Sana, 11 janar – Pothuajse 1.400 fëmijë janë vrarë, qindra janë lënduar, ndërsa një numër i madh shkollash janë mbyllur për shkak të luftës në Jemen, njoftoi sot UNICEF-i. “Edhe më tej dhjetëra fëmijë në Jemen vdesin ose janë lënduar gjatë sulmeve ndaj zonave civile. Në vend të mësojnë, fëmijët janë dëshmitarë të vdekjes, luftës dhe shkatërrimit”, deklaroi përfaqësuesja e UNICEF-it në Jemen, Meritsele Relano. Ajo u bëri thirrje të gjithë palëve të involvuara në konflikt t’i mbrojnë fëmijët dhe t’i ndërpresin sulmet ndaj shkollave. “Shkollat duhet të jenë zonë e paqes në të gjitha kohërat, vend i shenjtë ku fëmijët duhet të mësojnë, rriten, lozin dhe të jenë të sigurt”, theksoi Realno. Ajo theksoi se në Jemen tashmë nuk janë të përdorshme 2.000 shkolla, sepse janë shkatërruar, dëmtuar ose shfrytëzohen për qëllime luftarake.