Nga Qerim LITA
Në fillim të viteve pesëdhjeta të shekullit të kaluar, Qeveria komuniste e Federatës jugosllave, hartoi një sërë plane sekrete të cilat për qëllim patën dëbimin e dhunshëm të shqiptarëve për në Turqi. Për zbatimin sa më parë të këtyre planeve, në qershor të vitit 1951, një ekip i Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, zhvilloi një vizitë zyrtare në Maqedoni, ku mbajti disa takime me komitetet e vendit të PKM-së, sidomos në pjesën Veriperëndimore të saj. Ekipi në fjalë, në raportin që ia dërgoi KQ të PKJ-së, do të konstatoj se: “në Maqedoninë Veriperëndimore, sidomos në qytetet: Tetovë, Gostivar dhe Strugë, numri më i madh i popullsisë myslimane janë turq dhe se në ato vise duhet të hapen shkolla turke”.
Nuk vonoi shumë, Byroja Politike e KQ të PKM-së, formoi një Komision në krye me Kërste Cërvenkovski, ndërsa në të merrnin pjesë edhe: Mito Temenugov, Reiz Shaqiri, Boge Kuzmanovski, Tome Buklevski – Maçuli, Gjore Gjorevski dhe Allojz Pipan. Nga data 17.01.1952 – 03.02.1952, Komisioni vizitoi rrethet e Tetovës, Gostivarit, Dibrës, Strugës, Kërçovës, Kumanovës, Gjorçe Petrovit dhe Resnjës. Në kuadër të atyre vizitave, ata organizuan takime të shumta me komitetet e rretheve, organizatat bazë, organizatat masive, me mësuesit shqiptarë, me shoqëritë kulturo-artistike etj. Në bazë të informacioneve që mori, Komisioni hartoi një analizë (elaborat), që do të shqyrtohet në Byronë Politike të KQ PKM-së, në mbledhjen e zgjeruar, mbajtur më 29 shkurt 1952. Në të, veç tjerash shqiptarët paraqiteshin si ardhacak, të cilët në këto vise ishin vendosur duke e përdorur “dhunën dhe terrorin ndaj elementeve autoktone sllave (maqedonase)”, se ata ishin: “fundamentalistë islamikë, shqiptaro-mëdhenj, fashistë, terroristë, shovinistë, banditë, reaksionarë” dhe njollosje të tjera, të cilat sipas analizës: “pushteti popullor maqedonas duhet të ndërmerr masa kundër tyre”.
Ngjashëm si në raportin e Komisionit të KQ LKJ-së, edhe këtu vihej në dukje se “pjesa dërmuese e popullatës myslimane në Maqedoninë Perëndimore është turke…”. Hapja e shkollave turke në dëm të shkollave shqipe, shkaktoi reagime dhe kundërshtime të ashpra nga ana e mësuesve shqiptarë. Komisioni për Arsim dhe Kulturë pranë Byrosë Politike, njoftonte KQ të LKM-së, për kundërshtimet e mësuesve shqiptarë që të jepnin mësim në shkollat turke.
Duke u mbështetur në burimet arkivore, e tërë veprimtaria e mësuesve shqiptarë në atë kohë do të përqendrohet në vetëdijesimin e popullsisë, ku në mënyrë të qartë do t’ju thuhet se ato janë shqiptarë, se kjo tokë është shqiptare dhe se nuk duhet të shpërngulen në Turqi. Në fakt, kjo veprimtari, ishte vazhdimësia e politikës së “NDSH”, e krijuar që nga viti 1945, në krye të së cilës tash do të jenë kryesisht mësuesit si: Mehmetriza Murtezan Gega, Abdulla Kalishta, Murtezan Bajraktari, Adnan Agai, Eshtref Hoxha, Luan Sadiku-Starova, Xhelal Lushi, Nehat Ballçishta, Karaman Allajbegu, Hadi Imami, Memedali Hoxha, Muharem Jusufi, Abdylazim Taravari, Abdyrahim Taravari, Sherafedin Agai, Naxhi Purde, Burhan Pasholli e shumë e shumë të tjerë.
Për besueshmëri ndaj organizatës si edhe për veprimtarinë në të, anëtarët paraprakisht betoheshin, përmbajtja e së cilës ishte si vijon: “Unë si shqiptar gjithmonë do të jem i gatshëm të luftoj për bashkimin e gjithë shqiptarëve në një Shqipëri të vërtetë, posaçërisht për ata Shqiptarë të cilët janë nën robërinë e sllavëve. Gjithmonë do ta kem parasysh luftën kundër secilit tradhtar të kombit shqiptar dhe do t’i ruaj interesat e kombit shqiptar”.
Duhet të vëmë në dukje se për shkaqe sigurie, mësuesit shqiptar vendosën që veprimtaria e tyre ilegale të shtrihet në grupe më të vogla, përkatësisht organizata ilegale të mbaj disa emra. Kështu deri në vitin 1952, në Tetovë vepronte organizata ilegale “Lria”, në krye të së cilës ishte Sadudin Gjura. Me burgosjen e Gjurës dhe dhjetë bashkëveprimtarët më të ngushtë të tij, veprimtaria e mësuesve shqiptar nuk u shua, përkundrazi ajo vazhdoi, me një dallim që tashti organizata e tyre mori emrin “Shpresa”, me të cilën udhëhiqte atdhetari i mirënjohur shqiptar Mehmetriza Murtezan-Gega, ndërsa krahas tij për nga aktiviteti do të dallohen edhe Abdulla Kalishta, Ismail Seiti, Gani Luma, Selim Shehapi, Rexhep Beadini, Hysen Xhaferi, Ismail Xhaferi, Idriz Ibraimi-Cërcëri etj. Në Gostivar vepronte organizata ilegale “Shkëndija”, në krye me Murtezan Bajraktarin, Adnan Again, Xhemal Pozharanin, Hadi Imamin, Nehat Ballçishta, Xhelal Lushi, Karaman Allajbegu, Luan Sadiku-Starova etj. Krahas Tetovës dhe Gostivarit, aktivitete ilegale pati edhe në rrethin e Shkupit, ku duhet veçuar veprimtarinë atdhetare të vëllezërve Memedali dhe Eshtref Hoxha, pastaj të Isak Çavollit, Sejdi Rauf Bajramit, Mateja Sereçit, Engjëll Gjinit, Sadik Vraniçit, Mehdi Bajraktarit, Mysherefe Prekës, Rifat Palloshit etj.
Për të parë më së afërmi rolin e inteligjencës së atëhershme shqiptare në pengimin e turqizimit, përkatësisht shpërnguljes së shqiptarëve nga këto treva për në Republikën e Turqisë, në vazhdim po e botojmë një dokument, i cili hedhë dritë mbi veprimtarinë atdhetare të doajenit të arsimit shqiptar të këtyre trevave, prof. Adnan Agait, gjatë periudhës kohore 1951-1955. Dokumenti është hartuar më 3 qershor 1956 nga shërbimi sekret maqedonase, UDB-ë. Titulli origjinal i tij është: “Vështrim mbi aktivitetin armiqësor të Adnan Agait në periudhën 1951-1955”. I njëjti botohet i plotë dhe për herë të parë.
NË KRAH ME PUSHTUESIN
“Tetovë, 3 qershor 1956
Adnan Selim Agai, i lindur në vitin 1930 në Gostivar, me profesion profesor, ka të kryer ShLP-ë, i martuar, shqiptar, shtetas i RFPJ-së, tash i punësuar në gjimnazin e Gostivarit, ndërsa jeton në rrugën “Nikolla Parapunov” numër 13. Pas çlirimit mbaroi 8 klasë gjimnaz e më pas ka vijuar kursin pedagogjik, e kur e mbaroi shkollimin për mësues, u regjistrua dhe e kreu ShLP-ë. Për aktivitetin e tij armiqësor, ne kuptuam në kohën kur hapeshin shkolla turke, kundër të cilave Adnani mbante qëndrim shumë të ashpër.
Sa i përket familjes së tij, gjatë kohës së okupacionit, ka qenë në krah me pushtuesin, vëllai i tij më i vjetër ka qenë aktiv në themelimin e komitetit të Ballit. Qëndrim të njëjtë kanë edhe sot.
Adnan Agai ishte ndër të parët, i cili e kundërshtoi hapjen e shkollave turke, duke u shprehur se në këto vise jetojnë vetëm shqiptarët, prandaj nuk ka nevojë të hapen shkolla turke. Shkollat turke pushteti i hap për turqizimin e shqiptarëve. Këto treva u takojnë Shqipërisë e ngjashëm. Veprimtarinë armiqësore të tillë e ka realizuar para bashkëmendimtarëve të tij dhe atë së bashku me ta e kanë zgjeruar te masat tjera.
Në vitin 1951 nga Bledi ku ka qëndruar për pushim vjetor, Adnani ka dërguar një letër anonime deri te Shukri Ahmeti, i cili asaj kohe ka qenë drejtor i shkollës turke në Gostivar, e për të cilën na lajmëroi vetë Shukriu, përkatësisht e solli letrën anonime deri te ne. Letra është shkruar me përmbajtjen me sa vijon: “Deri te i shkathti zotëri Shukri Ahmeti – mësues turk në Gostivar. Ju dëshiroj sukses në punën tuaj të shkëlqyeshme, mirëpo haram ua bëj diturinë shqiptare të cilën e keni mësuar – përfituar për aq vite. Nuk do të fusim më ndër tokë ,sepse nuk je më shqiptar”.
Më 27 maj 1952 në një bisedë të zhvilluar në shkollën e fshatit Vrapçisht – Gostivar, midis Adnanit dhe ….. ….., në lidhje me letrën dërguar deri te Shukriu, Adnani i ka thënë: “Po, i shkrova me dorë të majtë, sepse nuk do t’i shkonte ndërmend se unë ia kam shkruar, por unë edhe më tej e mallkoj përse pranoi të jetë mësues turk, sepse nëse do të ishte sipas dëshirës së popullit, përse atëherë nuk u hap shkollë shqipe në fshatin Duf, kur popullsia e atjeshme flet gjuhën shqipe”. (Tërë popullsia e këtij fshati ishte shqiptare, mirëpo udhëheqja komuniste maqedonase në atë fshat hapi shkollë maqedonase për shkak se mbi 80 për qind e asaj popullate i takonte besimit ortodoksë, apo thënë më mirë ishin shqiptar të besimit ortodoksë, që për ta konsideroheshin si “maqedonas”, edhe pse fare nuk i njihnin gjuhën maqedonase dhe si rrjedhojë e një politike të tillë, jo vetëm ortodoksët e këtij vendbanimi, por edhe ata të Rekës së Epërme tërësisht u asimiluan në maqedonas -Q. L.).
Në dëgjimin e tij nga nëntori i vitit 1952 i dënuari Shaban Llozana, nga Gjilani, ish kapiten i APJ-së për Adnanin është shprehur: “në një bisedë midis meje e Adnanin, të zhvilluar në Gostivar, pasi Adnani e kuptoi se është shqiptar, i ka thënë se ka mësuar në Prishtinë dhe se nga vëllai i tij, me të cilin ka mësuar së bashku, e ka kuptuar për të se është në Gostivar. Duke shëtitur kah stacioni hekurudhor, Adnani i ka folur se maqedonasit janë shovinista dhe ia ka treguar vendin ku janë ekzekutuar shqiptarët pas çlirimit, e përveç vrasjeve i ka thënë se, maqedonasit kanë kryer plaçkitje të madhe ndaj popullsisë shqiptare dhe si shembull e ka marrë familjen e tij, duke theksuar se iu është konfiskuar toka dhe shtëpia. Në fund, kur i përmenduri Shaban, i ka thënë se nuk duhet të flet në atë mënyrë, ai ka shtuar, se ashtu flet para tij, sepse është shqiptar, ndërsa në vende tjera është i kujdesshëm”.
SHQIPËRIA, SHTET ME GJASHTË MILIONË POPULL
Në një bisedë gjatë vitit 1953, Adnani një bashkëpunëtori tonë i është shprehur: “Shqipëria do të bëhet shtet me gjashtë milionë popull. Mund të të them se je nga njerëzit kombëtarë, sepse gjithnjë mendon për kombin tonë dhe atëherë mund të bëhesh një deputet, por para se t’u hakmerremi këtyre duhet të jesh shef i Kosturës”. (Mendohet për shef të policisë së rrethit të Gostivarit – Q. L.). Kur bashkëpunëtori i ka thënë, se ai është njeri nga fshati dhe me arsimim të pamjaftueshëm, Adnani ka vazhduar, se atyre nuk u nevojiten njerëz të arsimuar, siç ka qenë Murat Isaku nga Tetova, por të jenë njerëz edhe pse me arsimim më të ulët, vetëm të jenë besnik të kombit shqiptar dhe duke e ditur atë si shqiptar të mirë flet në mënyrë të hapur para atij ashtu siç ia do zemra. Në këtë bisedë prezent kanë qenë Talat Avçe e Riza Shehu.
Në kohën kur Adnani është larguar nga puna, në bisedë me …. ….. i ka folur: “kombi shqiptar shkon kah errësira dhe se në çdo pikëpamje ka ngelë prapa. Duke bërë krahasimin se si kanë qenë shkollat shqiptare prej para disa viteve, e si janë tashti ka thënë, se janë shumë më të dobëta për shkak se vetëm kuadri shqiptar burgoset dhe po zvogëlohet nga dita në ditë. Është ankuar se si zejtarëve u shqiptohet tatim i lartë dhe si shembull i ka marrë vëllezërit e tij, të cilët si zejtarë janë ngarkuar me tatim që nuk mund ta përballojnë dhe se shembuj të tillë ka edhe te bujqit. Në vazhdim të bisedës ka thënë, se ky shtet shqiptarët i çon në humnerë e nëse njeriu fillon të shkruaj për të gjitha këto padrejtësi në këto treva duhet të shkruaj ditë e natë. Ka përmendur se Naxhi Purde, ka filluar të shkruaj një libër me rëndësi historike me titull “Zëri i një epoke”. Për shkuarjen e një libri të tillë flet edhe Naxhiu në hetuesi për të cilën ka grumbulluar të dhëna, porse nuk ka filluar ta shkruaj.
Në vitin 1954 në Prishtinë është mbajtur festivali i rinisë dhe në atë festival kanë shkuar më shumë studentë, e midis tyre kanë qenë edhe Abdyrrahman Taravari e Adnan Agai. Me t’u kthyer nga Prishtina te Adnani e te të tjerët është paraqitur aktiviteti në agjitacionin kundër shpërnguljes në Turqi, e për të cilën Adnani i ka folur …: “U kritikuam nga shokët e Kosovës përse lejojmë që njerëzit të shpërngulen në Turqi, e cila u shkon për shtati sllavëve-maqedonas”. Pas kthimit nga Prishtina u është dhënë detyra që secili të punoj në vendin e tij për pengimin e shpërnguljes. Profesori Zekiria Rexha u ka thënë se gjatë kohës së Jugosllavisë së vjetër, po kjo shpërngulje ka qenë problem dhe se nëse nuk do të ishin studentët – shqiptarë në Beograd, e në mesin e të cilëve ka qenë edhe ai, tërë shqiptarët do të shpërnguleshin dhe prandaj edhe tash kjo është barrë e studentëve. Nga ajo që e thotë dhe e pranon Abdyrrahman Taravari se detyra të tilla i janë dhënë nga organizata për të cilën flet ai, ndërsa për Adnanin thotë, se ai nuk e dinë për ekzistimin e organizatës. Mirëpo, është me interes të vihet në dukje se nga i dinte këto detyra Adnani. Përveç kësaj, Abdyrrahmani në dëgjimin e tij për Adnanin thotë edhe këtë: “Me Adnanin njihem që nga fëmijëria, sepse me të jam edhe farefis – miq. Adnani ka disponim armiqësor ndaj pushtetit të tanishëm të Jugosllavisë, ku edhe sot ka qasje nacionaliste. Me të kam diskutuar që kur ishim nxënës në vitin e VI të gjimnazit. Ai u kthye në Gostivar dhe u pranua për mësues në fshatin Vrutok. Nuk e di arsyen për përjashtimin e tij nga gjimnazi i Prishtinës, mirëpo më vonë kuptova nga shokët e tij në grupin e të cilëve ishte edhe Adnani, se janë përjashtuar për shkak se kanë vepruar armiqësisht kundër Pushtetit Popullor në RFPJ-ë, por nuk kam njohuri më të detajuara se në çka dhe si e ka zbatuar veprimtarinë e vet. Si nacionalist i flaktë në vitin 1952, ka diskutuar në lidhje me hapjen e shkollave turke. Adnani e ka kritikuar Pushtetin Popullor, edhe atë në forma të ndryshme, pa e ditur se Adnani ka qenë i lidhur ngushtë me Murteza Bajraktarin. Ai para meje ka folur se pushteti me akte të tilla kryen tjetërsimin ndaj ne shqiptarëve, nuk kemi as çfarë të drejtash, e më vonë kuptova se edhe Adnani paska qenë anëtarë i organizatës së Myrteza Bajraktarit, i cili sot gjendet në burg. Në vitin 1953 Adnani u regjistrua në ShLP-ë ku qe shumë i impresionuar me frymën e tij nacionaliste. Nuk më kujtohet saktësisht data, një herë Adnani filloi të më fliste, se ka dëgjuar një ligjëratë nga Petro Janura – profesor në ShLP-ë, ku ai është shprehur: “Ilirët në Ballkan kanë qenë para se dielli t’i lëshojë rrezet e veta të para në tokë”. Më 28 nëntor 1953, duke e njohur atë si nacionalistë të mirë dhe armik i rregullimit të tanishëm në RFPJ-ë, e ftova ta kremtojmë ditën e Flamurit. Adnani ftesës sime iu përgjigj pozitivisht dhe ai ishte prezent kur e kremtuam Ditën e Flamurit në shtëpinë e Rifat Palloshit, në rrugën JNA, numrin nuk e di. Këtu Rifati mbajti fjalim, i cili ishte armiqësor e më pas u kënduan këngë nacionaliste. Adnani prezent ka qenë gjithashtu edhe në vitin 1954. Nuk e kam të njohur se a thua Adnani ka marrë pjesë në ndonjë organizatë apo jo, por përkujtoj se është nacionalist i përbetuar dhe flet armiqësisht në mënyrë të vazhdueshme.
GJITHMONË I PAKËNAQUR
Gjatë kësaj periudhe kohore kur zhvillohej agjitacioni për hapjen e shkollave turke, Adnani nga Rjeka i ka dërguar letër Shukri Ahmetit, në të cilën e ka kritikuar, se Shukriu është bërë tradhtarë i kombit të tij për shkak se ka qenë luftëtar për hapjen e shkollave turke.
Në lidhje me shpërnguljen, Adnani gjithashtu ka qëndrim negativ. Sa më kujtohet në vitin 1954 prindërit e tij ishin në Turqi. Pas kthimit të tyre, ata ishin të mendimit të shpërngulen, mirëpo kur Adnani këtë e kuptoi filloi t’u fliste se ata që shpërngulen në Turqi nuk janë njerëz, e mesiguri se edhe babait i ka thënë për qëllimin e tij, dhe në fund u ka dhënë ultimatum se nëse do të shpërngulen ai nuk do të shkoj me ta.
Në verën e vitit 1955, ngritëm iniciativë për hapjen e vitit të V në gjuhën shqipe në gjimnazin e Gostivarit me qëllim, që një pjesë të fëmijëve t’i edukonim me idetë tona me të cilat edhe ne ishim edukuar. Për këtë unë nuk mund të them diç më konkrete për Adnanin, por do të them se Adnani ishte vazhdimisht pas nesh dhe e mbështeste qëndrimin tonë që të hapet viti i V gjimnaz shqiptar. Në mënyrë indirekte isha i njoftuar nga Burhan Palloshi, se Adnani ka folur në llogarinë time, ku më kishte kritikuar në lidhje me fejesën time. Ai Burhanit i ka folur: Ne si nacionalistë asnjëherë, nuk duhet të lejojmë të martohemi me persona që nuk janë të kombit tonë. Ia ka bërë me dije Burhanit, që të mos rrëshqas edhe ai e të merr ndonjë grua e cila nuk është patriote e mirë e kombit të vet?”.
Naxhi Purde në dëgjimin e tij për Adnan Again e flet këtë: “Me Adnanin nuk kam pasur ndonjë bisedë intime, por nga më herët e njoh si nacionalistë e armik i RFPJ-së. Para tij unë në mënyrë të hapur kam folur armiqësisht kundër pushtetit të tanishëm edhe atë në prezencë të Abdyrrahman Taravarit. Kur flisja me Abdyrrahmanin aty shpesh herë ka qenë edhe Adnani. Kështu që në një debat që e pata zhvilluar me Abdyrrahmanin në lidhje me shkollat se është e padrejtë se hapen, tërë atë e vërtetonte Adnani dhe pajtohej me qëndrimin tonë, se pushteti kryen asimilimin ndaj nesh. Në lidhje me organizatën tonë mua nuk më është e njohur, se a thua Taravari i ka folur diçka ose vëllai Naxhiu, por për këtë më së miri mund ta sqarojnë vetë ata. (Një dëshmitar tjetër-Q. L.), në dëgjimin e tij për Adnanin thotë: “Me Adnanin jam takuar më shumë herë në Zagreb, kur ai ishte ushtar. Në fillim ai qe pranuar si oficer rezervë, mirëpo më vonë u përjashtua dhe dërguar në njësi tjetër. Sa i përket sjelljes, Adnani para meje gjithmonë paraqitej i pakënaqur, duke folur se e kanë përjashtuar nga shkolla për shkak se nga Gostivari i është dërguar karakteristika e keqe se është armik. Por, kjo nuk ka qenë arsyeja për largimin e tij, por vetëm për shkak se është shqiptar dhe se shqiptarëve nuk u besojnë. Më vonë thoshte se e ndjekin në çdo hap dhe i japin punë të rëndë, kështu që nuk ka fare kohë të pushoj. Nga Zagrebi e transferuan në Bjellovar, por edhe pas transferimit të tij shkëmbenim letra dhe në letra sa herë shprehte pakënaqësi.
Në vitin 1953 u sëmur dhe njësia e dërgoi për mjekim në Zagreb. Unë disa herë e vizitova në spital dhe pasi që të dy nuk kishim droje gjatë zhvillimit të bisedës armiqësore, unë i thash Adnanit se unë planifikoja të udhëtoj për Zvicër me pasaportë e të mos kthehem më në RFPJ-ë porse për këtë nuk më lejuan. Gjithashtu, i thash se Nevzat Gjinai – student në Zagreb, i lindur në Shkup, më ftoi të iki së bashku me pilotin shqiptar, Mustafa Bushati, porse edhe me atë nuk shkova, sepse nuk ishte njeri shumë serioz. Qëllimin tim për ikje nga RFPJ-ë, Adnani e miratonte, e gjithashtu edhe ai u pajtua të ikë dhe unë i premtova se do të gjej njerëz përmes të cilëve mund të depërtojmë jashtë. Adnanit nuk i tregova më gjerësisht për qëllimin që unë dëshiroja të iki në botën e jashtme dhe për themelimin e grupit.
Pas burgosjes së Naxhi Purdes, Adnani vazhdon edhe më tej të ketë paraqitje armiqësore, e për të cilat do t’i theksojmë disa momente ku në bisedat me miqtë e tij të ngushtë Adnani është shprehur si vijon: Në një bisedë midis ……., Adnan Agai, Abdylaziz Taravari dhe Ilmi Pendo në lidhje me burgosjen e Naxhiut, Abdylazizi ka thënë se pushteti në RFPJ-ë zhvillon politikë të rreptë kundër shqiptarëve. Më pas filloi të flas Adnani, duku u treguar se është ftuar nga UDB-ja dhe është pyetur për falsifikimin e ndonjë dokumenti shkollor. Në bazë të kësaj, është shprehur ai, është kushtëzuar të jetë bashkëpunëtor i tyre mirëpo përkundër presionit ai e ka refuzuar. Në vazhdim Adnani para të pranishmëve është shprehur: “Këta dëshirojnë të na shtypin, të krijojnë urrejtje midis nesh duke na ndarë në turq e shqiptarë edhe pse këtu të gjithë jemi shqiptarë. Pushteti i tanishëm në RFPJ-ë në çdo pikëpamje kryen presion në fushën kulturore, ekonomike po edhe politike”. Ka thënë se shqiptarëve u kanoset rreziku edhe nga ajo se çdo i dyti punëtor i arsimit qenkan bashkëpunëtor të UDB-së dhe i ka përmendur disa arsimtarë nga gjimnazi i rregullt i Gostivarit. Ditëve të fundit Adnan Agai ua tërheq vërejtjen personave Abdylaziz Taravari, Sheraf Agai, Ilmi Pendes dhe Zeqir Gafurit, të gjithë nga Gostivari, që menjëherë të largohen nga Gostivari, sepse aty nuk është vendi për banim dhe se duhet ta dinë se shqiptarët në Jugosllavi qëndrojnë si vaji mbi ujë. Me propozimin e Adnanit janë pajtuar të lartpërmendurit, vetëm e vetëm për t’u larguar larg syve të pushtetit”.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara