Delvina KËRLUKU
Agim Poshka u lind në Strugë më 1977. Shkollën fillore dhe të mesme i ndoqi në vendlindje. Në vitin 1995 regjistrohet në Fakultetin e gjuhëve të huaja në Universitetin e Tiranës. Studimet i vazhdon edhe në Angli, në “Frances King College”, në Londër. Po ashtu paralelisht studion për solo këndim në “Kensington & Chelsea Colege” në klasën e profesoreshës Amanda Reimon. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndjek studimet postdiplomike, në Universitetin e Indianes. Ka qenë koordinator artistik dhe zëvendës producent në: “Festivalin e parë kombëtar të fëmijëve interpretues të këngës popullore ÇELSI I ARTË” – Tiranë, në nëntor të vitit 1999. Redaktor muzike në konkursin e bukurisë “MISS MILLENIUM – TIRANA 2000” Prezantues në edicionin e dytë të festivalit “Çelsi i Artë” në nëntor, 2000. Gjate periudhës së luftës në Kosovë punon në “PHYSICIANS FOR HUMAN RIGHTS” – organizatë Amerikane. Ka marrë pjesë në festivalin e RTVSH –së të njohur si “Këngët e Stinës”; “Nota Fest”; Dea Fest”; “Kënga Magjike”, ne Festivalin Show Fest, në Prishtinë, etj. Në vjeshtën e vitit 2001 fillon punë në stafin e parë Akademik në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë si Lektor i gjuhës angleze. Është edhe moderator i një emisioni kulturor në RTV21
KOHA: I nderuar, z. Poshka, ju kemi parë si këngëtar në Radio Televizionin Shqiptar, si profesor në Universitetin e Evropës Jug Lindore dhe së fundi si moderator në Radio Televizionin 21 në Maqedoni. Çdo të thotë për ju ky rrugëtim?
POSHKA: Ky rrugëtim është një reflektimi im në periudha të ndryshme të jetës. Si muzikant dhe pasionant i këngës. Festivali i RTVSH ishte një dritare e rrallë ku mundeshin artistë të rinj të promovohen. Bashkëpunimi me Televizioni Shqiptar në Shqipëri, pastaj u thellua duke më përzgjedhur edhe si moderator në festivalin “Çelsi i Artë” dhe më vonë te “Mis Millenium Tirana”. Këtu filloi edhe dashuria e parë për moderim të formateve televizive. Pjesa e universitetit zgjati shumë më gjatë. Në Akademi nuk mjafton vetëm dëshira dhe talenti, por edhe një mbarëvajtje disa vite për të studiuar dhe hulumtuar, me qëllim të formimit akademik që nevojitet. Kjo rrugë, edhe pse nuk është vënë shumë në pah, zgjati disa vite. Faza e parë është studimet deridiplomike në Universitetin e Tiranës dhe në Frances King në Londër, pastaj dy vite master në Amerikë dhe doktoraturën në klasën e prof. Ferid Muhiç. Të gjitha këto rrugëtime më krijuan mundësi që të jem në vitin 2001 një ndër 5 mësimdhënësit e pare qe filluan Programin e gjuhëve ne UEJL dhe pas 15 viteve jam mjaft krenar me arritjet e këtij institucioni. Historia e TV21 është një zhvillim i ri që e nisa me shumë dashuri, sepse mendova që kam diçka ndryshe për të thënë. Në opinion këngëtarët priten vetëm të këndojnë dhe zbavitin, dhe mendoj që kjo tabu duhet të thyhet dhe të kemi më guxim përpara ekranit. Sfida është edhe më serioze, sepse unë jam edhe autor i emisionit dhe kërkon një menaxhim të mirë kohor dhe mendor.
KOHA: Jeni gjendur në Tiranë pikërisht në vitet e tranzicionit, vite këto që Shqipëria kapërceu nga sistemi komunist enverian në sistemin demokratik berishian. Ishin trazirat që ju detyruan të ikni nga kryeqyteti shqiptar?
POSHKA: Jo, unë Tiranën e dua për atë jetë artistike që ofron, por jo si një strofull ku do ngrija familjen. Pa dashur të paragjykoj qytetet të tjera, unë kam fatin dhe mundësinë të jetoj në një parajsë të vogël të Maqedonisë, siç është Struga.
KOHA: Ç’kuptim ka për ju Struga?
POSHKA: Si për çdo njeri që e adhuron vendlindjen, Struga për mua është vendlindja që nuk nderohet e as nuk harrohet, edhe sikur të jetë më e varfra në planet. Struga ka një melodi në vete, ka edhe bukuri, por ka edhe shume melankoli. Të gjitha këto e bëjnë ideale (për botëkuptimin tim) si një vend ku mund të ngresh dhe zhvillosh familjen.
KOHA: Fëmijëria është një kapitull i veçantë i jetës sonë. Si ishte fëmijëria Juaj?
POSHKA: Fëmijëria është e bukur, sepse nuk je i vetëdijshëm që ekzistojnë realitetet tjera. Unë jam rritur 6 metra larg lumit, 60 metra larg liqenit dhe 6 minuta larg shkollës sime. Një fëmijëri ku bukuria natyrore që të rrethonte ishte dominante, dhe tregtarët akoma nuk kishin filluar t’i komercializojnë asetet e qytetit tim. Ç’do lëvizje përfshinte lumin dhe liqenin. Si fëmijë kam qenë edhe notues dhe kam qenë edhe anëtar i kombëtares së Maqedonisë për moshat e reja dhe kontakti me ujin është një sinonim i gjithë fëmijërisë sime. Më vonë sa rritesha fillova të frekuentoj vende akoma dhe më shumë të betonuara si Tirana, pastaj studimet në Londër dhe më vonë në Indiana, SHBA, që në vete akoma më shumë ma shtonin mallin për vendin tim të fëmijërisë dhe lumturisë. Fëmijëria ime nuk ishte gjithmonë kaq roze sidoqoftë, sepse prindërit e mi në vitet e 80-ta u diferencuan nga sistemi dhe kjo e shkundi dukshëm ekonominë familjare dhe unë me këtë rast fillova të luaj rol solidarizimi, duke shitur fruta në treg me qëllim të ndihmoj familjen sadopak. Megjithatë kjo fazë nuk zgjati shumë, ndonëse si fëmijë te duket interesante, por pas një rimëkëmbje mua m’u krijuan përsëri mundësi te studioj ne Tirane e pastaj edhe disa here jashtë shtetit. Sidoqoftë, te gjithë fëmijët meritojnë një fëmijëri te lumtur dhe unë e kam pasur një të tille.
KOHA: Rridhni nga një familje që i përkushtohet artit, në përgjithësi. Tetri Poshka është një shtëpi e artistëve. Ju e keni mëkëmbur. Sa i përkushtoheni kësaj shtëpie të kulturës strugane?
POSHKA: Teatri Poshka është një iniciativë që mori identitetin e vet pas shumë viteve të aktiviteteve të suksesshme të lokalit dhe hotelit tonë Art Caffe. Qëllimi ishte që këto të ardhura të investohen në një objekt kulture që i mungonte qytetit, sepse pallati i kulturës akoma është monopol i pushtetit maqedonas. Premisat ishin shumë të miram sepse brenda në familje kishim dy regjisor si Xheladin Poshka dhe Olsa Poshka dhe pjesa tjetër dihet më tani. U bënë 10 vite që nuk kanë ndërprerë rrugëtimin artistik, edhe pse rrethanat për të zhvilluar kulturë të mirëfilltë kanë qenë gjithmonë sfiduese.
KOHA: Keni filluar të këndoni që pas studimeve në “Knsington and Chelsea College” në Londër. Kur është zbuluar talenti juaj si këngëtar. Çfarë mendoni Ju, sa është i rëndësishëm fillimi i mbarë?
POSHKA: Unë kam luajtur në mandolinë që në moshën 10 vjeçare, pastaj kam studiuar kitarë te profesori legjendar i shumë kitaristëve, në Strugë, profesor Ymyt Zendeli, i cili më nxiste që të këndoj po ashtu, sepse thoshte që kitara e kërkon një zë shoqërues. Pastaj gjatë studimeve në Tiranë po ashtu ndiqja mësime në kitarë edhe nga profesori i njohur universitar Edison Miso. Kështu që gjatë kohës kur fillova të ndjek kurse në Londër unë më isha i formuar dhe i qartë se çfarë dua të arrij dhe trajnimet e atjeshme vetëm më forcuan atë nevojën që duhet të kem elemente më shqiptare në krijimtarinë time. Kësaj ideje i kam ndenjur besnik edhe tani.
KOHA: Keni kënduar shumë këngë, jeni ngjitur në skenat nga më të ndryshmet. Cilën kishit veçuar si suksesin tuaj më të madh në skenën muzikore shqiptare?
POSHKA: Mbase vendin e parë në Festivalin “Nota Fest” të vitit 2000, në Shkup dhe çmimin e parë në Këngët e Stinës në vitin 2001. Ato ishin dy raste ku tendenca ime për të përdoruar elemente etnike në muzikën moderne u mirëprit direkt. Para dhe pas këtij eventi kishte mjaft çmime, por identiteti im muzikor u definua në këto dy raste.
KOHA: Jeni i mirëpritur nga publiku shqiptar, falë sukseseve të arritura, duke kënduar brenda dhe jashtë vendit. Ku qëndron sekreti juaj i suksesit, te muzika, zëri juaj apo teksti i këngës?
POSHKA: Nuk e di nëse ka ndonjë sekret të veçantë. Besoj koordinimi i mirë i të gjitha komponentëve, por edhe guximi të bësh gjërat ndryshe kur të gjithë presin atë të zakonshmen. Të jesh ndryshe jo gjithmonë pritet mirë, por është detyra e çdo krijuesi të guxoj.
KOHA: Gjatë gjithë kësaj kohe keni bashkëpunuar me shumë persona. Cilat janë bashkëpunimet që ju kanë dhënë kënaqësinë dhe suksesin?
POSHKA: Kam punuar me Edmond Zhulalin, Alfred Kaçinarin, Damir Imerin, Jorgo Papingjin, Agim Doçin, Olsa Poshken, Blerim Grubin dhe se fundmi edhe me mikun tim, Samir Durgutin. Të gjithë kanë vlerat e tyre për vetë faktin që janë me dekada aktual në skenë.
KOHA: Gjatë gjithë këtyre viteve eksperiencë në skenën muzikore, çfarë mendoni se i mungon artit muzikor shqiptar në Maqedoni?
POSHKA: Po ju them më mirë se çfarë ka më shumë. Ka më shumë huazime nga ballkanasit e tjerë, riorkestrime, por jo edhe krijime. Ajo që i mungon skenës sot është identiteti shqiptar dhe pak intelekt.
KOHA: Vetëm me përkrahje mund të ecim para, pastaj është vetë publiku dhe jeta ajo që do i filtrojë gjërat dhe çdonjëri nga artistët do e gjejë vendin meritor. Ç‘mendoni ju?
POSHKA: Nuk besoj që jeta midis të tjerave do të bëj edhe këtë mrekulli. Shoqëritë e zhvilluara kanë filtra, por edhe sisteme vlerash. Muzika thonë që është çështje shijesh, por me një kusht që shijet të kultivohen, por ky proces nuk po ndodh te neve dhe brezi i ri ka shije konfuze sepse shpesh është i bombarduar me muzikë të dyshimtë. Kritikët e artit, redaktorët muzikor dhe gazetaria duhet të ndërhyje që të kultivoj këto shije.
KOHA: Cili është mendimi juaj për këngëtarët e rinj shqiptarë?
POSHKA: Ka tendenca pozitive te krijuesit. Them te krijuesit dhe jo artistët, sepse titulli artist është i shenjtë. Kjo është një rrugë e gjatë dhe e vështirë që edhe unë vet nuk e kam plotësuar. Te jesh i njohur dhe person publik nuk të bën automatikisht artist.
KOHA: Mendoni se femrat janë më pak dominante në fushën e artit. Si e shihni femrën ju në këtë profesion?
POSHKA: Mbase janë në muzikë dhe kjo nuk është ndonjë hendikep. Besoj që fokusi duhet të jetë te cilësia dhe jo gjinia.
KOHA: Emri me të cilin fëmija thërret me përkëdhelje është babai. Çdo të thotë për ju ky epitet?
POSHKA: Titulli më i lartë që unë kam marrë në jetë dhe që e shijoj çdo ditë. U bënë 2 vite e gjysmë që nuk më është larguar lumturia nga shpirti.
KOHA: Cila është gruaja që ta ka fituar zemrën?
POSHKA: Një vajzë me të cilën njiheshim që në fëmijëri, por guxoi të më njohë edhe në moshë të re dhe uroj edhe në pleqëri (qeshet). Është po ashtu pedagoge e gjuhës angleze dhe një nënë e shkëlqyer.
KOHA: Akademia ka të bëjë me jetën e me veprimtarinë e shkollave të larta mësimor. Çdo të thotë për ju të jeni në stafin e parë Akademik në Universitetin e Evropës Juglindore?
POSHKA: Një nder dhe privilegj që mund t’i shërbejë studentit, i cili është sovrani i institucionit tonë.
KOHA: Është një fakt që shqiptarët mund të jenë ndër popujt arsimdashës. Ata janë gati të bëjnë të pamundurën që të arsimohen sa më mirë. Ju jeni qasur studimeve në SHBA, për një studim më me përkushtim dhe për rezultate më të suksesshme?
POSHKA: Po, por edhe të marr eksperiencën amerikane në fushën e arsimit që është elitare në botë. Departamenti ku kam studiuar, ato vite ishte ranguar në 15 programet më të mira arsimore në SHBA dhe besoj që një pjesë të kësaj eksperience e kam transmetuar edhe te studentet e mi.
KOHA: Kemi mësuar se përpos impenjimeve si këngëtar në skena të muzikës, kohët e fundit jeni edhe prezantues i emisionit “Në mbrëmje te Agim Poshka”, çfarë jepni e çfarë merrni në këtë emision të RTV21?
POSHKA: Jam si autor i një ide programi ku mund të stimuloj në panel një diskutim intelektual, i cili i ka munguar mediave tona pasi aktualisht është e mbingarkuar me politikë. Marr një mbështetje të plotë nga TV21, si në aspektin teknik dhe hapësinor por edhe në lirinë dhe pa ndërhyrje në autorësinë dhe krijimin e programit.
KOHA: Me siguri keni plane në të ardhmen, çfarë edhe presin adhuruesit tuaj të shumtë. A mund të ndani së paku atë që kini paraparë si prioritet në punën tuaj të ardhshme?
POSHKA: E para për këtë verë është t’i rikthehem muzikës. Kam dy materiale të reja që do qarkullojnë në turneun e koncerteve të organizuar nga kompozitori Adi Hila dhe TvKlan të quajtur “Maratona e këngës” dhe do ecim në të gjitha qytetet e Shqipërisë, e uroj të ketë menaxhime edhe në Maqedoni dhe Kosovë. Në shtator do përgatitemi për sezonin e ri në TV21 me një studio të re dhe debate të reja.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.