Historike për shahun shqiptar. Talentja shqiptare 11-vjeçare, Klean Shuqja, ka bërë mrekullinë në përfundim të kampionatit botëror të shkollave që po zhvillohet në Iasi të Rumanisë për grupmoshën e vajzave U-13. Në përfundim të shtatë raundeve të botërorit, e reja Shuqja është kurorëzuar nënkampione e botës në garën “Blitz” mes 59 bashkëmoshatareve. Shahistja shqiptare u rendit e dyta, por me pikë të barabarta (6.5) me kampionen e botës, rumunen Ema Obda.
Shuqja ka qenë fenomenale në konkurrimin e saj, duke arritur 6 fitore dhe vetëm një barazim, atë ndaj shahistes rumune Ema Obada në raundin e pestë të kampionatit botëror. Kampione kombëtare e padiskutuar në moshën e saj, Shuqja ka shpërthyer me talentin e saj tashmë edhe në arenën ndërkombëtare.