Fisnik PASHOLLI
Shkup, 20 prill – Dy të tretat e popullatës në Maqedoni, me pagat mujore që i marrin nuk arrijnë të mbulojnë harxhimet e jetesës. Sipas analizës së institutit Finance Think, vetëm një e treta e popullatës arrin të kënaqë të gjithë nevojat ose të kursejë një pjesë të të ardhurave, shkruan gazeta KOHA. Rreth 42 për qind arrijnë të kënaqin vetëm nevojat për ushqim dhe llogaritë, ndërsa 28.1 për qind nuk arrijnë të mbulojnë as këto harxhime. Gjithashtu për 78 për qind të popullatës, paga apo pensioni janë burimi kryesor i të hollave, ndërsa të tjerët mbijetojnë me ndihmën e prindërve, familjarëve apo ndihmës sociale.
PAGAT SHUMË TË VOGLA
“Janë dëshpëruese të dhënat lidhur me mundësitë për kënaqjen e nevojave sociale dhe shoqërore. Mbi 70 për qind e popullatës nuk kanë të holla të shkojnë në restorant një herë në muaj, të blejnë, të blejnë këpucë apo veshmbathje të reja, të shkojë në kinema dhe teatër apo çdo ditë të vozisin veturë. Bile 34 për qind e të anketuarve kanë deklaruar se nuk mund të kënaqin asnjë nga këto nevoja dhe ato jo vetëm që janë të varfër, por janë edhe të pa-integruar në shoqëri, gjegjësisht të përjashtuar në aspektin social për shkak se nuk kanë para”, thotë Despina Tumanovska, nga Instituti “Finance Think”. Qytetarët ankohen se pagat i kanë shumë të vogla dhe nuk arrijnë të mbulojnë shtrenjtimin e vazhdueshëm të jetesës. Nivelin e ulët të të ardhurave mujore e tregojnë edhe analizat e Finance Think, sipas të cilave bile 76 për qind e të punësuarve në Maqedoni pranojnë pagë më të vogël se 20 mijë denarë. Kjo nënkupton se më shumë se dy të tretat e punëtorëve në Maqedoni kanë paga që janë më të ulëta edhe se rroga mesatare që, sipas statistikës zyrtare, është 22.750 denarë. Hulumtimet e “Finance think“ tregojnë se pagë nën mesataren kanë punëtorët në veprimtaritë e shërbimeve ku bën pjesë edhe tregtia, hotelet dhe restorantet si dhe ato në bujqësi dhe industrinë përpunuese dhe 79 për qind e të punësuarve në ndërtimtari. Paga më të larta se 20 mijë denarë marrin të punësuarit në sektorin financiar dhe energjetik, mbrojtje dhe administratën publike. Andaj, kërkohet që të përpilohet një strategji e re, që do të përmirësojë mirëqenien e qytetarëve, por edhe do të prodhojë kuadro me shkathtësi që do të mund të punësohen në veprimtaritë me paga të larta.
“Në suaza afatshkurtra nevojitet që të rritet paga minimale që të përmirësohet standardi jetësor, ndërsa në suaza afatmesme dhe afatgjate nevojitet të vendoset model i rritjes ekonomike, i bazuar në sektorët që paguhen shumë, siç janë veprimtaritë e kompjuterëve. Nevojitet edhe strategji afatgjate dhe reforma, duke filluar nga programet mësimore. Maqedonia duhet të prodhojë kuadro me shkathtësi në këto sektorë, ndërsa masat e punësimit duhet të orientohen në këto veprimtari”, thonë nga Finance Think.
Në ndërkohë, mbijetesa është edhe më e rëndë, sidomos për një shtresë të popullatës që ka të ardhura të rregullta, por të ulëta mujore. Sipas Indeksit të varfërisë së Entit të Statistikës për vitin 2014, 9.8 për qind e të punësuarve apo rreth 70 mijë punëtorë janë të varfër, ndërsa të varfër janë edhe 8.4 për qind e pensionistëve, gjegjësisht rreth 25 mijë qytetarët të moshuar. Të dhënat e fundit tregojnë ulje të ngadalshme të varfërisë në Maqedoni. Sipas Entit të Statistikës, shkalla e varfërisë është ulur prej 24.2 për qind në vitin 2013, në 21.5 për qind në vitin 2015. Kjo do të thotë se është zvogëluar për afër 50 mijë, nga 500 mijë në 445 mijë persona të varfër. Gjithashtu, një pjesë e madhe e popullatës kanë probleme edhe me përjashtimin social që si burim kryesor ka më shumë probleme, si papunësia, mungesa e kualifikimeve profesionale, të ardhurat e ulëta, mjediset e papërshtatshme për të jetuar, problemet shëndetësore etj. Nga ana tjetër, edhe hulumtimet e institucioneve evropiane tregojnë se gjysma e Maqedonisë është në rrezik nga varfëria. Analiza e Eurostat – Entit Evropian të Statistikave, tregon se me 43 për qind të popullatës, vendi është në krye të 33 shteteve anëtare apo kandidate për anëtarësim në BE, sipas numrit të banorëve që nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për jetë normale, ose ku asnjë anëtar i amvisërisë nuk është i punësuar.
MË SHUMË HARXHOHET, SESA FITOHET
Nga ana tjetër, përcjell KOHA, të dhënat e Lidhjes së Sindikatave tregojnë se një familjeje katëranëtarëshe i nevojitet rreth 510 euro për të kaluar muajin, prej të cilave dy të tretat për ushqim dhe pagesën e komunaleve në raport me pagën mesatare prej afër 370 euro. Gjithashtu, një familje mesatare në Maqedoni harxhon më shumë të holla se sa fiton dhe atë vetëm për mbijetesë. Hendeku midis të ardhurave dhe nevojave mbulohet përmes dërgesave të mërgimtarëve, kartelave kreditore dhe ekonomisë informale. Enti shtetëror i Statistikës ka përllogaritur për vitin 2014 se një familje katëranëtarëshe me një të punësuar, për konsum personal i janë nevojitur 321.065 denarë, ndërsa nga ana tjetër ajo ka harxhuar 355 941 denarë. Kjo do të thotë se një amvisëri ka harxhuar 35 mijë denarë më shumë, të cilat nuk i ka fituar në emër të pagës së rregullt apo burimeve të tjera të ardhurave mujore. Sipas ekonomistëve, përqindja e madhe e qytetarëve që edhe përkundër asaj se janë të punësuar, kanë vështirësi të mbulojnë harxhimet e jetesës, i dedikohet rritjes modeste ekonomike në vend që nuk mundëson që rritja e kostos së jetesës të ndiqet me rritjen e pagave. Për këtë dukuri kontribuojnë edhe kompanitë që nuk shënojnë rezultate të fuqishme dhe nuk realizojnë aq shumë të ardhura që të risin rrogat si dhe mungesa e një sektori të fortë eksportues, që do të angazhojë pjesën dërmuese të fuqisë punëtore. Ekonomistët thonë se vetëm me lëvizjen serioze të ekonomisë, Maqedonia mundet në vend që të jetë ndër vendet e fundit në Evropë për mirëqenie, të jetë e njohur për gjëra pozitive, siç janë zhvillimi ekonomik dhe prosperiteti i shtetit dhe qytetarëve të tij. Vlerësohet se mënyra më efikase për përmirësimin e ekonomisë dhe standardit jetësor, është përmes rritjes së prodhimtarisë që hap vende të reja të punës, gjegjësisht se vetëm përmes krijimit të vlerës së re mund të zvogëlohet varfëria. Nevojitet edhe rritja e mundësive për formimin e firmave private dhe qasje të firmave të vogla ndaj kredive, si dhe mbështetja dhe zhvillimi i sipërmarrjes. Sipas profesorit universitar, Vanço Uzunov, mirëqenia e qytetarëve nuk mund të ndryshohet brenda nate, por duhet të fillohet të punohet që tani, duke investuar si në kuadrin e punës ashtu edhe në modernizimin e makinerive të kompanive dhe teknologjinë e re të tyre, me qëllim që për 5-10 vjet të kemi sukses të caktuar.
“Masat duhet të drejtohen ndaj rritjes së produktivitetit të punës, përmirësimit të kualifikimeve të punëtorëve dhe pajisjes më të madhe teknike të vendeve të punës. Njëherazi qeveria duhet të stimulojë me masa të shumta zhvillimin e arsimit si dhe të nxisë kompanitë që të rinovojnë teknologjinë e tyre”, thekson Uzunov. Në ndërkohë, edhe treguesit e tjerë social, ekonomik, kulturor dhe arsimor dëshmojnë se pse Maqedonia ka ngecje të madhe në përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve të saj.
MAQEDONIA NDËR SHTETET MË TË VARFRA NË EVROPË
Maqedonia dhe Kosova janë në fund të listës së rezultateve të testit ndërkombëtar PISA, që u publikuan në dhjetor të vitit të kaluar. PISA ka testuar nxënësit 15 vjeçar në 70 shtete të ndryshme të botës në tre sfera, edhe atë: shkencë, lexim dhe matematikë. Vlerësimi i PISA-s ka të bëjë me vlerësimin e kompetencave të përgjithshme të nxënësve në këto tri fusha: lexim, matematikë dhe shkencë, përkatësisht sa janë të përgatitur nxënësit që t’i zbatojnë në jetën reale njohuritë dhe shkathtësitë e mësuara gjatë shkollimit në këto fusha.
Gjithashtu kemi edhe ngecje të madhe lidhur me kreativiteti mesatar të banorëve të një shteti, që paraqet një nga treguesit kryesor të zhvillimit ekonomik të një vendi, vlerësojnë hulumtuesit e Martin Prosperity Institut. Analiza e tyre Indeksi global i kreativitetit, i bazuar në tre kategori si talenti, teknologjia dhe toleranca tregon se banorët e Australisë, SHBA-ve, Zelandës së Re, Kanadasë dhe Danimarkës janë njerëzit më kreativ në botë. Matja e kreativitetit si tregues ekonomik i zhvillimit, tregon se Maqedonia renditet ndër të fundit në rajon, dhe atë vetëm para Bosnje e Hercegovinës dhe Shqipërisë, ndërsa Sllovenia është e para në rajon. Sipas Indeksit global të kreativitetit, Maqedonia gjendet në vendin e 74-ët në botë, ndërsa nga shtetet e rajonit më mirë e renditur është Sllovenia në vendin e 16-të, ndërsa në vendet e fundit në botë janë Iraku, Gana, Madagaskari, Xhibuti dhe Mauritania.
Ekspertët vlerësojnë se bota ka hyrë në fazën e re të zhvillimit, ndërsa tregu po zhvendoset nga faktorët tradicional të prodhimtarisë ndaj kreativitetit dhe diturisë si resurse të pashtershme që mundet në pafundësi të rinovohen dhe plotësohen. Bile edhe kushtet e banimit për shumicën e amvisërive në vend janë më se dëshpëruese. Statistika tregon se afër 60 për qind e amvisërive në Maqedoni janë të kyçur në kanalizim, ndërsa 20 për qind i derdhin ujërat e ndotur në gropat septike. Gjithashtu, edhe pse 97 për qind e popullatës ka qasje deri te uji për pije, megjithatë për dallim nga mjediset urbane që nuk kanë asnjë problem lidhur klorimin e ujit, banorët e vendbanimeve rurale kanë problem me cilësinë jo të rregullt të ujit për pije. Sipas të dhënave të Entit të Statistikës dhe Institutit për Shëndet Publik, papastërtitë nga kuzhinat dhe banjat, derdhen lirisht nga 12 për qind e shtëpive dhe banesave, ndërsa pa asnjë instalim të kanalizimi janë 7.4 për qind të amvisërive. Gjithashtu brengosës është fakti se vetëm 7 për qind e ujërave të ndotura pastrohen në sistemet bashkëkohore të kolektorëve para se të kthehen në lumenjtë dhe liqenet, për dallim prej mesatares evropiane të pastrimit të 70 për qind të ujërave të ndotura. Nga ana tjetër, të dhënat se bile 40 për qind e numrit të përgjithshëm të banesave nuk janë të lidhura me instalimet që ujërat e ndotura nga amvisëritë i dërgojnë në kanalizimin publik, tregojnë se në Maqedoni, pak mbahet llogari për mbrojtjen e ambientit jetësor nga ujërat e ndotura të amvisërive.
Edhe statistikat e ndryshme ndërkombëtare dëshmojnë se qytetarët e Maqedonisë radhitet ndërmjet shteteve me popullatë më të varfër në Evropë. Sipas EUROSTAT, Zyrës Evropiane të Statistikës, të ardhurat për frymë nga bruto prodhimi vendor në Maqedoni janë sa 36 për qind e mesatares së Bashkimit Evropian, ndërsa konsumi për frymë vlerësohet në 40 për qind të mesatares së BE-së. Këto të dhëna që përfshijnë konsumin aktual individual si masë e matjes së mirëqenies materiale të familjeve dhe prodhimin e brendshëm për kokë banori, tregojnë se Maqedonia është vendi i tretë më i varfër në Evropë. Më tej, shifrat e EUROSTAT tregojnë se Shqipëria renditet e parafundit në Evropë me të ardhurat për frymë nga bruto-prodhimi vendor që janë sa 29 për qind e mesatares së BE-së, dhe me konsumin aktual për frymë prej 34 për qind të mesatares së BE-së. Më e varfra, apo e fundit në listën e EUROSTAT është Bosnje e Hercegovina me të ardhura më të ulëta për frymë prej 28 për qind në Evropë dhe me 37 për qind të konsumit.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara