vogël kam ikur nga vendlindja, e kam vizituar më pas në moshën njëmbëdhjetë vjeçare dhe vazhdojmë ta vizitojmë shpesh. Ky vend më tërheq aq shumë. Kur je larg, është një ndjenjë e çuditshme, unë jam formuar si shqiptar dhe vazhdoj të jem i tillë. Por, kur jam kthyer në vendlindje ndoshta në një moshë të pubertetit dhe ajo ndjesia kur të quajnë ‘i huaj’, nuk e ndjen veten dhe aq më shumë nuk e përcakton se çfarë je a shqiptar apo norvegjez. Por, tani në këtë moshë të pjekur, unë e njoh identitetin tim dhe kombin tim shqiptar. Por, norvegjezëve, kur shkoj në festivale të ndryshme botërore, u pëlqen ta quaj veten norvegjez. Ndërsa, sa i përket Maqedonisë në fushën e artit, unë e ndjej se ka shumë histori të veçantë e interesant, por disi traumat i kemi të ndryshme. Arti siç thamë ka gjuhën universale, por problemi është se te ne bëhen gjërat për ta kuptuar vetëm një pakicë, pra një grup i vogël. Në vend që të punojmë për një grup të caktuar, duhet të mundohemi të punojmë për gjithë njerëzimin. Kur këto filma dalin jashtë kufijve pak kuptohen nga shumica, sepse duhet një paradije mbi atë ngjarje që është vendosur në film. Mendoj se shumë më lehtë eksportohen filmat prej Maqedonisë, Kosovës ose prej Ballkanit në përgjithësi. Në Maqedoni mendoj se ekziston arti, por duhen kanalet e depërtimit. Unë jam duke e parë një zhvillim shumë interesant. Kam takuar disa artistë nga Shqipëria, Kosova edhe Maqedonia, që janë shumë të talentuar dhe mund të bëjnë shumë. Problemi është se nuk mund të depërtojnë, nuk kanë përparësi te fondet, nuk u jepet shanse, aty ka një lojë që nuk e kuptoj mirë.

KOHA: Ju keni xhiruar film edhe në Maqedoni. Çfarë mund të na tregoni për këtë përvojë dhe si u prit filmi?

ALIU: Filmi me metrazh të shkurtër “To Guard a Mountain”, i cili zgjat 25 minuta, u prit shumë mirë. Në këtë film luan aktori shqiptar nga Maqedonia Burhan Amiti dhe dy të rinj amatorë, Besim Murtezani dhe Altin Axhani. Bëhet fjalë për një mungesë dashurie mes babait dhe fëmijëve. Një ditë atyre u humbet një dele dhe babai, ashtu siç ishte ai, me një zë të rreptë thumbues i detyron Isain 12 vjeçar dhe vëllain e vogël Hamidin, që të kërkojnë delen. Fëmijët duhet t’i binden urdhrit të të atit të tyre dhe detyra e tyre është që ta kthejnë shëndosh e mirë delen në shtëpinë e tyre. Duke ecur në një thep, majë mali, Hamidin e kap një rrufe dhe lëndohet dhe jeta e tij rrezikohet shumë. Isa e gjen veten përballë një dilemë: të veprojë në përputhje me urdhrin e babait të tij apo të marrë vëllain e tij të vogël sa më shpejt që mundet për ta zbritur nga mali? Përfundimi është se Isa pas një misioni burrëror, do të merr përqafimin e parë nga babai. Ky film është nderuar jo vetëm në Norvegji, por edhe në Maqedoni, madje edhe në Francë, Poloni, Amerikë, Luksemburg, Indi, etj. Mund të them se në mbi pesëdhjetë festivale ka shëtitur, po aq është shpërblyer. Filmi tjetër që është xhiruar në Maqedoni, “Hunting Flies”, së shpejti do ta ketë premierën në Norvegji.

KOHA: Jeni shpërblyer në një moshë relativisht të re. Si mund të na i përshkruani emocionet?

ALIU: Pas çmimit të parë, njeriu disi frikësohet dhe pas suksesit domosdo ka përgjegjësi më shumë. Por, pata fat që edhe filmi i dytë shkoi mirë. Ka dy situata në fitore ose gëzohesh shumë ose ndjehesh në “dark place”, në një situate që të mbulon frika.

KOHA: Ku pritni t’ju dërgojnë këto suksese?

ALIU: Nuk di si ta them, hëëm.., unë kam vetëm dëshirë të bëj filma dhe domosdo të bëhem edhe më i mirë seç jam, se e mira s’ka fund.

KOHA: Cilët janë regjisorët tuaj të preferuar?

ALIU: Rrallë mendoj, por gjithsesi Akiro Kurosava, regjisori japonez, Vittorio De Sica i Italisë, amerikani Martin Scorsese, kam dhe të tjerë të preferuar. Por, e dini si është kur kam qenë në shkollë, madje edhe sot kam kontakte me regjisor të mirënjohur, që kanë karrierë shumë më të madhe se unë. Mënyrën e zhvillimit të filmit të tyre nuk e kisha bërë, sepse ata e kanë stilin e vet, kurse unë timin. Secili duhet të ketë stilin e vet të punës dhe duhet të punojë pa u ndalur…

KOHA: Regjisor do të thotë drejtuesi artistik i punës që kryhet për të vënë në skenë një pjesë teatrale ose për të bërë një film. Ju i jeni qasur vetëm filmit. Keni provuar veten një një pjesë teatrale?

ALIU: Tetari ka qenë pjesë gjatë shkollimit. Mua më tërheq më shumë filmi në krahasim me teatrin. Gjithsesi, për ta shikuar e shikoj shpesh dhe me një këndvështrim kontrollues në të gjitha anët. Mua më pëlqen ta krijoj domethënien me montazh, nga skena në skenë, mund t’i shoh më mirë nuancat. Teatri është më temporal, ka një skenë, e cila edhe ndryshohet disi në një shfaqje. Aktorët këtu duhet të lëshojnë zë edhe për publikun që është ulur në fund të sallës, kurse në film mund ta afrosh kamerën që ta dëgjosh zërin e aktorit. Thjesht filmi tregon ato nuancat e vogla që mua më tërheqin. Unë kam shok aktorë në Norvegji, që luajnë në teatër. Shpesh bëjmë kritika, por edhe përkrahemi me njëri tjetrin.

KOHA: Çfarë do të thotë për ju të jesh regjisor?

ALIU: Në realitetin ku jetojmë dhe si e shohim sot regjisorin, ai brenda tij ka egon e vet të rrethuar me artin dhe është “egoist”. Gjithçka e bërë prej tij është një altruizëm. Sepse, gjithçka që bën, e bën për ta parë njerëzimi, ashtu siç do ai ta shikosh botën.

KOHA: Ç’mendim keni për filmin shqiptar përgjithësisht?

ALIU: E di se më parë ka pasur një kulturë të veçantë dhe aq të rëndësishme. Por, tani ka një rënie e kualitetit, si ta them është një valë që i rrëmben ata filma aq domethënëse për brezin e mëparshëm dhe për ne shqiptarët. Filmat shqip më parë i kam parë shumë, babai im i ka pasur aq shumë qejf. Filmi im i dashur është “Tomka dhe shokët e tij”, por edhe shumë filma të tjerë. E veçanta e këtyre filmave është se u kanë dhënë vëmendje në çdo detaje. Sot, kur i shohim, sidomos në “youtube”, gjithçka bëhet shpejt, nuk i japin rëndësi përshkrimit, në çdo fazë të filmit duhet të jepet përparësi kualitetit. Kam pa shumë filma, madje në një festival në Prizren kam qenë në juri. Nuk më kanë pëlqyer të gjithë, por ai që fitoi kishte një domethënie për mua me zhanër të miksuar thriller dhe dramë. Edhe estetika, aktrimi dhe disa detaje të vogla më kanë pëlqyer. Filmat e vjetër mund të them se janë bërë më me vetëdije, me qëllim.

KOHA: Frymëzoheni nga situata të ndryshme apo përmes librave arrini ta realizoni filmin?

ALIU: Jam përpjekur që përmes autorëve të zgjedh një libër që do ta bëja një film, por nuk kam pasur sukses dhe kam nisur vetë të shkruaj. Lexoj libra, sidomos Kadarenë e kam lexuar vazhdimisht. Në mos gaboj këto ditë kam lexuar një shkrim të Kadaresë ku edhe kritikon se librat e tij në filma nuk duken ashtu siç përshkruhet në libër.

KOHA: Cilat janë preokupimet momentale dhe çfarë mund të presim nga Ju?

ALIU: Tani së shpejti kam një premierë dhe një tjetër është në proces. Jam duke e shkruar edhe një skenar. Problemi është se s’qëndroj dot urtë. I nis shumë projekte dhe cila realizohet e para, ai dhe del në sipërfaqe. Më 21 prill, filmi artistik i metrazhit të gjatë “Hunting Flies”, shfaqet në Norvegji. Në këtë film luajnë aktorët: Burhan Amiti, Jasin Mustafa, Besar Guta, Behar Xhemali, Hadis Aliu, Suad Jakupi, Regaib Arifi. Ngjarja para premierës së filmit do të mbahet më 20 prill në Nordisk – Film Kino Vikao. Ndërkaq, nga 21 prilli filmi do të shfaqet për publikun norvegjez. Ky film gjithsesi do të vijë edhe në Maqedoni.

KOHA: Cila është vendlindja e të parëve tuaj dhe sa shpesh ktheheni në vendlindje?

ALIU: Unë mund të them se njerëzit përherë kanë qenë nomadë. Edhe familja ime e di që ka ecur edhe prej Kosove, edhe prej Shqipërie. Gjyshin dhe gjyshen i kemi varrosur në katund. Dhe e dini si rrënjët nuk shkulen aq lehtë. Kjo më bën që ta vizitoj vendlindjen, madje edhe shoqen e kam nga ato anë.

© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Të Ngjajshme