Çarshia, monumenti pa zot
Ngrehinat pesë shekullore të Çarshisë i janë lënë kujdesit kolektiv dhe ndërgjegjes qytetare. As shpallja e saj si “monument i trashëgimisë i një rëndësie të veçantë”, hyrja në fuqi e Ligjit për mbrojtjen e saj, hartimi i Programit revitalizues dhe themelimi i një Këshilli Nacional prej më shumë se katër vjetësh nuk kanë ndryshuar thuajse asgjë
Evis HALILI/KOHA
Shkup- As Ligji i posaçëm dhe as Programi për revitalizmin nuk arrijnë ta mbrojnë dhe as të revitalizojnë kompleksin prej 38 mijë metra katrorë të Çarshisë së Shkupit. Teksa disa metra më poshtë, në sheshin “Maqedonia”, restaurohen fasadat e ndërtesave më të vonshme, ngrehinat pesë shekullore të Çarshisë i janë lënë kujdesit kolektiv dhe ndërgjegjes qytetare. Me më pak investime nga shteti dhe me më shumë donacione të huaja, kryesisht nga Turqia, në vite janë arritur që të konservohen vetëm disa prej objekteve të saj, fetare e profane, ndërkohë që kompleksi karakteristik numëron një sërë monumentesh kulture të rëndësisë së posaçme, të cilat klasifikohen në kategorinë e parë të objekteve që janë nën mbrojtjen e shtetit. Por edhe pse kanë kaluar katër vjet, qëkur Këshilli Nacional i themeluar nga Qeveria enkas për revitalizimin e zonës, programi i përpiluar prej tyre sesi si dhe ku duhet të intervenohet ka funksionuar vetëm në letër. Që objektet më të rëndësishme të saj po shkojnë drejt tjetërsimit, ankohet edhe Bashkësia Islame, e cila po ashtu, është e bindur se me Ligjin e ri për mbrojtjen e Çarshisë, më shumë i është hapur rrugë abuzimit dhe përvetësimit të monumenteve religjioze e profane të saj të shpronësuara. Por në Drejtorinë e Mbrojtjes së Monumenteve thonë se Çarshia, si një monument - po mbrohet si duhet nga shteti, ndërsa për disa raste specifike, faji është i atyre që ato objekte që i kanë në përdorim nuk i mirëmbajnë.
“Kur dëgjojmë lajme për abuzime, siç ishte ai i një dite më parë për një dyqan në Bezistan, duhet ta dimë se vijnë nga padituria. Pasi ne i kemi dhënë leje pronarit të saj dhe punimet, rikonstruktimi kryhet konform Ligjit. Kemi edhe raste kur këto objekte nuk mirëmbahen, por nuk është faji ynë, ato që i kanë në përdorim duhet të kujdesen. Çarshia ka objekte që janë monumente kulture të kategorisë së parë, për të cilat BIM kujton se janë të vetat, por ato nuk i përkasin atyre, sepse janë të periudhës otomane dhe i përkasin shtetit”, thotë kreu i drejtorisë Pasko Kuzman. Por sa është punuar deri tani sipas programit të revitalizimit dhe si po mbrohen nga shteti? Këshilli Nacional që disa vite më parë hartoi këtë program dhe anëtari i tij, Behixhudin Shehapi, thotë se jo vetëm abuzimet me monumentet në tërë zonën nuk mund të mohohen, por edhe investimi nga vetë shteti është jashtëzakonisht i vogël. Po ashtu, sipas Shehapit, konservimi i objekteve, si për shembull, ai i dyqanit më të vjetër të Çarshisë, që daton nga shekulli i XV-të, është realizuar falë një donacioni nga qeveria holandeze, ndërsa një pjesë e mirë nga donacionet që vijnë nga qeveria turke. “Çdo intervenim në Çarshi kërkon leje të posaçme, ekspertizë paraprake, ai është një kompleks i mbrojtur me ligj dhe Këshilli hartoi një Program revitalizimi, por në fakt - shteti ka investuar shumë pak për të kryer konservime. Shumë rikonstruktime deri tani janë bërë falë donacioneve që marrim nga jashtë. Duhet që Enti i Konservimit dhe Drejtoria e Mbrojtjes së Trashëgimisë të kujdesen më tepër, të ndahet më shumë buxhet, pasi ajo që jepet - është i pamjaftueshëm. Kemi abuzime në Çarshi, për shembull shumë objekte të vjetra rikonstruktohen në mënyrë moderne dhe jo sipas parametrave, ato janë fakte evidente, por nuk kemi as intervenime për t’i mbrojtur”, thotë Shehapi. Disa vite më parë, kompleksi i Çarshisë u shpall nga shteti Monument trashëgimie i një rëndësie të veçantë, ndërsa për mbrojtjen e saj hyri në fuqi edhe një Ligj i posaçëm. Në Programin ende të parealizuar, ndër të tjera thuhet se qëllimi është që të ndryshojë gjendjen e keqe në një drejtim pozitiv. Në të ndër të tjera, thuhet se përpilimi i këtij Programi revitalizimi dhe vetë dokumenti duhet të ketë efekt “llave” sa i takon aktiviteteve që do të ndërmerren, por në realitet edhe pas katër vitesh - Çarshia vazhdon të jetë në status-quo, jo vetëm sa i takon konservimit të objekteve karakteristike, por edhe me rrjete kanalizimi të amortizuara dhe me një projekt që vazhdon, për ndriçimin e të gjitha rrugicave të saj.
| Di | Hë | Ma | Me | En | Pr | Sh |
| 1 | 2 | 3 | 4 | |||
| 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 |
| 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 |
| 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 |
| 26 | 27 | 28 | 29 | 30 | 31 |





Facebook
Twitter
Google
Digg
Myspace
Yahoo MyWeb



Publikoni komentin tuaj