Kostandinopoja shpesh quhej “ledhi mbrojtës i Evropës kundër pushtimit mysliman”. Kjo ishte e vërtetë, por ndonjëherë ajo ishte më tepër si një derë rrotulluese. Në 1446, kur sulltan Murati II luftonte kundër një koalicioni të shteteve të krishtera, qeveria e Kostandinopojës i transportoi trupat e tij përmes Bosforit, për një kosto prej 1 dukati për njeri. Si pasojë e pushtimi të Enriko Dandolos (kryqtari që plaçkiti i Kostandinopojës në 1204) dy shekuj e gjysmë më parë, perandoria lindore ishte në gjendje të keqe dhe kishte nevojë për para, çka ishte një burim i madh shqetësimi për turqit.
Mehmeti, i biri i Muratit, vendosi të vepronte. Kur vendoste të bënte diçka, Mehmeti nuk humbiste kohë. Me t’u bërë sulltan në moshën 21-vjeçare, ai dërgoi një vrasës për të mbytur gjysmë vëllanë e tij të mitur, me qëllim që të mos kishte rivalë për fronin. Pastaj e ekzekutoi vrasësin dhe nënën e martoi më një skllav. Për t’u bërë ballë mureve të Kostandinopojës, Mehmeti (tani 22 vjeçar) punësoi një renegat hungarez që prodhonte topa, i quajtur Urban. Ai derdhi topat më të mëdhenj që ishin parë ndonjëherë, disa prej të cilëve mund të lëshonin gjyle guri që peshonin më shumë se 1400 paund, i njëjti kalibër dhe model do të përdorej për të rrafshuar muret e kalasë së Rozafës në Shkodër në 1478. Ata ishin aq të rëndë, saqë duheshin derdhur jashtë mureve, për të shmangur problemin e lëvizjes në distanca të mëdha. Ushtria e Mehmetit, prej 200.000 vetash, ishte shumë më e madhe se ushtria e Kostandinopojës me 8.000 veta, madje përfshinte edhe 12.000 jeniçerë, këmbësoria më e mirë në Evropë. Përveç dy sulmeve të kryqtarëve në fillim të shek. XIII, Kostandinopoja nuk ishte pushtuar kurrë. Muret ende mbaheshin. Por pas tyre fshiheshin dobësi, të shkaktuara pjesërisht nga urrejtja e hidhur mes të krishterëve dhe grekëve dhe atyre letinë – rezultat i sulmit të Eniko Dandolos. Papa donte që italianët ta mbronin Kostandinopojën, sepse qyteti i pengonte hordhitë turke të pushtonin Evropën Perëndimore, por hierarkia ortodokse kundërshtonte çdo ndihmë nga italianët.
Një prift ortodoks, Genadiusi, organizoi një turmë që u rebelua jashtë pallatit të perandorit duke bërtitur: “Vdekje të shkishëruarve (italianëve)!”. Priftërinjtë ortodoksë thanë se nuk do të pranonin të falnin askënd që kishte lidhje me italianët. Nga 25.000 burra për luftë që kishte Kostandinopoja, vetëm 5000 pranuan të ndihmonin për mbrojtjen e qytetit. Një numër i vogël vullnetarësh dhe mercenarësh kryesisht italianë, çuan numrin në 8000 numrin e mbrojtësve. Dy burra që të dy të huaj, ishin pasuria më e madhe e mbrojtësve. Njëri, Xhovani Xhustiniani (gjenovezët) mbërriti me 700 burra dhe dy galera. Ai ishte mjeshtër i taktikave të artilerisë dhe perandori e vendosi në krye të mbrojtjes. Tjetri, Johan Grant, ishte një inxhinier gjerman shumë i zoti në taktikat e rrethimit. Por as ekspertiza e huaj nga jashtë nuk und ta zëvendësonte numrin e paktë të mbrojtësve. Mehmeti zuri një numër bazash bizantine. Në disa raste ai përdori gaz helmues-poç e me squfur që digjej. Pastaj bëri topat gati. Për të tërhequr një nga këta përbindësha në një distancë të shkurtër, duheshin 500 dema dhe 450 burra; për ta mbushur duheshin dy orë.
Në këtë mënyrë mbrojtësit mund ta kuptonin se kur do të ndodhte sulmi dhe kishin kohë të mjaftueshme për të marrë kundërmasa, çdo top mund të shtinte 7-8 herë në ditë. Topçinjtë osmanë merrnin në shenjë një pikë të vetme në mur dhe e qëllonin pa pushim. Por pasi hapnin një të çarë në mur, ata zbulonin se mbrojtësit kishin ndërtuar një barrierë tjetër pas tij. I tërbuar, Mehmeti urdhëroi një sulm të përgjithshëm. Xhustiniani nuk kishte topa të mëdhenj, por kishte shumë balestra, fushqeta, katapulta, arkebuza dhe topa të vegjël, që mund të lëshonin 5 plumba më një qitje. Situatë e vështirë për osmanët paraqitej dhe në det ku përforcimet gjenoveze çanë përmes anijeve myslimane që bllokonin portin e Kostandinopojës dhe galerat gjenoveze arritën në qytet. Mehmeti i irrituar e rrahu admiralin e tij, një renegat bullgar, me një shkop të rëndë. Ndërsa rrethimi po vazhdonte, topat e Mehmetit nuk po arrinin asgjë. Sa herë që hapnin një vrimë në mur, osmanët zbulonin një mur të ri pas tij. Të gjitha sulmet e provuara pambarimisht nga osmanët dështonin, pasi bëheshin copa nga armët e përdorura me shkathtësi nga Xhustiniani. Njerëzit e Mehmetit provuan këtë herë një kullë rrethuese, por Xhustiniani vërtiti fuçi me barut në hendekun e thatë dhe e hodhi kullën në erë. Mehmeti u përpoq të hapte dhe tunele por Granti kishte vendosur daulle gjysmë të groposura përgjatë murit. Vibracionet mbi lëkurat e daulleve tregonin se ku po gërmonin osmanët. Mbrojtësit sulmuan tunelet dhe i hodhën në erë apo i mbushën me dyoksid squfuri helmues. Më në fund disa jeniçerë gjetën një portë të pasme të pambrojtur. Ata hynë në qytet dhe i sulmuan mbrojtësit nga pas. Dy gjeneralët e huaj u vranë, fatin e të cilëve do ta ndante edhe perandori, i cili udhëhoqi edhe një sulm të fundit të pashpresë.
Rënia e Kostandinopojës në 1453, i dha fund perandorisë së hershme romake, ndonëse perandoria e ringjallur perëndimore e Karlit të Madh dhe Otos I do të përpëlitej edhe për tre shekuj të tjerë. Dijetarët e qytetit të shkatërruar u larguan, duke marrë me vete dokumente që nxitën Rilindjen Italiane. Falë lidershipit të Mehmetit në nënshtrimin e plotë të Bizantit, osmanët pushtuan Ballkanin dhe sunduan mbi pjesën më të madhe të Evropës lindore. Ky sundim vazhdoi deri në Luftën e Parë Ballkanike (1912-1913). Turqia u bë fuqia më e madhe e Mesdheut, duke zëvendësuar Venedikun.