Nga Bajram PEÇI
Kuvendi Kombëtar, që u mbajt në Vlorë më 28 Nëntor, mund të ishte mbajtur 105 vjet më parë në Shkup, diku nga ditët e javës së fundit të gushtit ose-ose, e shumta, në fillimin e shtatorit të 1912-s. Në kujtesën e shqiptarëve, pas luftërash e kryengritje të parreshtuara kundër halldupit turk, për historinë e kombit tonë kjo stinë nuk duhet të shlyhet, por duhet përmendur parreshtur. Ishte pikërisht muaji gusht, muaji që spikati për pavulletshmërinë dhe ngurrimin me pasoja që shfaqën paraardhësit tanë të shquar. Është koha kur shumë nga elita kombëtare e kohës ende nuk dinin të dallonin kush u donte të mirën e kush të keqen. Kanceleritë evropiane tërë sy e vesh, përmes konsujve në Shkup e Stamboll, ndiqnin Kryengritjen e Përgjithshme të shqiptarëve dhe ishin të bindur që në gusht të vitit 1912 shqiptarët do të shpallnin pavarësinë nga Perandoria Otomane. Era e betejave frynte në favor të shqiptarëve të bashkuar. Ata dhe të tjerë mbetën të befasuar kur panë se si shqiptarët e shndërruan fitoren në fushën e luftës në dështim. Varfëria e teksteve mësimore të historisë në Shqipëri dhe Kosovë, ndërsa i rrethojnë ngjarjet e zhvilluara në Kryengritjen e Përgjithshme me një aureolë të ndritshme, ndjehet në të qendruarit larg pohimit pa drojë të të vërtetës përfundimtare. Në asnjë prej atyre që kam shfletuar nuk e ndesh të nxjerrë fundin pothuaj të dhimbshëm të saj. Ishte ngurrimi ai që fitoren e shndërroi në disfatë. Edhe sot, pas 105 vjetësh dhe plot 11 vjet pas vrasjes së kryeorganizatorit të saj, Hasan Prishtinës, shtjellimi i së vërtetës nuk ka qenë e nuk është i lehtë. Për të vënë këtë cilësim, duhen të rivlerësohen veprime e figura historike, tashmë të mitizuara, çka ka pak gjasa të ndodhë. Zhvillimet befasues që mori rrjedha e ngjarjeve, pasojë kjo e sjelljes të krerëve të kryengritjes, është parë me pothuajse tërë emrat më të shquar të historisë së Shqipërisë, duke filluar nga Hasan Prishtina e Ismail Qemali, dhe më tej, Isa Boletini e Bajram Curri, e të tjerë nga paria e Shqipërisë së Jugut, për të cilët është shkruar që në atë kohë e pak vite më pas.
“KOMPLOTI I TAKSIMIT”, MARRËVESHJA PËR FILLIMIN E KRYENGRITJES
E ka quajtur kështu Hasan Prishtina, i cili në Kujtimet e tij, takimin në një nga ndërtesat në sheshin e njohur të Stambollit, e quajti “Komplot”. “Taksimi”, sheshi historik shumë i njohur në zemër të Stambollit evropian, nga ku ndahen rrugët kryesore të qytetit perandorak, u bë më 12 janar 1912, diku në një nga ndërtesat rreth saj, vendtakimi i deputetëve shqiptarë të Parlamentit të Turqve të Rinj. Takimi u mbajt në kushte të fshehta. Shumica dinin pse mblidheshin: do vendosnin për fillimin e Kryengritjes. Pikërisht këtu zë fill Kryengritja e Përgjithshme kundër sundimit osman, që në historinë e Shqipërisë përbën një nga ngjarjet më kulmore dhe përbën një ndër faqet e ndritshme të saj. Kryengritjet shqiptare kundër Turqisë nuk kishin reshtur që nga shek. XV dhe deri në janarin e vitit 1912, kur deputetët që përfaqësonin katër vilajetet morën përsipër fillimin e kryengritjes. Pas shpërndarjes së Parlamentit, më 18 janar 1912, të ndodhur nën trysninë e kërkesave shqiptare, Turqit e Rinj vendosën diktaturën. Kjo është koha, kur deputetët pjesëmarrës në takimin e fshehtë, u shpërndanë në tërë trojet shqiptare për organizimin e Kryengritjes së Përgjithshme. Hasan Prishtina, bashkë me Isa Boletinin dhe Bajram Currin, kishte marrë përsipër organizimin e kryengritjes në krahinën e Kosovës, ndërsa Ismail Qemali, Myfit Libohova, Azis Vrioni dhe Syrja bej Vlora, do organizonin kryengritjen në Shqipërinë e Jugut. Kryengritja e Përgjithshme Shqiptare, që pasonte nga përmasat atë të vitit 1911, përbën ngjarjen vendimtare që përcaktoi të ardhmen e lëvizjes e të veprimeve. Fatet e saj ajo i vendosi me luftën e armatosur në Kosovë. Historianët e Kosovës, në kushtet e shtypjes serbe, përpos dëshirës e përpjekjeve, nuk besoj se mundën të shpjegonin në tërësinë e përmasave, madhështinë që pati kjo kryengritje dhe theroritë që u bënë, ndërsa historianët e Shqipërisë, veçse e kanë gërvishtur paksa përmasën e kësaj kryengritjeje me ndikim të jashtëzakonshëm për pavarësinë e Shqipërisë dhe ende vazhdojnë të lëkunden në vlerësimin e ngjarjeve, paqartësinë e paqëndrueshmërinë ndaj krerëve e figurave.
KRYENGRITJA E PËRGJITHSHME NËN UDHËHEQJEN E HASAN PRISHTINËN
Është e njohur se Hasan Prishtina nuk u ndodh i pranishëm në aktin solemn, më 28 Nëntor 1912. Në datën 4 nëntor 1912 serbët e kanë arrestuar në Shkup, së bashku me të tjerë atdhetarë shqiptarë dhe e kanë burgosur në burgun Kalemegdan në Beograd, ku e kanë mbajtur deri më 1 prill 1913. Udhëheqësi dhe ideologu i shquar, pas “Komplotit të Taksimit”, në periudhën nga muaji maj e deri në gusht të vitit 1912, udhëhiqte Kryengritjen e Përgjithshme në tokat shqiptare të vilajetit të Kosovës e Manastirit, duke përgatitur ngritjen e Flamurit, shpalljen e lirisë dhe zgjidhjen përfundimtare të çështjes kombëtare shqiptare. Veprimtaria e tij u përqendrua në organizimin e luftës së armatosur. Luftëtarët shqiptarë në front ishin për mbi 25 mijë kryengritës. Ata çliruan Pejën, Gjakovën, Prishtinën, Ferizajn, me veprime ushtarake të drejtuara nga Hasan Prishtina. Formacionet e çetave shqiptare në Kosovë kaluan numrin 60 mijë. I thyen turqit në gjithë shtrirjen e frontit. Porta, e frikësuar pas përparimit të trupave kryengritëse drejt Shkupit, detyroi dorëheqjen e Said Pashës, kryeministër i kabinetit xhonturk. Kabinetet e tjera të krijuara pas kësaj dorëheqje u treguan edhe më armiqësore. Kabineti, me Qemal Pashën kryetar të Këshillit të Ministrave, dërgoi një komision të udhëhequr nga Ibrahim Pasha. Komisioni qeveritar, më 1 korrik filloi bisedimet në Prishtinë me delegacionin shqiptar, të kryesuar nga Hasan Prishtina, i cili si fitimtar në fushë të betejës, parashtroi kërkesat, të formuluara me përmbajtje në përputhje me tërësinë e interesave kombëtare, por brenda Autonomisë.
Ato u bënë të njohura si Kërkesat Shqiptare, mes të cilave, spikasin: Të njihen zyrtarisht kufijtë e Shqipnisë; Autoritetet civile dhe ushtarake të kenë komsin Shqyptare; Ushtrija shqiptare të shërbej në Shqypni e të jetë komanda prej oficerve shqyptarë; Veprimet zyrtare në Shqipni të bëhen në gjuhë shqipe. Bisedimet që priteshin me ankth e shpresë në Shqipërinë e Jugut e të Veriut nuk rezultuan të suksesshme. Reaksioni turk, ashtu si më 1878-n, edhe këtë radhë ishte kundërshtar i autonomisë shqiptare. Është ky qëndrim armiqësor i anadollakëve, që ndonëse duke dhënë shpirt, vazhdonte të ushqente shpresën se do t’i mbante shqiptarët nën robëri. Guvernatori dhe komandanti turk i Janinës, kur prijësit shqiptarë të Çamërisë i parashtruan në këto ditë të fillim korrikut, kërkesat e shqiptarëve për autonomi, u shpreh, “…kërkesat e Shqiptarve nuk mund të plotësohen. Para se të bëhet kjo, nuk do mbetet gur mbi gur”. Ndonëse Kryengritja e Përgjithshme, e drejtuar dhe e organizuar nën një udhëheqje të vetme, me përfaqësues personalitetet më të shquara të të gjitha trojeve, në Veri, Jug, Lindjen Shqiptare, ajo, sipas historianëve tanë, nuk diti të vjelë frytet e fitores, për shkak të mungesës së bashkërendimit të qëndrimeve të tyre. Në këto rrethana, në vazhdimin e bisedimeve, nga 2 deri më 18 gusht 1912, pasi në Ferizaj mbërriti autorizimi i parisë e krerëve të Shqipërisë së Jugut, me të cilin bënin Hasan Prishtinën përfaqësues në marrjen e vendimeve, më 9 gusht Hasan Prishtina përsëriti kërkesat, të cilat ndonëse të reduktuara ndjeshëm, u refuzuan.
Forcat Kryengritëse, më 12 gusht 1912, sulmuan Shkupin dhe e pushtuan atë. Pas ngritjes së flamurit shqiptar, zëra të diplomatëve të huaj thanë e shkruan se shqiptarët mund të shpallnin mëvetësinë e tyre në Shkup. Më 19 gusht, qeveria turke kapitulloi dhe pranoi kërkesat. Ky është momenti që Hasan Prishtina telegrafon në gjithë qytetet e Shqipërisë, “… të ndërpriten veprimet luftarake kundër Turqisë”. Kryengritësit u shpërndanë, pa shpallur Pavarësinë e tërësisë së tokave shqiptare”. Ky ishte dhe misioni i kryengritjes, kjo duhej të ishte edhe detyra e luftëtarëve. Çfarë ndodhi? Ngurrimi në Shkup i çoi shqiptarët në Shqipërinë e Vlorës, në Shqipërinë e vogël që kemi sot. Shqipërinë etnike, pas kësaj, s’qemë më të zotët ta bëjmë.
ATJE KU DETYRA ËSHTË E QARTË, NGURRIMI ËSHTË DISFATË (V.HYGO)
Shkupi i 1912-s është qyteti më i madh shqiptar i kohës. Mes 50 mijë banorëve që e popullonin, më se 40 mijë ishin shqiptarë, 4 mijë bullgarë dhe 6 mijë kombësi të tjera. Si qendër e madhe qytetëse, në të ishin vendosur një mori konsullatash dhe dilnin gazeta e qarkullonte shtyp periodik shqiptar. Shkupi i kish tërë cilësitë e vlerat për t’u bërë kryeqendra shqiptare për shpalljen e Pavarësisë. Mid’hat Frashëri, në kujtimet e tij të udhëtimit, e përshkuan Shkupin e 1912-s, “…një vend thjesht Shqipëri, ku njerëzia është, jo vetëm në shumicë shqiptare, por kjo racë formon tërësinë…”.
Pse nuk u shpall Pavarësia në Shkup? Cili ishte shkaku që nuk u shpall pavarësia në Shkupin shqiptar? Brerjet e ndërgjegjes për naivitein politik të shfaqur u vrejtën shpejt.Historiografia jonë ka qëmtuar mbi ngjarjet, mbi kujtimet e shkruara e mbi shtypin e kohës. Kritikat e para nuk vonuan të vijnë, pa kaluar ende dy javë nga shuarja e kryengritjes dhe vjen fillimisht përmes pendës së Fan Nolit, i cili, më 6 të vjeshtës i, 1912, në gazetën “Dielli”, vë nën akuzë Ismail Qemalin dhe Hasan Prishtinën, për të cilin shkruan se, “…kur Riza Beu dhe shokët e tij kërkonin autonomi, ky (H. Prishtina) kërkonte reforma për mbretërinë Othomane. Isa Boletini me Riza benë të gënjyer me një paturpësi dhe dinakëri aq të poshtër, u shtrënguan të kthehen në malet e tyre dhe ta lenë Hasanin të mbledhë pemët e mundimeve të tyre… Serbët dhe Turqit duhet ta ngrehin Hasanin në qiell që ndaloj njohjen e një Shqipërie autonome me katër vilajetet, prej guvernës turke”. Gjykimi në frymë pesimiste që jep Noli, mbase nuk është i drejtë, për shkak se është tepër larg ngjarjeve, për më tepër se është po ai, që tek “Dielli” që më 1909, i frikësuar nga një copëtim i mundshëm prej fqinjëve (siç ndodhi në fakt) shkruan thirrjen se, “…detyra e shqiptarëve është të jenë besnikë te Turqia, se ndryshe do bien në thonjtë e atyreve të cilëve u tregohen si mbrojtës tani”. Largimi në kohë nuk e zbuti qëndrimin e Nolit. Në “Federation Balkanoque”, Vjenë, në numrin e 1 dhjetorit 1928, shkruan se “…sikur të mos ishin tradhëtuar prej krerëve, Shqiptarët (në Shkup) do ta kishin proklamuar që atëherë independencen e tyre”. Po kush ishin ata që i braktisën vendimet e “Taksimit”? Vetëm pas 9 vjetësh, kur nga Shtypshkronja Françeskane u botuan në vitin 1921, “Një shkurtim kujtimesh mbi kryengritjen shqyptare të vjetit 1912”, shkruar nga Hasan Prishtina, akuzave të Nolit dhe një varg akuzash të tjera, iu dha një gjegje, përmes së cilave u orvat të bëhej përshkrimi i së vërtetës. I trembur në ato ditë nga mundësia e një lufte civile mes çetave shqiptare, ja si i shpjegon arsyet Hasan Prishtina, udhëheqësi i kryengritjes: -“Koha e shenueme për kryengritje u afronte gjithnji. I shkrova Ismail Qemalit qi ta kryente detyrën. M’u përgjigj me sot e me nesër e me premtime të thata…me apathinë qi diftoi Ismail Qemal Begu në të kryemit e detyrës së vet, na pat krijue nji gjendje gati të dishprueshme”; – Që në Prishtinë, Riza Gjakova dhe Isa Boletini më thanë se “ne nuk duam autonomi dhe nuk mund të dahemi prej osmanëve. …kryengritja u sabotua sepse Riza Beg Gjakova dhe Isa Beg Boletini dhe shumë fanatikë fetarë hallin e kishin me mësye e me e lirue Sulltan Hamidin prej burgimit në Selanik”; – “…në Shkup mbrritëm me 20 për qind të fuqisë që kishim në Prishtinë.
Rizai e Isa mendojshin me pështu Sulltan Hamitin, qi ishte i burgosur në Selanik… Jo që nuk mund t’u flitet me ta për punë t’Independencës, por nuk mund t’u përmendje gja as për autonomi, pse këto ishin fjalë mkati për Riza begun e Isa Boletinin…Ibrahim pasha e dinte që Hasan Prishtina ishte prishur keqas (me disa krerë). Ishte nevoja me e shpërnda nji orë e më parë fuqinë që kishim; -“Përfaqesues të ardhun të Shqipnisë së Mesme, Abdi Toptani, Mustafa Kruja dhe Marka Gjoni, kur panë shkallën e fanatizmit të Riza Begut e Isa Boletinit, u dëshpëruan. U bindën se nuk mund ta shpallnim Indipendencën”.
Më 7 shtator 1912, Luigj Gurakuqi, i shkruante Aqif pashës dhe parisë së Elbasanit, mes të tjerash, “…faji është i të gjithë neve, sepse u lanë të ndërhyjnë fanatikët e Prishtinës, Shkupit e të Tetovës, që deshën të tregohen më turq se turqit”. Duhet pohuar se kur më 12 gusht kryengritësit shqiptarë hynin në Shkup, çetat e kryengritësve të Shqipërisë së Jugut, çlironin qytetin e Konicës, Përmetit, Ersekës, Leskovikut, Fierit dhe mbërrinin në Peshkopinë e lirë. Më 12 gusht, në Prevezë e Gjirokastër dhe më 13 gusht, në Filat, mbaheshin mitingje mbarëpopullore. Gjithsesi nuk mungojnë edhe akuzat ndaj jugut shqiptar se u treguan të paaftë. Qëndrime të tilla ishin shprehi e orvatjeve në vazhdimësi, për të bërë histori të krahinave shqiptare e jo histori të kombit. Shqipëria e asaj kohe, krahas atdhetarëve të paepur, gëlonte nga elementë turkomanë. Pashallarë, bejlerë e agallarë, zotërues të çifligjeve, ndonëse shqiptarë në kombësi, por që sundimin feudal të Turqisë e kishin në zemër, shihnin më me interes atë, Turqinë, se sa një Shqipëri të pavarur. Të tillë element, veshur me petkun fetar, ende i kemi nëpër këmbë. Dhe bëjnë gjithçka për deformimin e identitetit kombëtar. Prania dhe roli negativ i tyre nuk i zhveshin dot nga vlerat e ndihmesës që i dhanë pavarësisë shumë nga krerët myslimanë shqiptarë.
PARTITË E QËNDRIMET NEOOTOMANE MES SHQIPTARËVE VAZHDOJNË
Lufta e I Ballkanike filloi për të mos lejuar Pavarësinë e Shqipërisë. Historiani amerikan i Universitetit të Çikagos, Ferdinand Schevill, në veprën, “Ballkani-Historia dhe Qytetërimi”, pragluftën e përshkruan: “Pra ishte çasti për të sulmuar, pasi shteti osman ishte i dobët dhe Shqipëria e katër vilajeteve ende nuk dukej në hartë”. Ngjarjet u rrokullisën shpejt. Të alarmuar nga mundësia e fitores shqiptare, e cila po shkonte drejt autonomisë së katër vilajeteve, të Shkodrës, Janinës, Manastirit e Kosovës, monarkitë ballkanike filluan të organizoheshin. Rusia, në këto rrethana, i nxiti shtetet sllave në Ballkan të bashkoheshin kundër Perandorisë Otomane. Traktatit të marsit të vitit 1912 mes Bullgarisë dhe Serbisë iu bashkëngjitën në shtator Mali i Zi dhe Greqia. Më 8 Tetor, Lufta Ballkanike, me synim copëtimin e tokave shqiptare, filloi. Turqia u thye dhe në fillim të nëntorit u dorëzua në mënyrë të turpshme, duke lënë pas jehonën e tmerreve të luftës që kish ngërthyer pjesën më të madhe të territoreve shqiptare, të pushtuara e të shkatërruara nga serbët, malazezët e grekët. Kjo ishte gjendja e rëndë, kur shqiptarët, pasi dështuan në Shkup, bënë së fundi hapin e guximshëm në Vlorë, për të mos lejuar më tej ndarjen e tokave të tyre si plaçkë lufte, qëllime që shfaqeshin sheshit nga mbretëritë e Ballkanit. Autonomia që na e dha Turqia më 19 Gusht 1912, nuk e pa, as u prek dhe askush nuk pati më kohë të kërkonte zbatimin e “14 pikave”. Me vorbullat që solli herë pas here koha, me kujtimet kontradiktore për ngjarjet e vitit 1912, të sjella nga Sejfi Vllamasi, Dervish Hima, Eqerem Bej Vlora, Selenica, Noli e Gurakuqi, etj., paqartësitë vazhduan. Në morinë e argumenteve, dy gjëra dalin qartazi: së pari, nuk ishte vetëm fshatari i Sharrës, Haxhi Qamili, që kërkonte “Babën”, por dhe një pjesë e parisë së kohës, deri ditën e Pavarësisë, madje edhe më pas e shikonin Shqipërinë nën suzerenitetin e Sulltanit.
Së dyti, mungesa e mirëkuptimit, moskoordinimi i veprimeve dhe shfaqja e ambicieve klanore, elementë që nuk lejuan shpalljen e Pavarësisë shqiptare në Shkup, vazhdojnë të jenë ende tipare bashkudhëtuese të kombit. Atje ku detyra është e qartë, ngurrimi vazhdon të shfaqet si disfatë edhe tani. Gjithsesi, ata që morën pjesë në Kryengritjen e Përgjithshme të 1912-s, janë të gjithë heronj të këtij populli, me tërësinë e tyre, të mirat e mangësitë që shfaqën në rrethanat e kohës. Ata na kanë mbetur në kujtesë, sepse populli i ka dashur. Shqiptarët nuk u përkasin atyre popujve që zënë mend. Deshëm të ruanim patkoin (sulltanin) dhe humbëm kalin (trojet tona). Kemi mbi 25 vjet që themi se duam të shkojmë në Evropë, por kjo nuk e ka penguar lindjen, me Turqi, Siri, Arabi Saudite, Kuvait, Katar e të tjera vende islame, të ndërtojnë kush të mundë më pare e më shumë e përhapin pakufi ndër trojet ku banojnë shqiptarët objekte kulti. Por ato, xhamitë, janë gjëja më pa rendësi kur sheh investimin marramendës në kultivimin e ideologjinë fetare e në formimin radikal. Shkarjet nga aplikimi i islamit të moderuar shihen qartë si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë. Tiparet islame, meqë demek do shkonim në Evropë, në vend që t’i pakësonim, i kemi shtuar në përmasa të frikshme. Ju kujtoj se Evropën në ka gjë që e tmerron është kjo fe dhe kultura e saj, me të cilën bashkëjetesën e ka të pamundur!