Delvina KËRLUKU
Vebi Qerimi (1955), aktor, regjisor, profesor, u lind në Kumanovë, ku mbaroi shkollimin fillor dhe atë të mesëm. Studimet e larta për aktrim i kreu në vitin 1979, në Fakultetin e Artit Dramatik në Shkup. Në karrierën e tij artistike numërohen mbi njëqind role të realizuara në Teatrin Shqiptar të Shkupit. Përveç në teatër, ka realizuar edhe një sërë rolesh në filma artistik, të metrazhit të gjatë dhe atij të shkurt, si dhe drama e seriale televizive. Në karrierën e tij artistike mund të numërohen edhe disa regji teatrore: “Njeri që pa vdekjen me sy” nga V. Eftimiu; “Policët” nga S.Mrozhek; “Volpone” nga B. Xhonson; “Kapriciozet” nga Molier, etj. Përveç në teatër punoi edhe si profesor i lëndës së aktrimit në fakultetin e Artit Dramatik në Shkup si dhe në Fakultetin e Artit Dramatik, në Tetovë. Që nga viti 1980 është i punësuar në Teatrin Shqiptar të Shkupit…
KOHA: Porosia e ushtrive të vdekura në betejë tregon tragjedinë e krijuar nga luftërat dhe të vetmet gjëra që ngelën nga to janë eshtrat, dhembja, kujtimet dhe jetën që vjen pas saj. Ju keni qenë protagonist në veprën e Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Çfarë ju thotë kjo vepër dhe si e kujtoni këtë rol?
QERIMI: Vetë romani i shkrimtarit Ismail Kadare fillon me një atmosferë të zymtë dhe melankolike! Po ashtu edhe drama, e cila është e dramatizuar po nga i njëjti roman. “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” fillon me një emocion të fuqishëm nga familjarët, nga nënat, gratë italiane, duke kërkuar nga institucionet italiane, konkretisht nga Gjenerali, të cilit i ngarkohet detyra për kthimin e eshtrave të ushtarëve italian, të cilët gjatë Luftës së Dytë Botërore u vranë dhe u varrosën në tokë të huaj, ku ata vranë, përdhunuan, torturuan e bënë krime! Këto krime më së miri mund të shihen nga plaka Nicë, e traumatizuar, e thyer moralisht dhe shpirtërisht nga humbja e të shoqit, që ia kishte vrarë një kolonel dhe më pas i përdhunon vajzën 14 vjeçe, e cila pas këtij akti të ndyrë, nuk mund ta përballojë dhe vret veten. Plaka Nicë vret kolonelin në shenjë hakmarrjeje! Ky mision për zhvarrimin e eshtrave të ushtarëve italian, në popullatën shqiptare kthen dhe njëherë tmerrin e luftës në sytë e tyre, dhembjen për të afërmit e tyre, që u vranë nga fashistët italian. Takimi i plakës Nicë ballë për ballë me gjeneralin italian në dasmën e fshatarit që po martonte vajzën, hedhja e eshtrave të Kolonelit “Z” nga ana e saj para këmbëve të Gjeneralit, edhe njëherë në sytë e fshatarëve shihet një urrejtje, një mallkim, një dhimbje e pa përshkruar! Ajo, eshtrat e vrasësit të më të dashurve të saj, me vite të tëra kishte ruajtur nën pragun e derës, ku i kishte varrosur! Unë kam luajtur në realitet dy personazhe, në të njëjtën kohë: atë të Fshatarit dhe të Mullinxhiut! Këto dy personazhe, së bashku me regjisorin e shfaqjes arritëm t’i shkrijmë në një personazh, sepse nuk dallonin shumë njëri nga tjetri si karaktere. Përmes karakterit të fshatarit që mban në vete dhe njëkohësisht nga ai buronte bujaria shqiptare, mikpritja, ndershmëria, mirësia, humaniteti, burrëria shqiptare dhe mbi të gjitha Besa. Kur mori vesh fshatari se eshtrat e ushtarëve fashist po mblidhen nga një ekspeditë italiane, ai me një dhimbje të madhe nxori eshtrat e ushtarit nga varri, sepse ai pat filluar ta ndjente si djalin e tij. Ai, fshatari kishte vetëm një vajzë. Rrugës për t’i dorëzuar eshtrat, iu kujtua skena e asaj dite kur e kapi atë dhe ai nga frika që të mos e vrite, filloi t’i lutet, t’i shpjegohet sesi ai nuk është si ata, se është kundër luftës! Si shteti fashist italian ka bërë mobilizimin e tyre dhe i kanë dërguar në luftë kundër vullnetin të tij! Këtu, autori, përmes këtij personazhi, fshatarit, tregon bujarin, fisnikërinë, besnikërinë shqiptare, sikur armiku të hy në shtëpi, duhet ta mbrosh, ta presësh mirë dhe të kujdesesh, të mos i ndodhë gjë etj..! Më në fund do të kisha cituar kritikun, Muharrem Bazdulj, i cili ndër të tjera, thotë:“Rrallë shkrimtar ka si Ismail Kadare, që ka arrit të shkruajë për luftën në mënyrë aq sugjestive, i cili veprim ndodh, shumë vjet pas mbarimit të luftës, por jeton nën lëkurën e të mbijetuarve dhe në eshtrat e të vdekurve!
KOHA: Pse pikërisht “Kaligullen” e Albert Kamysë përzgjodhët për ta realizuar kur me vitet që keni nuk korrespondon me ato të personazhit?
QERIMI: Njësoj është sikur të pyetni Albert Kamynë: përse atij i erdhi ideja për shfaqjen për ta plotësuar dhe të shfaqet në kohën e ngritjes të liderëve fashist në skenën politike! Ashtu edhe unë bëra përzgjedhjen që të realizoj këtë personazh, edhe pse kishim dallime në vite. Ai kishte 28 nëse nuk gaboj, kurse unë isha 52 vjeçar. Me regjisorin që është me prejardhje bullgare, para se të realizonim Kaligulën, kishim bashkëpunuar në një projekt që realizohej nga Qendra teatrore për fëmijë në Shkup, ku isha i angazhuar një prej roleve bartëse. Gjatë bisedave që kishim rreth politikës aktuale të kohës në Maqedoni erdhëm në ide se moment dhe kohë më e përshtatshme është për t’u inskenuar drama “Kaligulla”, të autorit dhe njëherit nobelistit italian, Albert Kamy. U pajtuam se në Maqedoni, në skenën politike si në bllokun maqedonas, po ashtu edhe atij shqiptar, erdhën në shprehje lider politik apo më mirë thënë, prototip të personazhit më të njohur në dramaturgjinë botërore, Kaligula! Kaligula është një prototip i një sunduesi autoritar, që historia ndonjëherë ka njohur! Ai është një tiranin që nuk njeh ligje, përveç atyre që ai vet i krijon. Likuidon kundërshtar të tij pa kurrfarë motive, ç’nderon gratë e shokëve, monton vrasje, dashuron motrën e vet, me një fjalë kalon në një tip të sëmurë psikike. Kjo ide për të detektuar kaligulat në jetën politike në Maqedoni u vërtetua edhe nga skandali i përgjimeve që hodhi në sheshe, si jetën politike korruptive, amoralitetin, kriminalitetin, shpërdorimin e mjeteve shtetërore, kanosjet për jetë të kundërshtarëve politike, burgosjet spektakulare, procese të montuara e shumë e shumë ndodhi të tjera, të inskenuara nga politikan “Diktator”, që instaluan politika fashizoide nën petkun e Demokracisë, me maskën e skizofrenit Kaligula! Kështu, fillova të ndërtojë një Kaligulë të ditës së sotme në Maqedoni, me një temperament mjaft eksploziv, me dinakëri të një dhelparaku dhe me shkathtësi të një ujku! Një karakter mjaft kompleksiv. Arrita që në mënyrë artistike t’i artikuloj të gjitha vetitë negative në një personazh të kohës së sotme, që kisha si model dhe inspirim!
KOHA: Jeni protagonist edhe në filmin “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar”. Na flisni pak për këtë film dhe për rolin tuaj?
QERIMI: Po, jam pjesë e filmit ”Pranvera e pa harruar në fshatin e harruar” të regjisorit Kushtrim Bekteshi. Luaj rolin e Dautit! Tregimi është i thjeshtë dhe sendet e thjeshta mundësojnë, jo rrallë herë, vlera të mëdha! Ngjarja ndodhet në një fshat në kokën e vetë autorit, si kujtim apo siç thotë vetë ai, “një ëndërr e tij”! Zhanri i këtij filmi është komedi. Bëhet fjalë për një fshat i lënë në harresë të kohës dhe të pushtetit! Fshat i banuar nga njerëz të urtë, punëtorë, që shikojnë hallin e tyre, jetojnë në një harmoni familjare, edhe pse në kushte të vështira. Kjo idile e fshatit zgjati deri në atë moment, kur në fshat erdhën disa persona dhe me vete sollën disa femra dhe grupe muzikantësh dhe hapën një lokal nate! Gati pothuajse i tërë fshati fillon ta vizitojnë lokalin e natës dhe dalëngadalë ata njerëz që ishin të mirë, të urtë, punëtorë, që kishin krijuar harmoni familjare pranë skamjes që kishin, filluan ta vizitojnë lokalin e natës, ku çdo natë jehonte kënga dhe atmosfera që krijonin disa valltarë të ardhur nga vende të ndryshme! Fshatarët, edhe atë pasuri të paktë që e kishin, filluan ta shpenzojnë duke u argëtuar me femrat e lokalit të natës. Një nga këto personazhe ishte dhe Dauti. Ai është një gasterbajter që ka punuar në gjermani dhe me një kapital të konsiderueshëm. Dauti bëhet mysafir i rregullt në këtë lokal nate, duke shpenzuar me të madhe në këngëtaren dhe valltaret, dhe harron që e ka diku familje, sikur gjithë të tjerët! Gruaja e tij dhe gjithë gratë tjera të fshatit rebelohen dhe një natë sulmojnë kafenenë dhe i përzënë nga fshati këngëtaren dhe valltaret, dhe ia vënë flakën lokalit. Kështu, gratë shpëtojnë familjet e tyre, duke i kthyer burrat nëpër shtëpi.
KOHA: Filmi “Toka” trajton një temë rreth mentalitetit të familjeve shqiptare, me theks të veçantë pasuritë familjare, gjegjësisht patundshmëritë e tyre. Çfarë mësuat nga ky film e çfarë nga roli juaj?
QERIMI: Pa tokë je askushi! Je endacak, pa vlerë, pa integritet. Toka është gjithçka! Po nuk pate një copë tokë, s’ke ku të qëndrosh, s’ke ku të qeshësh, të vajtosh! Po s’pate tokë, s’ke se si te ngresh folenë ! Po s’pate tokë, s’ke varrin tënd! Filmi “Toka” është një triler që për temë trajton trashëgimin. Mesazhi i filmit është ky: Tokën ruani sikur edhe jetën t’ia falni asaj. Rolin që luaj është një biznesmen i pa shpirt, pa kurrfarë emocioni, i cili shfrytëzon situatat e vështira të njerëzve që sendet t’ua blej me një çmim pothuajse falas! Njeri i paskrupullt!
KOHA: Ju keni zgjedhur si profesion të jetës aktrimin. Si ju lindi dëshira të bëheni aktor. Na tregoni për hapat e para të aktrimit?
QERIMI: Qysh në fëmijërinë time më të hershme jam marrë me aktivitete kulturore. Kam qenë anëtar në SHKA “Bajram Shabani”. Aty kam qenë pjesë e korit dhe i grupit të valltarëve. Në kuadër të SHKA-së, ekzistonte edhe grupi dramatik, ku me admirim e shikoja punën e tyre. Kështu që fillova ta pëlqej dramën, edhe pse për kohën akoma nuk dija asgjë për teatrin, për aktrimin. Në qytet kishim teatër profesional në gjuhën maqedonase. Shpesh herë shkolla ku isha nxënës gjatë vitit kishte në programin shkollor vizitën teatrit të qyteti! Mirëpo, si tinejxher fillova të vizitoj kinematë që ndodheshin në qytetin tim, në Kumanovë. Në kinema jepeshin filma të zhanrit të ndryshëm: aksion, aventurier, triler, që për kohën nuk bënim ndonjë dallim! Mirëpo, me të dalë në ekran, në pëlhurën e bardhë të kinemasë, aktorët shqiptar, siç ishin Abdurrahman Shala, Bekim Fehmiu, Faruk Begolli e të tjerë, në mua shpërtheu dëshira për t’u bërë aktor, sepse doja të bëhesha si ata! Dhe ja sot, ndoshta nuk kam arrit famën e tyre, por jam krenar dhe falënderues që ishin shkaktarë për të arrit këtu ku jam!
KOHA: Në vitet e më hershme ishin rrjedhat e përgjithshme politike dhe të sigurisë jo të volitshme, burgosja e të rinjve, gjendja sociale e rënduar e shumicës së popullit shqiptar. Cila ishte rinia juaj?
QERIMI: Në të gjitha viset që ishin të banuara me shqiptar në ish Jugosllavinë, kemi pas përndjekje politike, e sidomos ndiqeshin intelektualët shqiptarë, profesorët, mësuesit, studentët e të tjerë. Edhe unë nuk kam qenë i kursyer nga ajo valë!
KOHA: Kultura dhe arti në Maqedoni sikur janë zbehur. A mund të jetohet nga ky profesion, pra nga arti, në këtë kohë? Çfarë mendoni Ju?
QERIMI: Po, është zbehur kultura dhe arti në Maqedoni! Por, në momente, aksidentalisht i kthehet ngjyra! Ndoshta dhe kjo mjafton për momentin …A mund te jetohet!? Po, mund të mbijetohet.
KOHA: A mendoni se publikut tonë i mungon kinematografia, gjegjësisht filmi apo serialet televizive nga artistë tanë shqiptar? Pra, ku qëndrojmë në këtë aspekt?
QERIMI: Po, i mungon edhe atë shumë! Fjalën e kam për shqiptarët e Maqedonisë! Këtu, mund të bëjë më shumë dhe duhet të angazhohet politika shqiptare që është pjesë e qeverisë dhe në politikat e tyre programore duhet të jenë prioritare projektet kulturore, si në sferën e filmit, serialet televizive, dokumentar etj. Duhet të ndajnë më shumë mjete!
KOHA: Ju vini nga Kumanova. Nga rajoni i këtij qyteti, çuditërisht, kemi shumë aktorë, mbase të suksesshëm. Ku qëndron ky çelës i suksesit të aktorëve nga ky rajon?
QERIMI: Është e vërtetë se Kumanova ka më shumë aktor, por edhe atë më të suksesshëm! Ndoshta uji i Likovës është eliksiri që falë dhuntinë për të qenë i talentuar! Hahaha! Kumanova ka gjeneratat e para që mbaruan Fakultetin e Artit Dramatik në Shkup dhe jemi profesorët e parë që hodhën kuadrot e para të aktorëve profesional që sot veprojnë në teatrot shqiptare në Maqedoni.
KOHA: Kjo është thënia e juaj “unë jam hiçi”,sepse ne shqiptarët, gjithmonë fillojmë nga “hiçi”. Ç‘nënkupton kjo thënie?
QERIMI: Ne shqiptarët kemi krijuar një bindje se, çdo kush që vjen në ndonjë post, fillon nga ai! Ne nuk vlerësojmë personin që deri dje ka dhënë ndonjë kontribut para se ai të vjen në atë post. Vlerëso punën e tij sikur edhe të jetë e gabuar! Thuaj, unë po filloj nga përmirësimi i gabimeve të paraardhësit, ose po vazhdoj të rris cilësinë e paraardhësit. Atëherë individi, nuk ndjehet si ,“HICI”!
KOHA: Jeni ulur të mendoni se cilat janë çudirat shqiptare, gjegjësisht të aktorëve shqiptarë?
QERIMI: Çudirat e aktorëve shqiptarë! Kur i marrin “PAGAT”, shqiptarët, dy ditë këndojnë, njëzetë e tetë ditë vajtojnë! Diskriminim i madh është i bërë nga ana e Qeverisë! Teatrot maqedonas që kanë statusin e njëjtë “nacional” me teatrin shqiptar, kanë pagat më të larta, pothuajse 40 për qind! Ne si aktorë kemi ngritë zërin, kemi bërë peticion, por kemi hasë në vesh të shurdhët si nga Ministria për Kulturë po edhe nga politika shqiptare! Në një takim me aktorët e teatrit shqiptar gjatë zgjedhjeve lokale, kryetari aktual i Komunës së Çairit, njëkohësisht edhe nënkryetar i partisë më të madhe shqiptare që është në bashkë qeverisje, ia bëmë me dije për diskriminim që na bëhet nga Ministria për Kulturë, por si duket fjalët tona nuk shkuan atje ku e kanë vendin!
KOHA: Familja, shoqëria, teatri, a janë një trekëndësh i përbashkët për ju?
QERIMI: Sa i përket familjes dhe teatrit, kemi një harmoni të përkryer. Mirëkuptimi dhe ndihmesa që më vije nga familja për punën që bëj, është pa kurrfarë rezerve.
KOHA: Çfarë mund të presim nga Ju në planin artistik?
QERIMI: Edhe unë jam në pritje…! Duke pritur …!
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.