A u vra Papa Gjon Pali I?

Një dhomë e dyllosur. Një kryepeshkop i lidhur me mafian. Një balsamim i kryer me një nxitim të pakuptimtë. Përshtypja e qartë ishte se Vatikani qe në ankth për të fshehur provat. Misteri mbi vdekjen e Papa Gjon Palit I, vazhdon edhe sot pas 37 vjetësh

85

Nga Xhon Xhulius NORUIÇ

Në 26 gusht të vitit 1978, Kardinali Albino Luçiani u zgjodh Papë, vetëm pas votimit të katërt, duke marrë emrin e Gjon Palit I. Ai vinte nga Belluno, rreth 80 milje në veri të Venecias. Babai i tij e kishte kaluar shumicën e jetës si punëtor sezonal – murator dhe elektricist – në Zvicër. Luçiani kishte qenë peshkop i Vitorio Venetos, dhe më pas për 9 vjet Patriark i Venecias. Ai qe megjithatë pak i njohur jashtë Italisë, ndaj ishte jo pak e habitshme që 111 kardinalë – prej të cilëve vetëm 27 ishin italianë – e zgjodhën atë shumë shpejt. Kardinali anglez Bazil Hjum e kishte një shpjegim:”Rrallë kam patur një përvojë të tillë të pranisë së Perëndisë… Unë nuk jam i vetmi, tek i cili diktatet e Shpirtit të Shenjtë janë të vetë-dukshme… Për mua ai ishte kandidati i Perëndisë”. Vetëm 33 ditë më vonë, të enjten e 28 shtatorit, Papa u ul të hante darkë në apartamentin e tij në Vatikan, së bashku me dy sekretarët e tij, italianin Atë Diego Lorencin dhe irlandezin Atë Xhon Magi. Ishte një vakt i thjeshtë – supë, mish viçi, fasule të freskëta dhe sallatë. Sekretarët pinë secili nga një gotë verë, ndërsa Papa piu vetëm ujë. Kur darka mbaroi, të tre panë për pak minuta edicionin e lajmeve; pastaj në orën 9 të mbrëmjes Gjon Pali I shkoi të shtrihet në shtrat duke vënë në zile orën e tij të vjetër, me të cilën zgjohej normalisht në orën 4.30 të mëngjesit.

Të nesërmen në mëngjes, saktësisht në kohën kur një murgeshë me emrin Motra Vinçenza po çonte një filxhan kafe në studion e tij, siç kishte bërë çdo ditë për 20 vite me radhë, që nga koha e Papës në Vitorio Veneto, trokiti në derën e tij të dhomës gjumit dhe i tha mirëmëngjesi. Në mënyrë të pazakontë, nuk pati përgjigje. Një çerek orë më vonë ajo u kthye dhe trokiti përsëri. Ende asnjë zhurmë. E alarmuar tanimë seriozisht, ajo hapi derën me ndrojtje. Papa gjendej i ulur në shtrat, me syzet e vëna dhe dokumente në dorë. Ajo i mati pulsin. Nuk kishte asnjë shenjë jete; dora e tij ishte e akullt. E pushtuar nga paniku, ajo nxitoi të zgjojë Lorencin dhe Magin, të cilët i telefonuan menjëherë Sekretarit të Shtetit, kardinalit Zhan Vilo, që banonte dy kate më poshtë. Vilo e mori vetë në dorë situatën. Ishte ora 5 e mëngjesit. Në fillim, ai telefonoi 2 ose 3 prej kolegëve të tij kryesorë; pastaj u telefonoi balsamuesve, vëllezërve Sinjoraçi, duke u thënë atyre se një makinë zyrtare do të vinte t’i merrte, për t’i çuar me urgjencë në Vatikan. Në fund, duke ndaluar cilindo nga të pranishmit të mos i thoshte askujt qoftë edhe një fjalë të vetme, derisa ai vetë t’u jepte leje, thirri nënkryetarin e shërbimit shëndetësor të Vatikanit, Doktor Renato Buconetin. Ky nuk kishte asnjë dijeni mbi historinë mjekësore të Papës; siç e pohoi edhe vetë, ”hera e parë që e pashë ai kishte vdekur”.  Megjithatë, pas ekzaminimeve të përcipta nga ana e jashtme, ai diagnostikoi pa hezitim një atak kardiak në zemër, duke e përcaktuar kohën e vdekjes rreth orës 11 të mbrëmjes. Ndërkohë Atë Lorenci, pavarësisht nga kufizimet e Vilosë, i telefonoi mjekut personal të Gjon Pali I Xhuzepe da Ros në Venecia. I habitur dhe i tmerruar, da Ros i hipi makinës së tij dhe u nis menjëherë drejt Romës.

Ai deklaroi më vonë se i kishte bërë të shtunën e fundit një vizitë të plotë Papës 65-vjeçar, dhe kishte i raportuar Lorencit:”Nuk është mirë, por shumë mirë”. Sjellja e autoriteteve, shënoi një kontrast tronditës me mënyrën sesi ishte trajtuar vdekja e paraardhësve të tij, për me shumë se një shekull. Të tilla janë faktet lakuriqe të vdekjes së Papës dhe mbulimi i trupit. Megjithatë, pse gjatë 24 orëve të ardhshme, u ngjallën aq shumë dyshime? Para së gjithash, Vilo ishte sjellë në mënyrë shumë të çuditshme. Ai kishte përvetësuar menjëherë shishen e ilaçeve – Efortil – që Papa i merrte për presionin e ulët të gjakut, së bashku me syzet, pantoflat   si dhe letrat nga tavolina e tij të studimit. Asnjë prej tyre sendeve nuk u panë më kurrë. Sekretari i Shtetit urdhëroi ndërkaq që e gjithë banesa – të 19 dhomat e saj – të pastroheshin nga gjithçka nga i përkiste Gjon Pali I-rë; në orën 6 të asaj mbrëmje, nuk mund të gjendej askund ndonjë gjurmë e Papës së vdekur. Apartamenti më pas u dyllos deri në ardhjen e pasardhësit të tij. Po atë mbrëmje – pak më shumë se 12 orë pas zbulimit të trupit të tij të pajetë- vëllezërit Sinjoraçi e balsamosën trupin. Përshtypja i qartë – ndërsa se edhe shtypi nuk mungoi ta vërë në dukje – ishte se Vatikani qe në ankth për të fshehur provat; dhe rasti kundër Vatikanit u forcua nga refuzimi kategorik i Selisë së Shenjtë, për të mos lejuar asnjë lloj diagnoze tjetër pas vdekjes. Diagnoza e Buconetit thjesht nuk ishte e pranueshme:një mjek britanik, specialist për zemrën, citohet të ketë thënë:”Për çdo mjek, diagnostikimi i infarktit të miokardit si shkaku i vdekjes (kur ai nuk e njeh mirë  pacientin) është diçka e gabuar … Ai po merr përsipër një rrezik shumë të madh dhe me siguri kjo nuk do të ndodhte në vendin tonë. Një diagnozë e tillë, mund të jepet vetëm pas autopsisë”. Duhet të rikujtohet ndërkaq se Gjon Pali I nuk kishte qenë asnjëherë një duhanpirës, pinte rrallë dhe me masë, ndërsa vuante prej kohësh nga presioni i ulët i gjakut. Çdokush më pak gjasa, do të arrinte në diagnozën e një sulmi të papritur në zemër. Vatikani u përpoq të deklaronte se analizat pas vdekjes për papët ishin të ndaluara, gjë që ishte e pavërtetë – ato janë kryer ndaj Piut VIII dhe Klementit XIV- ndërsa gjatë ditëve që pasuan disa deklarata të tjera zyrtare, u përgënjeshtruan në mënyrë të ngjashme. Për shembull, u pohua se trupi ishte gjetur nga Magi, dhe jo nga Motra Vinçenza; se Papa kishte qenë duke lexuar librin “Imitimi i Krishtit” nga Tomas Kempis; apo se kishte pasur një histori të gjatë të problemeve në zemër (nga historia e tij mjekësore, nuk u zbulua kurrë zbuluar as e dhëna me vogël).

Dy pretendimet e para nuk janë të rëndësishme; ato u fabrikuan qartazi vetëm për të përmirësuar imazhin. Megjithatë, e fundit mund të jetë bërë vetëm për të konfirmuar diagnozën e Buconetit, dhe për ta cilësuar kësisoj të panevojshme një analizë tjetër. Ndërkohë dikush mund të pyesë pse balsamuesit u thirrën që në orën 5 të mëngjesit. A mos Vilo po shpresonte t’i bindte ata, të bënin punën e tyre që në atë moment? Për shtypin Italian të kohës, ishte e qartë se Vatikani kishte për disa arsye për të humbur toruan. Vdekja e Papës kishte ardhur pa dyshim si një surprizë; por sjellja e mëvonshme e autoriteteve, përbënte një kontrast të habitshëm me mënyrën e trajtimit të vdekjes së paraardhësve të tij, kur njoftimet publike dhe ceremonia e varrimit kishin qenë gjithnjë të detajuara, dinjitoze dhe e jo të kryer me kaq nxitim. Nuk është çudi që “Corriere della Sera”, “Il Tempo” dhe gazeta të tjera, filluan të ngrenë pikëpyetje të mëdha, të cilave “L’Osservatore Romano” i Vatikanit s’mundi t’u jepte përgjigje në mënyrë shteruese. Deri tani ne kemi theksuar se vdekja e Gjon Pali I ndodhi në rrethana shumë të dyshimta; por asgjë për motivet. Pse duhet që dikush të vriste atë burrë të butë, të qeshur dhe që dukej i mbrujtur me mirësi dhe devotshmëri të vërtetë? Janë artikuluar shumë arsye. Disa prej tyre, akuzojnë figurat kryesore në hierarkinë e Kishës – duke përfshirë edhe vetë Vilonë, disa anëtarë të tjerë të Kurisë Papale dhe madje edhe kardinalin Kodi, Kryepeshkopin tejet të korruptuar të Çikagos – i cili kishte plot arsye të dyshonte se Vatikani ishte gati ta shkarkonte apo transferonte.

Ne tani e dimë se Gjon Pali I, i cili pavarësisht sjelljeve së tij të buta nuk i mungonte guximi, ishte tmerruar nga mungesa e efikasitetit – dhe akoma më keq – nga mënyra sesi Vatikani po kryente punët e veta, ndaj kishte vendosur që të spastronte radhët; dhe se kishte më shumë se një hierark të lartë të Kishës që rrezikohej nga reforma e paralajmëruar, dhe që dëshironin vdekjen e Papës. Sikur ndonjë nga ata njerëz të donte vërtetë dëshironte ta bënte vetë këtë punë, kjo do të ishte mjaft e lehtë; Vatikani nuk kishte forcë policore – policia italiane mund të hynte në territorin e saj vetëm nëse do të thirrej, gjë që nuk u bë. Për më tepër, vetë gazeta e Vatikanit, kishte publikuar në fakt një hartë ilustruar të apartamenteve të Papës në datën 3 shtator. Sigurisht nuk është shumë naive të dyshohet, se çdo njeri i Perëndisë mund të vritet. Megjithatë, kishte të tjerë që kishin një motiv po aq të fortë, dhe për të cilët vrasja ishte një mënyrë jetese: kryesisht nga Mafia, e cila ishte thuajse me siguri pas një skandali financiar që përfshi Bankën Ambroziane të Milanos, dhe fatkeqësisht edhe Bankën e Vatikanit, presidenti i së cilës ishte një amerikan me origjinë lituaneze, Kryepeshkopi Pol Marcinkus.

Fakti që Marcinkus kishte lindur në periferinë Ciceron të Çikagos, ku Al Capone kishte selinë e tij, nuk mund të përdoret kundër tij;megjithatë pavarësisht nga vitet e tij të shumta në Romë, ai kishte ruajtur imazhin e një lojtari golfi, një djali të fortë amerikan që përtypte puro, çka kishte bërë që shumica e kolegëve t’i rinin larg “S’mund të drejtohet Kisha, duke iu falur Shën Mërisë”- thoshte shpesh. Sigurisht ai e drejtoi bankën – si dhe disa kompani, njëra prej të cilave prodhoi pilulën kontraceptive – me efikasitet të madh. Ai mbajti ndërkohë kontakte të ngushta me bosin mafioz sicilian, Mikele Sindona – me të cilin ishte drejtues i një banke në Bahamas, dhe që në vitin 1980 u dënua në Nju Jork me 25 vjet burg për 65 akuza, duke përfshirë mashtrimin – dhe drejtuesi i Bankës Ambroziane, Roberto Kalvi, trupi i pajetë i të cilit u gjet në qershor 1982, i varur në urën “Blackfriars” në Londër. Detajet e aktiviteteve të këtyre njerëzve, janë të shumta dhe të komplikuara për t’u përmbledhur në një artikull të vetëm; por Gjon Pali I, i cili kishte një reputacion të mirë, synonte që t’i çonte në gjyq këta abuzues. Ai kishte zbuluar tashmë – dhe ia shpalli opinionit publik- një skandal të madh financiar në Vitorio Veneto; nëse drejtuesi atje u lejua të qëndrojë në detyre, ishte vetëm një çështje kohe para se shumë fajtorë të ngjashëm të përfundonin në burg. Me pak fjalë, ka pasur shumë motive për vrasjen; shumë mundësi; dhe rrethana tepër të dyshimta. Kjo është e gjitha ajo që mund të themi. Nuk ka absolutisht asnjë provë bindëse, për të mbështetur teorinë e vrasjes, dhe Gjon Pali I mund të ketë patur edhe një vdekje krejtësisht natyrale. Ata që dëshirojnë të dinë më shumë mbi këtë ngjarje, duhet t’i referohen dy librave të shquar:”Në emër të Perëndisë” nga David Yallop, i cili beson në skenarin më të keq, dhe “Hajduti i natës” nga John Cornwell, për të cilin e gjitha kjo është vetëm një teori komploti e pabazë. Të dy librat janë rrjedhojë e kërkimeve të thella dhe tepër të përpikta, por që mbërrijnë në përfundime diametralisht të kundërta. Misteri mbetet. (bota.al)

Të Ngjajshme