14 shkurt 1929: Al Capone dhe masakra e Ditës së Shën Valentinit

99

Si sot në vitin 1929 në Çikago, persona të armatosur të paguar nga kreu i sindikatës së krimit, Al Capone vranë shtatë anëtarë të bandës së George “Bugs” Moran, në një garazh në North Clark Street. E ashtuquajtura Masakra e Ditës së Shën Valentinit shkaktoi një stuhi të vërtetë mediatike, e përqendruar tek Capone dhe aktivitetet e tij të paligjshme nga epoka e prohibicionit, si dhe motivoi autoritetet federale që të dyfishonin përpjekjet për të gjetur prova inkriminuese të mjaftueshme, për ta futur në burg. Alphonse Capone lindi në Bruklin në vitin 1899, i biri i emigrantëve italianë nga Napoli. I katërti i nëntë fëmijëve, ai e la shkollën pas klasës së gjashtë dhe u bashkua me një bandë rruge. Aty u njoh me Johnny Torrion, një bos i krimit i cili vepronte në Çikago dhe Nju Jork, dhe në moshën 18 vjeçare, Capone ishte punësuar në një klub në Coney Island, në pronësi të gangsterit Frankie Yale. Pikërisht në kohën kur punonte aty, u bë pjesë e një sherri, ku mbeti i dëmtuar në fytyrë dhe mori nofkën “Scarface” (Njeriu me shenjë). Në vitin 1917, e dashura e tij mbeti shtatzënë dhe ata u martuan. Pas kësaj, çifti u zhvendos me djalin e tyre në Baltimore, ku Capone tentoi të bëjë një jetë të respektuar, duke punuar si llogaritar. Megjithatë, në vitin 1921, miku i tij i vjetër Johnny Torrio e joshi në Çikago, ku Torrio kishte ndërtuar një sindikatë mbresëlënëse krimi, dhe kishte filluar të bënte pasuri me tregtinë e paligjshme të alkoolit, i cili u ndalua në vitin 1919 nga Amendamenti i 18-të i Kushtetutës.

Capone demonstroi mendjemprehtësi të konsiderueshme në biznes dhe u caktua menaxher i një klubi nate të Torrios. Më vonë, Torrio e vuri në krye të periferisë së Ciceros. Ndryshe nga shefi i tij, që gjithmonë kish qenë i matur, Capone fitoi famë teksa luftonte për kontrollin e Ciceros dhe madje u gjykua (pa sukses) për vrasje. Në vitin 1925, Torrio u qëllua katër herë nga Bugs Moran dhe Hymie Veiss, të cilët ishin bashkëpunëtorë të një gangsteri të vrarë prej njerëzve të Torrios. Torrio mbijetoi, por katër javë më vonë doli para gjykatës dhe u dënua me nëntë muaj, pas një bastisje policore në një fabrikë që kishte në zotërim. Rreth një muaj më vonë, ai i telefonoi Capones nga burgu, për t’i thënë se tërhiqej dhe ia linte atij biznesin. Capone e zhvendos qendrën e tij në Metropole Hotel, një hotel luksoz, ku ai u bë një figurë e spikatur në jetën publike të Çikagos, teksa perandoria e tij e krimit zgjerohej në mënyrë të pandalshme. Pasi një prokuror u vra nga disa nga njerëz të Capones, policia e Çikagos u vu në lëvizje, në mënyrë agresive, kundër veprimtarisë së tij kriminale, por nuk mundën të ngrejnë akuza të qëndrueshme. Capone bleu një pasuri luksoze në Miami, për t’u tërhequr nga e gjithë kjo vëmendje padëshiruar. Al Capone ndodhej në Florida, në shkurt të vitit 1929, kur dha viston për vrasjen e Bugs Moranit. Më 13 shkurt, një kontrabandist pijesh alkoolike i telefonoi Moranit dhe i ofroi që t’i shiste një kamion me uiski me cilësi të lartë, me një çmim të ulët. Morani e hëngri karremin, dhe të nesërmen në mëngjes u nis drejt vendit ku do kryhej blerja, aty ku e prisnin edhe disa bashkëpunëtorë. Ai ishte pak vonë, dhe teksa po ndalonte pranë garazhdit, pa ata që dukeshin si dy policë dhe dy detektivë, që dilnin nga një makinë pa targa dhe hynin brenda. Duke menduar se sapo kishte shmangur një aksion të policisë, Morani u largua. Katër burrat, megjithatë, ishin vrasës të Capones, dhe ata ishin duke hyrë në ndërtesë para ardhjes së Moranit, për shkak se kishin ngatërruar një nga të shtatë burra brenda, me vetë bosin. Të veshur me uniformat e tyre të vjedhura të policisë dhe të armatosur rëndë, vrasësit e Capones i zunë në befasi njerëzit e Moranit, të cilët pranuan të reshtohen tek muri. Duke menduar se kishte rënë pre e një bastisjeje rutinë të policisë, ata hodhën armët. Një çast më vonë, u goditën për vdekje me breshëri. Gjashtë u vranë menjëherë, dhe i shtati mbijetoi për më pak se një orë. Amerikanët mbetën të tronditur dhe indinjuar nga vrasja gjakftohtë e Ditës së Shën Valentinit, dhe ngritën shumë pikëpyetje, nëse mëkati i mospërmbajtjes peshonte më shumë se ligësia e gangsterëve të epokës së prohibicionit, si Al Capone. Ndonëse si zakonisht ai kishte një alibi të fortë, pak kush vuri në dyshim rolin e tij në masakër. Autoritetet, veçanërisht të prekur nga përdorimi i uniformave të policisë, u zotuan që ta nxirrnin atë para drejtësisë. Me mandat nga Herbert Hoover, presidenti i ri, Departamenti i Thesarit udhëhoqi sulmin kundër Capones, duke shpresuar për të zbuluar prova të mjaftueshme të veprave penale dhe evazionit fiskal. Në maj 1929, Capone u dënua për mbajtjen e një armë të fshehur dhe u dënua me 10 muaj burg. Ndërkohë, agjentët e thesarit, si Eliot Ness, vazhduan të mbledhin prova. Në qershor të vitit 1931, Capone u akuzua për evazion fiskal. Më 17 tetor, në radhë të parë mbi bazën e dëshmisë së dy ish llogaritarëve, ai u shpall fajtor për disa akuza. Një javë më vonë, Capone u dënua me 11 vjet burg dhe $ 80,000 në gjoba dhe shpenzime gjyqësore. Ai hyri në burgun e Atlantas në vitin 1932 dhe në vitin 1934 u transferua në burgun e ri të Alcatrazit, në San Francisco Bay.

Tashmë, prohibicioni ishte shfuqizuar dhe perandoria e Capones ishte shembur. Në Alcatraz, sifilizi që Capone kish marrë në moshë të ri, hyri në një fazë të vonë dhe vitet e fundit të burgut ai i kaloi në spital. Në vitin 1939, Capone u lirua pas vetëm 6 vite e gjysmë burg, si rezultat i sjelljes të mirë dhe krediteve të punës. Mori shërbim shëndetësor në një spital të Baltimorës dhe në vitin 1940 u tërhoq në shtëpinë e tij në Miami, ku jetoi deri sa vdiq në 1947. Rivali i tij, Bugs Moran vdiq më vonë nga kanceri në mushkëri, pasi kreu një dënim me 10 vite burg në Kansas, për grabitje banke. (History)

Të Ngjajshme