Nëse në kohë më të vështira dinim të huazonim modele për të rivitalizuar jetën kombëtare këtu, tani, në kohë të qeta, po del se tetovarët e pastiçerive në Maribor, Split, Poreç, Sarajevë po tregohen më vigjilent kundrejt kauzës kombëtare, sepse vetëm ata nuk po e këmbejnë zanatin e tyre ballëdjersitur me favoret që të jep revolucioni i ndryshimit të biografive brenda natës
Nga Emin AZEMI
Shumë vite e dekada më parë, ngjarje e zhvillime të bujshme në Kosovë, merreshin si model dhe frymëzonin shtresa të shumta njerëzish në Tetovë, Dibër, Strugë, Kërçovë… Ishte ‘68-ta, vit ky që koincidonte me dy ngjarje të mëdha – me 500-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastrioti Skënderbeut dhe organizimit të demonstratave të mëdha të rinisë shqiptare të Kosovës. Si fëmijë, me kureshtjen e nxënësit të fillores, ende i kam të fiksuara imazhet dhe jehonat e atyre ngjarjeve. Gjashtëdhjeteteta, flamuri, Demaçi, Gjergj Kastrioti, Universiteti, Rilindja, Republika, Kosova po thadroheshin në kujtesën tonë si arketipa që s’mund t’i gjenim në librat oficialë shkollor.
Pastaj shumë ujë kaloi nën urë. Vite e dekada u rrokullisën mbi pellgun e gjerë të kohës, duke fundosur mbetjet e një kohe të pakthim, në njërën anë dhe, duke mbajtur në sipërfaqe idetë që do të lëvizin levat e proceseve të rëndësishme kombëtare, në anën tjetër.
Të diplomuarit në Prishtinë u kthyen në Maqedoni. Disa ngelën në Kosovë… disa u bënë emra, disa të tjerë u bënë viktimë të ambicieve të tyre të tepruara dhe joreale… thjesht u tretën në ‘ujin’ e sertë të konkurrencës… Por, ajo që ngel e pakontestuar është fakti se shumë ngjarje që do të zhvillohen në hapësirën shqiptare në Maqedoni, do të kenë vulën e intelektualëve të shkolluar në Prishtinë. Thjesht, refleksioni i gjithë asaj energjie iluministe që akumulohej në Kosovë, gjente mënyra e sebepe të zbrazej në Maqedoni. Ngjarjet madhore (UT dhe UÇK), ishin dy shtyllat e larta të risementazimit të një krenarie të fjetur kombëtare, që me kalimin e kohës, në momente e rrethana të caktuara, derivuan nga idetë sublime në trajta “pragmatike” të përfitimeve të çastit.
Shumëkush, nëse jo publikisht, së paku në vete, është pyetur këto vitet e fundit – a thua janë shterur modelet e Kosovës në Maqedoni? Apo, ndoshta, ato modele u përdorën vetëm sa për të instaluar një komoditet të radhës, që hëpërhë, po faturohet vetëm si arritje kulmore që nuk ka nevojë për oponencë, për kontestim, për garim idesh e veprimesh alternative?
Mendimi ndryshe. Kush e përfaqëson në Maqedoni? Ose, ata që pretendojnë se po mendojnë ndryshe sa ka të ngjarë që me apo pa vetëdije t’i djegin shanset e një alternative të njëmendët. Disa të frikësuar nga humbja e primatit opozitar, nuk po ofrojnë kurrfarë hapësire për të zëvendësuar njëtrajtshmërinë pushtetore me ide të reja, më aktive, e më energjike, pos që ëndërrojnë të zëvendësojnë partnerin e tanishëm shqiptar me vetveten. Naivitetin e sotëm duan ta zëvendësojnë, nesër, me inferioritetin e tyre.
Nëse në kohë më të vështira dinim të huazonim modele për të rivitalizuar jetën kombëtare këtu, tani, në kohë të qeta, po del se tetovarët e pastiçerive në Maribor, Split, Poreç, Sarajevë po tregohen më vigjilent kundrejt kauzës kombëtare, sepse vetëm ata nuk po e këmbejnë zanatin e tyre ballëdjersitur me favoret që të jep revolucioni i ndryshimit të biografive brenda natës. (koha.mk)